
Me publikimin e vendimit të plotë të Komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës, media të ndryshme e përkthyen gabim atë ç’ka komisioni kishte vendosur, duke thënë se kërkesa e opozitës ishte rrëzuar, maxhoranca kishte fituar dhe se deputetët e lirë nuk duhet të detyrohen të votojnë. Por, Gogo.al bëri një shqipërim të plotë të këtij vendimi dhe ajo që shkruhej në të ishte se vendimi për mandatin e deputetes Olta Xhaçka duhet të kalojë më parë në Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni i Venecias e argumentoi vendimin e tij duke thënë se Gjykata Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element të shtetit të së drejtës dhe duke shtuar se kjo përputhshmëri nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare.
Vendos Gjykata Kushtetuese
Pra thënë shkurt: Komisioni i Venecias thotë se Parlamenti duhet të miratojë vendimin në përputhje me gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e së cilës duhen zbatuar. Pjesë nga vendimi ku kjo gjë del në pah: “Përputhshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element i shtetit të së drejtës. Kjo përputhshmëri nuk duhet të kushtëzohet nga vota e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Kuvendit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim të përputhshëm me vendimin e Gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo gjithashtu për mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi, kështu, nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështjet që bien brenda kompetencës së tij.”
Zgjidhja – Dorëheqja ose heqja e mandatit
Ndër të tjera në vendim argumentohet se kur një person gjendet duke mbajtur dy funksione që janë të papajtueshme me njëri-tjetrin, kjo situatë mund të rregullohet nga vetë personi ose në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi në fjalë humbet mandatin. Në këtë rast është Xhaçka.
Pjesë nga vendimi: “Në përgjithësi, parimi i ndarjes së pushteteve shtetërore imponon që disa funksione të mos mbahen nga një person i vetëm njëkohësisht, duke siguruar kështu integritetin dhe funksionimin e duhur të secilit pushtet (legjislativ, ekzekutiv ose gjyqësor). Në disa nga këto raste, standardet ndërkombëtare parashikojnë një papajtueshmëri absolute (për shembull, të jesh deputet dhe njëkohësisht gjyqtar). Në raste të tjera, lejohet përjashtim (për shembull, një deputet mund të jetë pjesë e Qeverisë). Normalisht, kur një person gjendet duke mbajtur dy funksione që janë të papajtueshme me njëri-tjetrin, kjo situatë mund të rregullohet nga vetë personi – zakonisht duke zgjedhur njërën nga detyrat dhe duke përfunduar tjetrën. Megjithatë, në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi në fjalë humbet mandatin e tij ose të saj. Sa i përket procedurës për vendosjen e papajtueshmërisë, nuk ka standarde të qarta.” Komisioni thotë se mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme në këtë çështje.
Lexoni vendimin e plotë të shqipëruar:


