Shqipëria vijon të përballet gjatë këtyre ditëve me një situatë të vështirë për shkak të zjarreve të shumta që kanë përfshirë territorin. Temperaturat e larta, era dhe terreni i thyer kanë favorizuar përhapjen e flakëve në shumë zona malore dhe pyjore, duke vënë në vështirësi strukturat e emergjencës dhe zjarrfikësit në disa qarqe të vendit. Gjithashtu, janë regjistruar raste të zjarrvënieve të qëllimshme, për të cilat Policia e Shtetit ka ndërhyrë dhe ka marrë masa. Vetëm gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur dhe proceduar penalisht 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në qarqe si Tirana, Saranda, Gjirokastra, Kurbini, Dibra, Vlora dhe qytete të tjera.
Sipas raportit më të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë evidentuar 45 vatra zjarri, prej të cilave 21 mbeten ende aktive, 16 ndodhen nën monitorim dhe 8 janë konsideruar të fikura. Vëmendje e veçantë i është kushtuar vatrave në zonën e “Liqenit të Luleve” brenda Parkut Kombëtar të Lurës, në Qafë Buall (bashkia Bulqizë), Majën e Paliskës pranë Dukatit në Vlorë, si dhe në fshatrat Kalasëvergo dhe Ploç në Delvinë.

Zonat më të prekura

Qarku i Dibrës po rezulton një ndër më problematikët, jo vetëm për shkak të sipërfaqes së madhe të përfshirë nga flakët, por edhe për vështirësinë e terrenit dhe erërat e forta që e bëjnë të vështirë ndërhyrjen. Një nga vatrat më problrmatik në këtë qark ndodhet në Lurë, ku zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha pyjore në një zonë me rëndësi ekologjike dhe e vështirë për akses nga toka. Në këtë zonë po punohet intensivisht nga toka me njësi të specializuara, ndërkohë që monitorimi ajror ka identifikuar disa linja përhapjeje të rrezikshme që kërkojnë ndërhyrje të koordinuar.


Në Dukat, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, zjarri po rrezikon pasuri të rralla natyrore, ndërsa në Delvinë forcat zjarrfikëse po punojnë për të ndalur përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Në këtë bashki, zjarret kanë përfshirë fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, duke detyruar evakuimin e banorëve me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes. Janë raportuar mbi 40 banesa të dëmtuara, nga të cilat tetë të banuara, si dhe dëme të mëdha në pemëtari, bagëti dhe infrastrukturë. Një zyrtar policie është shtruar në spital për asfiksim, ndërsa pesë persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në zonën e Senicës janë djegur katër banesa dhe qindra pemë frutore, ndërsa kisha e Shën Dhimitrit, një monument i rrallë kulture, është shkrumbuar plotësisht.


Përpjekjet për menaxhimin e situatës

Megjithatë, falë ndërhyrjes së strukturave shtetërore dhe vullnetarëve, janë neutralizuar mbi 20 vatra zjarri në zona si Shkodër, Berat, Fier dhe Dibër. Puna e zjarrfikësve ka qenë e jashtëzakonshme, shpesh në kushte ekstreme dhe pa infrastrukturën e duhur, por është arritur të shmanget përhapja e flakëve në zona të banuara apo me rrezik të lartë për jetën dhe pronën.
Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura, shërbimi zjarrfikës dhe strukturat e emergjencës civile vijojnë të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të evidentuar dhe ndërhyrë në çdo rast të rrezikshëm. Ndihmë të veçantë kanë dhënë edhe dronët ushtarakë Bayraktar, të cilët po përdoren për të monitoruar nga ajri përmasat e zjarreve në terrene të paarritshme. Vetë ministri Pirro Vengu ka ndarë pamje me qytetarët, duke treguar sesi dronët monitorojnë pjesë të ndryshme të territorit shqiptar në kohë reale.

Ligji i ri kundër zjarrvënësve

Përballë situatës së përsëritur me zjarrvënie të qëllimshme, qeveria ka përfshirë në draftin e ri të Kodit Penal dispozita më të ashpra për autorët e këtyre veprave. Sipas projektligjit të publikuar për konsultim publik, zjarrvënia në mënyrë të qëllimshme në pyje ose toka bujqësore që shkakton dëme të mëdha ndaj pronës apo rrezikon jetën e njerëzve, do të dënohet me deri në 15 vite burg, në varësi të pasojave.
Shqipëria, sërish në hartën e kuqe të zjarreve në Ballkan
Pavarësisht përpjekjeve dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar, Shqipëria nuk i ka shpëtuar kësaj vere rrezikut të madh nga zjarret. Qindra hektarë pyje, banesa dhe pasuri natyrore janë prekur, ndërsa rreziku për jetën e njerëzve ka qenë konstant. Autoritetet apelojnë për ndërgjegjësim, bashkëpunim dhe përgjegjësi, duke paralajmëruar se ligji i ri do të ndëshkojë ashpër çdo akt zjarrvënieje.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14