
Prej disa kohësh gazetari Osman Stafa ka denoncuar situatën në pavionin e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza’ në Tiranë, ku prej disa muajsh mungojnë barnat me të cilat mjekohen pacientët që vuajnë nga tumoret e ndryshme, apo kanceri. Stafa thotë se shumë pacientë po detyrohen të kërkojnë ilaçet jetësore në vende si Kosova dhe Greqia, pasi ato nuk janë të disponueshme në Shqipëri. Ai e cilëson këtë situatë si një “krim” dhe “vrasje” ndaj pacientëve. Mungesa e shtretërve dhe pajisjeve për radioterapi janë po ashtu një tjetër problem që gazetari ka vënë në dukje vazhdimisht.
“Kam siguruar komunikimet e përditshme të 5 viteve të fundit të mjekëve të Onkologjikut, ku tregohen se çfarë kanë hequr pacientët që janë përballur me këtë spital, për të luftuar kancerin. Kjo më poshtë është vetëm një pjesëz e një realiteti të hidhur e tmerrues. Mungesa e medikamenteve kimio që prej 2019-ës e deri më tani është e frikshme.”– deklaron Stafa, i cili ka publikuar vazhdimisht bisedat mes mjekëve dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të Onkologjikut, ku del në pah mungesa e një sërë ilaçesh të rëndësishme për kimioterapitë. Gazetari thotë se në Onkologjik, ka gjithashtu reduktim të dozës së mjekimit për shkak të mungesave dhe se mjekëve u është kërkuar, se edhe sikur të mbarojnë të gjitha ilaçet, në korridoret e spitalit, ata duhet të jenë të buzëqeshur.

Kjo çështje u risoll në vëmendje në seancën plenare të datës 12 Shtator nga deputeti Agron Shehaj, i cili gjatë fjalës së tij e akuzoi Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiun se po qeshte dhe po tallej kur ai fliste. Shehaj e quan kriminale situatën që po ndodh tek Onkologjiku dhe thekson se shëndetësia është Ministria ku vidhet më së shumti.
“Nuk ka për të buzëqeshur zonja ministre, po flas për ilaçet që mungojnë tek Onkologjiku. Janë komunikimet e mjekëve, e kuptoni që kjo është kriminale?! Shëndetësia është ministria ku vidhet më shumë, qindra miliona euro keni harxhuar me PPP. Dera e mbyllur tek Onkologjiku është e mbyllur se s’ka ilaçe, jo se s’ka mjekë”- tha Shehaj duke e bërtitur më zë të lartë situatën te Onkologjiku.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja Albana Vokshi, e cila theksoi se qeveria po i trajton mjekët qeveria si armiq, teksa u ndal dhe tek kushtet minimale në spital.
“Jodi radioaktiv ka 10 muaj që mungon. Për muaj me radhë mungojnë medikamentet. Në spitale nuk punojnë aparaturat. Të sëmurët nuk kanë marrë terapi për 2 vite. Ajo që po ndodh te Onkologjiku është krim në masë dhe ftoj SPAK që të hetojë në mënyrë profesionale.”– tha Vokshi gjatë fjalimit të saj.

I vetmi që reagoi nga mazhoranca në lidhje më këtë situatë ishte Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Toni Gogu që theksoi se në këtë aspekt qeveria ka dështuar dhe se nuk ka më arsye për të vonuar ndryshimet ligjore.
“Ndryshimet që ne propozojmë nuk janë rregullore abstrakte, ato janë përgjigje ndaj dhimbjes dhe tradhtisë së përjetuar nga këta qytetarë. Kur pacientët që tashmë po luftojnë për jetën e tyre përballen me sisteme korruptive dhe praktika shfrytëzuese, bëhet e qartë se ne kemi dështuar në mënyrën më themelore. Dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që dështime të tilla të mos ndodhin më kurrë.”- u shpreh Gogu.

Ndërkaq mesa duket Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e ka anashkaluar situatën në spitalin e Onkologjikut duke mos folur për këtë, por është ndalur në prezantimin e ndryshimeve në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”. Po ashtu, Koçiu bëri të ditur se drejtuesve të spitaleve publike të çdo niveli që të jenë u ndalohet që të jenë drejtues të klinikave shëndetësore private.
“Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Gjithashtu, do të miratohet edhe Kodi i ri i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale. Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut”– tha ministrja në Kuvend.
Disa muaj më parë, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për 7 mjekë, të cilët akuzohen se i dërgonin pacientët në klinikat e tyre private, pasi ata paraqiteshin për të marrë shërbim në këtë pavion dhe ky rast shkaktoi një seri protestash. E disa muaj më vonë, situata tek ky pavion nuk duket të jetë përmirësuar. Të paktën sipas denoncimeve të gazetarit Osman Stafa, ka një sërë ilaçe jetike që mungojnë prej muajsh.


