Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duke pritur rezultatet finale të zgjedhjeve parlamentare

Ali Ahmeti doli para publikut gjatë kohës që numëruesit e votave mbanin shënime. Në gjashtë minuta e gjysmë tha se kishte arritur një fitore absolute por shqetësimi në fytyrë i lexohej. Mund të cilësohej një lexim i gabuar nëse nuk do sigurohej nga rezultatet e mëpastajshme.

Më shumë deputetë ishin shënuar me lapsin e fitores por po ashtu kundërshtarët e tij politikë shqiptarë kishin konsoliduar pozitat, duke kaluar në numrin dyshifëror të mandateve. Plot 12 për Ziadin Selën e Afrim Gashin, përballë 15 të Ahmetit.

Skena politike në ndryshim. A do ta ketë më ekskluzivitetin Ahmeti në drejtimin e negociatave nën emrin e shqiptarëve për krijimin e qeverisë së re? Një status i paprekur kohë më parë kur BDI-ja ishte “Kalaja e Madhe”…

Mbështetësit e BDI-së duke festuar në pritje të rezultateve finale

22:47, drejt BDI-së

Afrim Gashi i Alternativës nuk gjen dot kohë që të përgjigjet shtruar një ditë para zgjedhjeve, po ashtu edhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Ali Ahmetin e BDI-së e gjen ditën e përballjes me shqiptarët para selisë së tij.

Aty, rreth orës 22:47 të së mërkurës së 15 korrikut përballesh me projeksione dritash, me shqiptarë që festojnë me daulle e dhjetra gazetarë që qëndrojnë për të raportuar.

Mediet e Greqisë dhe të Bullgarisë kanë vendosur që kësaj radhe, me gjasë që pas ndryshimit të emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut, të sjellin gazetarë e kameramanë. Papritur skena politike është bërë e rëndësishme për ta.

Dalja para medieve e kandidatit për kryeministër shqiptar, Naser Zyberi, përcillet me brohoritje e duartrokitje nga dashamirësit e mbledhur para selisë në Reçicë të Tetovës, teksa më të mëdha bëhen kur del Ali Ahmeti i shoqëruar nga eksponentët kyçë të partisë.

“Fitore absolute. 12-13 mandate. Mbi 100 mijë vota. Do jemi dalëzotës”, – është pak a shumë përmbledhja e gjithë deklaratës së tij.

Thuajse gjashtë minuta e gjysmë përdor edhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët dhe Afrim Gashi i Alternativës. Dy sfidantët e Ahmetit, të cilët ndeshin vështirësi për të artikuluar jo vetëm nga duartrokitjet por edhe nga muzika e “oponentëve”, shfaqen më të buzëqeshur.

“Koalicioni Tash është Koha është duke fituar. Përpara në Gostivar. Balancë në Tetovë. Rezultat i ngushtë me një përparësi që presim ta kemi. Ata që kanë mbushur kutitë, ai nuk është zëri i sovranit, atë zë ne nuk do ta pranojmë si rezultat përfundimtar.”-thanë përmbledhtas Sela dhe Gashi.

Para daulleve

Po të mos e dije që Maqedonia e Veriut kishte zgjedhje nuk do e kuptoje edhe aq lehtë nga ajo që shihje në rrugë.

Pak postera, shumë qetësi e një fushatë e zhvilluar kryesisht në virtualitet.

Mes posterash gjeje slogane nga “Mundemi”, te “Pse jo” dhe nga ana tjetër qëndronin edhe “Tash është koha” e “Vjen vera te dera”.

Garimi për 120 mandatet në parlament mes 15 partive politike nisi më 24 qershor dhe zgjati deri më 12 korrik.

Plotësisht në respektim të heshtjes zgjedhore zgjedhjet nisën që të hënën për të pamundurit dhe të sëmurët me Covid-19.

Në shkollën “Liri”, në afërsi së Komunës së Tetovës një nga vendvotimet e zonës zgjedhore 6, e cila prodhon numrin më të madh të deputetëve shqiptarë votimi nisi normalisht.

E karakterizuar nga pjesëmarrje më e ulët e votuesve, krahasuar me 5 zonat e tjera zgjedhore në gjithë Maqedoninë e Veriut, procesi në këtë vendvotim vazhdoi me kujdesin e dezinfektimit, vënien e maskës dhe mbajtjen e distancës.

Qendër votimi

Mirë kalkulimet, po investimet?

Përtej kalkulimeve të mëdha të politikës ka edhe nga ato të voglat, të cilat mund të çojnë edhe në pasoja të pafavorshme për partitë; humbjen e votuesve.

Dy të rinj shqiptarë nga Tetova tregojnë më shumë jo vetëm mbi llogaritjet e tyre por edhe për problematikat që ndeshen në Tetovë.

Sipas 23-vjeçarit Medi Selmani, qyteti i Tetovës përballet me shumë probleme e ndër më kryesoret ai vëren problemin e transportit rrugor, mes të cilave gropat e shumta e mungesat e parkingjeve për mjetet por një problem që duhet zgjidhur sa më shpejtë sipas tij është qartësimi i të dhënës se sa shqiptarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si qytetarë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut kërkojmë nga cilado parti që vjen në pushtet të investojë në pjesët ku jetojnë shqiptarët e të mos investojnë vetëm në pjesët ku jetojnë maqedonasit. Kurse problemi tjetër është numërimi i popullsisë. Ne jemi ndër vendet e rralla në botë që nuk e dimë se sa jemi si popullsi, sa shqiptarë, sa maqedonas, etj.” – thotë Selmani në mesazhin e tij.

I riu tjeter, Agron Dehari shkon më tej në deklaratën e tij. Dehari thekson se ka ardhur enkas për ta bërë votën e tij të pavlefshme. Sipas të riut, vota e tij nuk duhet të përdoret nga asnjëra prej partive politike.

Ai pohon se asnjëra prej partive nuk ka program frymëzues ndërsa shton se Teuta Arifi e BDI-së nuk ka bërë asnjë ndryshim në 7 vitet e saj në drejtim të Tetovës.

A do përfaqësohen shqiptarët përtej Shqipërisë më cilësisht këtë legjislaturë nga partitë politike shqiptare?

Agron Dehari

Beteja për polin e tretë

Zhvillimi më i rëndësishëm mbetet konfigurimi i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përballë BDI-së së Ali Ahmetit.

Koalicionet parazgjedhore dhe paszgjedhore, edhe nga parashikimet me të dhëna nga anketat e sondazhet mbeten çelësi i formimit të qeverisë.

A do të jetë në qeveri LSDM/ Besa me BDI-në? A do të jetë LSDM/Besa me Aleancën dhe Alternativën? Apo partitë shqiptare do i hedhin sytë nga VMRO/DPMNE? (sondazhet tregonin që LSDM/Besa del afër e afër me VMRO/DPMNE).

Pyetja kyçe është për cilën parti shqiptare do kenë nevojë partitë që do kryesojnë?

Ahmeti kritikohet për qëndrimet e gjata si parti kryesuese e shqiptarëve, pa ndikuar për përmirësimin e situatës së tyre dhe për një monopolizim të interesit shqiptar duke e përdorur në favor të interesit të tij politik, Gashi akuzohet nga Menduh Thaçi për financime të dyshimta nga Turqia dhe Irani.

A do të dojë partia kryesuese në Maqedoninë e Veriut një partner si Ahmeti me peshë më të madhe apo sfidantët më modestë si Sela dhe Gashi në rast se e formon edhe me këta të fundit qeverinë?!

Një situatë e ngjashme kjo, me Shqipërinë, ku LSI-ja ka luajtur rolin e polit të tretë (përveç zgjedhjeve të fundit).

A mund të bëhen bashkë gjithë partitë shqiptare? Askush nuk e synon seriozisht për sa kohë edhe po qenë bashkë nuk e bëjnë dot të vetëm qeverinë.

Megjithatë e konfirmuar mbetet ndryshimi i skenës politike mes partive shqiptare, ku ka humbur epërsia e BDI-së, ndërsa lufta mbetet mes saj dhe Aleancës për Shqiptarët/Alternativës për formimin e polit që përcakton qeverisjen në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesit e partive kryesore në Maqedoninë e Veriut: Zoran Zaev (LSDM), Emill Dimitriev (VMRO-DPMNE), Ziadin Sela (Aleanca për Shqiptarët), Ali Ahmeti (BDI)

Përgjigja e shqiptarëve

Rezultatet paraprake, të cilat po shkojnë drejt finalizimit tregojnë se shqiptarët e kanë rritur përfaqësimin në parlamentin e Maqedonisë së Veriut me 28 deputetë.

Numërimet e fundit rrisin përqindjet e votave të marra nga partitë shqiptare, teksa llogaritjet e deritanishme japin konfigurimin e 28 deputetëve, një shifër shumë më e madhe nga të dhënat e vetë shtabeve elektorale të partive disa minuta më parë.

BDI-ja e Ali Ahmetit merr deri më tani 15 mandate, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deputetë, PDSH e Menduh Thacit 1 mandat dhe E Majta një tjetër.

Shumë afër me njëra tjetrën, me një kryesim prej dy deputetësh është LSDM/Besa me 46 mandate, ndërsa VMRO-DPMNE me 44 mandate.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka 120 deputetë, ndërsa kanë mbetur pa u përpunuar të dhënat edhe për 21 vendvotimi, qendra që mund të sjellin ndryshime të vogla me plus minus 1 deputet për partitë shqiptare

Rritja e përfaqësimit të shqiptarëve rrit edhe pozicionin e tyre në negociata me koalicionin apo partinë fituese kryesuese.

Pyetja mbetet, Ahmeti apo Sela/Gashi do i drejtojnë negociatat? BDI-ja është e sigurt se do të jenë ata.

Festimet me flamuj dhe sirenat e makinave gjatë natës në Shkup

 

Valmora Gogo/ Kryeredaktore
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)