
Në një letër drejtuar “The Guardian”, Uran Ferizi kritikon “fiksimin” për demonizimin e shqiptarëve. Uran Ferizi, ambasadori shqiptar, thotë se demonizimi është ndjerë nga punëtorët, familjet dhe nxënësit e shkollave. Shqiptarët në Britani po paguajnë çmimin në shkolla dhe në vendet e punës duke u bërë “kokë turku” nga media e djathtë dhe politikanët, ka deklaruar ambasadori shqiptar. Uran Ferizi kritikoi gjithashtu Shabana Mahmood për komentet e saj në parlament, ku ajo veçoi shqiptarët gjatë diskutimeve për problemet me emigracionin. “Fiksimi për të demonizuar shqiptarët ka mbërritur deri në foltoren e parlamentit,” i tha ambasadori gazetës “The Guardian”. “Kur një ministër përmend një kombësi në parlament, në vend që të flasë për një sjellje apo një lloj të caktuar krimi, ai nuk përshkruan një problem, por krijon një shënjestër”.
Ferizi, i cili për herë të parë mbërriti në Britani si adoleshent duke hyrë fshehurazi në vend, përpara se katër vite më vonë të studionte matematikë në University of Oxford, përdori një letër drejtuar “The Guardian” për të kundërshtuar atë që e cilësoi si raportim të gabuar të statistikave nga “The Daily Telegraph” dhe media të tjera mbi përfshirjen e shqiptarëve në krimin në Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu kritikoi në mënyrë të tërthortë komentet e politikanëve me origjinë nga familje emigrante, përfshirë Mahmood, Suella Braverman dhe të tjerë. “Është veçanërisht dëshpëruese të shohësh politikanë që vetë janë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që kanë ardhur në Britani pas tyre,” tha ai.
Sipas ambasadorit, portretizimet negative të shqiptarëve në media dhe nga politikanët kanë ndikuar te komuniteti shqiptar, përfshirë punëtorët, familjet dhe nxënësit në shkolla. Në letrën e tij, ai shkruante se në shtypin britanik është krijuar një model ku statistika të përzgjedhura nxirren jashtë kontekstit dhe amplifikohen. “Oportunistë që vetëquhen ekspertë përhapin teori dhe shifra të shpikura për shqiptarët, veçanërisht kur afrohen zgjedhjet.” Ferizi përmendi një analizë të “Daily Telegraph” në vitin 2024, sipas së cilës një në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte në burg, norma më e lartë për çdo kombësi. Megjithatë, ai tha se kjo statistikë ishte përftuar përmes një procesi “që injoron procedurat më elementare për garantimin e saktësisë statistikore”.
“Nëse numri i shqiptarëve në burg llogaritet mbi bazën e numrit real të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, dhe jo vetëm mbi një nën-grup shumë të vogël të tyre, si dhe kontrollohet sipas gjinisë, moshës dhe të ardhurave, rezulton se shqiptarët burgosen me të njëjtën normë si britanikët e lindur në vend. Por kjo nuk përforcon paragjykimin se shqiptarët janë një grup jashtëzakonisht kriminal, ndaj edhe nuk publikohet.” Ambasadori e krahasoi “bërjen kokë turku” të shqiptarëve me përvojën e grupeve të mëparshme të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kjo u ndodhi hebrenjve, irlandezëve dhe polakëve. Çdo herë, narrativa pasqyronte më shumë ankthin e kohës sesa karakterin e vetë njerëzve,” tha ai. Referenca e ambasadorit ndaj Shabana Mahmood lidhej me komentet e saj në parlament në nëntor, kur ajo prezantoi plane të debatueshme për reformën më të madhe të ligjeve të azilit në 40 vitet e fundit. E pyetur nga deputetja laburiste Stella Creasy për ndikimin te fëmijët, sekretarja e Brendshme tha se duhej parë konteksti i “familjeve të dështuara azilkërkuese”. “Janë 700 familje shqiptare aktualisht që kanë bërë kërkesa për azil dhe kërkesat e tyre janë refuzuar,” tha ajo. Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar hezitonin të flisnin publikisht për përvojat e tyre negative, por ambasada i paraqiti “The Guardian” disa raste konkrete.
Mes tyre ishte një grua shqiptare e suksesshme në sektorin e teknologjisë, e cila hezitonte të shpërndante një postim në LinkedIn për një aktivitet shqiptar, pasi në ambiente pune ishin bërë komente se shqiptarët janë “kriminelë dhe të rrezikshëm”. Ajo dhe të tjerë thanë gjithashtu se kishin përjetuar diskriminim edhe në çështje promovimi në punë. Një tjetër grua tregoi se bashkëshorti i saj kishte marrë pjesë në një aktivitet pune me profesionistë të tjerë, ku u pyet për origjinën e tij.
“Ai tha se ishte shqiptar dhe gruaja që e pyeti u habit duke thënë: ‘Mendoja se të gjithë shqiptarët ishin kriminelë.’ Ai u ndje tmerrësisht keq, por u përpoq ta kalonte,” tha ajo. Ariseld Muca, i cili drejton një kompani mirëmbajtjeje pronash në Londër, shkroi në Instagram për përvojën e tij, ku klientët përmendnin vazhdimisht lajmet mbi “kriminelët shqiptarë”. “Si mund ta mbyll marrëveshjen kur klientët më pyesin nga jam dhe gjithçka që dëgjojnë në lajme është se kriminelët shqiptarë po pushtojnë Londrën?” tha ai.
Një zëdhënës i Home Office deklaroi: “Ne e vlerësojmë shumë komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe partneritetin tonë afatgjatë me qeverinë shqiptare për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe kriminalitetin. “Kushdo, pavarësisht kombësisë, që ndodhet ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar duhet ta ketë të qartë se do të deportohet sa më shpejt të jetë e mundur.” “The Daily Telegraph” është kontaktuar për koment.


