
Protesta kombëtare e njohur si “Revolucioni Flamingo” vijon në ditën 77-të, me pjesëmarrjen masive të Diasporës, të cilët e nisën marshimin nga “Stacioni i Trenit në Tiranë drejt sheshit “Skënderbej”, me pikëtakim final përpara Kryeministrisë. Korrupsioni në nivele të larta shtetërore, centralizimi i zhvillimit vetëm në zonat urbane, mungesa e meritokracisë, varfëria, niveli i ulët shëndetësor dhe arsimor janë disa nga arsyet kryesore, për të cilat qytetarët shqiptarë protestojnë për më shumë se 2 muaj.
Një veçanti e kësaj proteste ka qenë pjesëmarrja masive e prindërve, bashkë me fëmijët e tyre të vegjël, ku edhe sot një emigrant shqiptar në Gjermani mori pjesë më djalin e tij të mitur, duke pohuar se proteston që fëmijët e tij të kenë mundësi të mirë, për t’u rikthyer në atdhe.
“Jetoj në Gjermani dhe fëmijët e mi kanë lindur në atje. Unë shpresoj që fëmijët e mi të kenë mundësi të jetojnë këtu në një shtet normal” Me pankarta “Tirana po na frymëzon, Parisi është me ju” protestuesit e Diasporës vlerësojnë faktin që qytetarët vranë frikën dhe protestojnë për një Shqipëri më të mirë. “Sot është detyra jonë dhe nga ky shesh do të nisë kthimi i shpresës për të gjithë shqiptarët. Ne e kemi vrarë frikën dhe ata nuk na trembin më me asgjë. Shqipërinë e re do e bëjmë pa kriminelë e trafikantë, por me mbarë shqiptarë me vlera e ideale”, tha një prej protestuesve.
Teksa u ndal te keqqeverisja dhe niveli i lartë i kriminalitetit, aktivistja Sidorela Vatnikaj tha në foltoren përballë Kryeministrisë se kërkojë që sundimtari i vetëm i Shqipërisë të jetë ligji. “Duam që sundimtari i vetëm në Shqipërisë të jetë ligji dhe e drejta, jo krimi i organizuar dhe politikanët e korruptuar. Jemi këtu sepse kemi gjetur besimin te njëri-tjetri. I vetmi garant që nuk do të vijë një autokrat një trafikant, jemi vetë ne. Nuk mund të na sundojnë më as hajdutët, as oligarkia e as krimi”, tha Vatnikaj.
Një qytetar me aftësi ndryshe mori fjalën gjatë protestës, duke u shprehur se qeveria shpenzon shuma marramendëse parash për projekte, ndërsa për njerëzit në nevojë vëmendja është e ulët.


Me thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg” një protestues u shpreh i zhgënjyer nga të dyja kahet politike, duke iu bërë thirrje socialistëve për vetëdijësim, ndërsa opozitës për demokratizim. “I bëj thirrje grupit të socialistëve, nëse kanë ndërgjegje të gjithë socialistët e ndershëm t’i vënë gishtin kokës para se t’i japin votën kësaj bande. Opozita duhet të demokratizohet, të hapë dyert të marrë njerëz më të mirë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe Diasporën që është nderi dhe dinjiteti i Shqipërisë. Do i lutesha grupit organizator që t’i hapin dyert Diasporës sepse ka njerëz me dinjitet. Diaspora propozon regjistrin e transparencës. Rama ka vetëm një rrugë dhe rruga quhet SPAK”, tha ai.
Një pjesëmarrje të lartë gjatë kësaj proteste patën emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët thanë se SHBA ka bursën që kontrollon financat e botës, por Tirana ofron bursën e korrupsionit, krimit të organizuar të të narkotrafikut.
“Ata që nuk vinin në shkollë i shoh drejtorë në administratë. Ne duam të vijmë në Shqipëri, por kjo realizohet duke rrëzuar sistemin, Ramën dhe Berishën. Çlirimi i Shqipërisë nga sistemi berishist e ramist na bashkon”, tha ai. Një shqiptar nga Maqedonia e Veriut tha se i është bashkuar protestës, për t’i kërkuar shtetit amë më shumë vëmendje ndaj popullit përtej kufijve, duke vënë theksin te kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe në institucione.

“Protestoj për të folur dhe për të shkruar gjuhën shqipe. Shqipëria e ka detyrim ligjor të plotësojë nevojat jetike të popullit të saj anekënd botës”, tha ai. “Europa dhe Amerika duhet të na dëgjojnë sepse këtë vend e bënë shkrumb e hi”. Kështu u shpreh një protestuese teksa mori fjalën në podiumin e ngritur para Kryeministrisë, duke shtuar se vendi ka nevojë për mirëqenie, për zhvillim dhe për një gjak të ri për ta drejtuar. Pas mbylljes së fjalimeve, qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës, me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Shqipëria kërkon revolucion”.



