Shqipëria hyri në vitin 2025 me një popullsi më të plakur dhe emigracion që thellohet më tej. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane u rrit me 0,8 vjet brenda 1 viti duke arritur në 44,3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arritën në rreth -29 mijë persona. Popullsia ra në 11 qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shkodra pësoi tkurrjen më të madhe. Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorëve përpara vitit 2035. Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, përllogarisin institucionet ndërkombëtare

Nga Blerina Hoxha

Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorë përpara vitit 2035.

Të dhënat e reja zyrtare mbi popullsinë treguan se më 1 janar 2025, në vend jetojnë 2,36 milionë banorë, me rënie 1.8% nga Censi i vitit 2023.

Tkurrja me më shumë se 27 – 30 mijë banorë në vit, e përqendruar kryesisht te moshat e reja, rrezikon ta çojë treguesin e popullsisë përtej çdo skenari dhe gjithashtu i bën edhe më të vështira zgjidhjet.

Në vitin 2024, migracioni neto negativ u dyfishua krahasuar me një vit më parë me – 28,8 mijë persona nga -13,761 persona në vitin 2023.

Ky ritëm i largimit ka ndikuar jo vetëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë, por edhe në strukturën e saj demografike, pasi largohen më së shumti të rinjtë dhe familjet e reja.

Paralelisht me emigracionin, Shqipëria ka hyrë në një cikël të gjatë me lindshmëri shumë të ulët në 1.3 lindje për grua.

Kjo reflektohet në ulje të lehtë të raportit të varësisë së të rinjve, nga 23.9% në 2024, në 23.8% në 2025 dhe plakje e përshpejtuar e popullsisë, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve është rritur me 2.2 pikë përqindje ndërmjet 2023 dhe 2025. Shqipëria ka tani një nga popullsitë më të vjetra në Ballkan dhe Europë.

BURIMI: INSTAT

Mosha mediane e BE në janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri 44.3 vjeç, sipas të dhënave të fundit.

Pasojat kanë nisur të ndihen. Vendi ka më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës, ka më shumë të moshuar që dalin në pension.

Shkollat në zona të tëra rrezikojnë mbylljen për mungesë nxënësish dhe administrata dhe tregu i punës vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore.

Demografët dhe ekspertët e ekonomisë mendojnë se pa ndërhyrje të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të mbahet në funksion ekonomia, pensionet dhe kujdesi shëndetësor.

Për ekspertin Ilir Gëdeshi, i cili prej vitesh merret me zhvillimet demografike të vendit, duhen politika urgjente që të frenojnë emigracionin dhe të tjera që nxisin natalitetin në vend.

Lindjet nën kufirin 2,1 për grua bëjnë që çdo brez i ri të jetë 40% më i vogël se ai që del në pension, duke e vënë vendin përballë sfidës së ekzistencës në këtë shekull.

BURIMI: INSTAT

Binomi, ekonomi – plakje

Përqendrimi i emigracionit në moshat e reja ul drejtpërdrejt produktivitetin potencial sepse po largohet kapitali njerëzor me arsim dhe gjuhë të huaja, ndërsa rrit barrën e pensioneve për rezidentët që mbeten.

Jetëgjatësia më e lartë 80,9 vjeç për gratë dhe 75,3 vjeç për burrat ushtron më shumë presion mbi shpenzimet për pensione e shëndetësi, teksa vendi ynë edhe tani ka shpenzime publike për banorë sa 34% të mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, ritmi mesatar i rritjes ekonomike 2015 – 2024 është rreth 3.5% në vit, nuk është i mjaftueshëm për të ngushtuar hendekun me BE-në.

Struktura e ekonomisë dominohet nga sektorë me produktivitet të ulët si bujqësi fasoneri, ndërtim dhe turizëm sezonal. Financat publike dhe tregu i punës tashmë janë nën presion.

Për çdo vit varësia e të moshuarve ndaj forcës së punës rritet me 1 pikë për qind në vit dhe skema e pensioneve kërkon financime shtesë sa 0,2% të PBB-së në vit.

Ky material është pronësi intelektuale e “Monitor.al”

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11