
Shqipëria po shqyrtohet si një mundësi për të pritur refugjatët që Britania e Madhe do të transferojë, duke pasur parasysh që edhe Italia ka zbatuar tashmë një politikë të ngjashme. Ky hap po diskutohet si një mundësi për të zbutur krizën e emigracionit.
Plani i Qeverisë për të deportuar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” jashtë vendit po mbështetet nga agjencia për refugjatët e Kombeve të Bashkuara. Burime të brendshme e kanë përshkruar këtë lëvizje si “ndryshim loje” pas diskutimit të Sekretares së Brendshme, Yvette Cooper, për mundësinë e pagesës së vendeve në Ballkan për të pranuar azilkërkuesit e dështuar të Britanisë, gjatë një takimi me kreun e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR).
“The Times” raportoi se Qeveria është duke planifikuar hapjen e një sërë qendrave jashtë vendit për azilkërkuesit e refuzuar, Ballkani është propozuar më parë si një opsion. Burime sugjerojnë se Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut janë kontaktuar.
Një dokument i “UNHCR”-it që përcakton “nevojën për sisteme efektive kthimi dhe rolin potencial të qendrave të kthimit” ka treguar se kjo agjenci do të ofronte mbështetje për vende si Britania për të vendosur këto struktura, përderisa ato nuk bien ndesh me politikën e saj për mbrojtjen e refugjatëve.
Mbretëria e Bashkuar mund të ndjekë strategjinë e Italisë, e cila ka dy qendra në Shqipëri për të procesuar azilkërkuesit e kapur në Mesdhe. Marrëveshja synon t’i lejojë Italisë të outsource-ojë (t’i delegojë jashtë vendit) disa nga përgjegjësitë e saj për menaxhimin e migracionit në Shqipëri. “UNHCR”-ja ka deklaruar se në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, do të nevojiten mekanizma monitorimi në këto qendra për të siguruar që standardet e të drejtave të njeriut të respektohen “në mënyrë të besueshme”.
Një burim tha: “Kjo mund të jetë një ndryshim loje sepse do të na ndihmojë të kemi mbulesën e nevojshme ligjore kundër çdo sfide ligjore dhe gjithashtu do të na ndihmojë politikisht me deputetët tanë të krahut të majtë që mund të kenë rezerva.”
Një tjetër burim shtoi: “Ne po punojmë për një sërë zgjidhjesh për të trajtuar migracionin e paligjshëm, përfshirë bashkëpunimin me vende të BE-së dhe më gjerë në fushën e zbatimit të ligjit për të shkatërruar bandat kriminale që përfitojnë nga kalimet me varka të vogla.”
Kjo ndodh në një kohë kur numri rekord i migrantëve ka kaluar kufirin këtë vit, duke vënë më shumë presion mbi Britaninë për të procesuar refugjatët. Vetëm të premten, 51 refugjatë u morën në bord nga një anije e Forcave Kufitare dhe u zbarkuan në portin e Doverit. Ata u gjetën pas raportimeve për një emergjencë mjekësore që përfundoi me vdekjen e një migranti.
Chris Philp, sekretari i brendshëm, tha: “Kjo tregon se largimi i migrantëve të paligjshëm drejt vendeve jashtë Evropës po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga vendet e tjera. Mbretëria e Bashkuar mund të kishte qenë lidere në botë me skemën e saj të dëbimit drejt Ruandës, por Laburistët e anuluan atë para se të fillonte dhe tani në vitin 2025 kemi nivele rekord të kalimeve të paligjshme. Është e qartë që nevojitet një masë dëbimi për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. “UNHCR”-ja duket se më në fund po e kupton këtë, ashtu si edhe qeveria e re gjermane. E vetmja qeveri që po ecën në drejtimin e kundërt është e jona, sepse ajo drejtohet nga Keir Starmer, një avokat i dobët i të drejtave të njeriut.”
Shënim ky shkrim është pronësi intelektuale e “The Telegraph”.


