
Këtë vit është rritur në rang global pasiguria e pronësisë për tokën dhe strehimin, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Në një artikull të publikuar nga Monitor.al, që i referohet raportit të këtij viti të Prindexm thuhet se afërsisht 1.1 miliardë të rritur në mbarë botën, që përfaqësojnë 23% të popullsisë globale, ndihen të pasigurt për të drejtat e tyre për pronë ose tokë. Ky perceptim është rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit.
Sa i përket Shqipërisë, ajo renditet e 5-ta në Europë, ku 20% e të rriturve në vend ndihen të pasigurt në lidhje me pronën dhe strehimin. 8% e të anketuarve në Shqipëri ndihen të pasigurt për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera të nevojshme për të jetuar në pronë. Ndërsa 7% ndihen të pasigurt nga frika se mos pronari apo qiradhënësi mund t’u kërkojë të largohen.
Në Evropë dhe Azinë Qendrore, pothuajse një në pesë të rritur (19%) raporton se ndihet i pasigurt. Presionet financiare, të tilla si rritja e kostove të qirasë dhe hipotekave, janë ndër kontribuuesit kryesorë të kësaj pasigurie në rritje në Europë. Në Europë, Turqia dhe Greqia kryesuan listën si vende me nivele të pasigurisë 35% ose më të larta. Pas tyre vjen Ukraina me 33%, me perceptimet e pasigurisë që janë rritur në mënyrë dramatike që nga pushtimi i Rusisë.
Për më shumë lexo artikullin origjinal të Monitor.al



