
“Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje te Arbër Hajdari”, kështu shkruan kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një letër ku publikon bisedën me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu. Sipas tij, Gogu i ka përcjellë mesazhet e Ramës për të pranuar përfshirjen në protesta me Flamingot e studentët ose do i shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu dhe se do bëjë 100 vjet burg te 313 e 302. Po ashtu Veliaj shkruan se i është kërkuar të mos këshillohet më me Plarent Ndrecën.
Sipas Hashtag.al, Veliaj pretendon se Rama është përfshirë personalisht në vendimet për transferimin dhe izolimin e tij, si dhe në çështje që lidhen me lejet për trajtim spitalor, takimet dhe kontaktet me familjarët e miqtë. Në mëngjes avokati i Veliajt, Ndreca është takuar me të ku ka mësuar për ngjarjen që implikon jo vetëm ministrin e Drejtësisë si korrier i mafies, por edhe kryeministrin Edi Rama. Veliaj shkruan: “Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.”
Mes debateve të ditëve të fundit, pas zhvendosjes së Veliajt në IEPV-në e Fierit papritur lakohet emri i Arbër Hajdarit. Ai është bërë i njohur pas themelimit të fondacionit “Fundjavë ndryshe” në vitin 2015. Hajdari është i anagazhuar herë pas here në televizione si opinionist.

Ai është shpallur Qytetar Nderi i Qarkut Tiranë, një titull i dhënë nga Kryetari i Qarkut, dhe gjithashtu është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe Qytetar Nderi i Tropojës. Arbër Hajdari ka marrë vlerësime nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit për promovimin e vullnetarizmit dhe përpjekjet e tij në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Së fundmi Veliaj ka emëruar Etleva Bishën si nënkryetare të bashkisë. Ajo është ndër themelueset e FRESH-it dhe me një angazhim të gjatë në Partinë Socialiste.

Reagon Arbër Hajdari
Pas lajmit reagon edhe Arbër Hajdari. Ai shkruan: “Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë! Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri! Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota. Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”.


