
U deshën dhjetëra skandale me ushqime të kontaminuara të cilat u shitën në tregun shqiptar, që qeveria të mendojë të shkrijë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoriatet e ushqimit, duke krijuar një institucion të vetëm që do të menaxhojë politikat për peshkimin, bimët dhe produktet e kafshëve.
Por sa do të funksionojë ky plan? A është ky një plan i mirëmenduar i Denaj-t apo lidhet kjo me nevojën e besueshmërisë të qytetarëve, duke qënë se jemi në prag zgjedhjesh?
“AKU-ja do të shkrihet dhe do të bashkohet me të gjitha inspektoratet e ushqimit. Të gjitha do të krijojnë një institucion që do të zbatojë politikat e tij, për peshkimin, për bimët, produktet e kafshëve dhe nuk do të varen nga një drejtor i përgjithshëm, as nga ministri, por nga një sistem i tërë, sepse nuk mund të menaxhojmë vetëm me njerëz, por nga tre nivele monitorimi.”– tha Denaj gjatë një interviste në emisionin “Të paekspozuarit”.
Por pse u deshën dhjetëra skandale që të vendosej shkrirja e AKU-së?
Ishte skandali i fundit që u zbulua se 27 ton të produktit fileto pule rezultuan me salmonelë, që bëri ministren Denaj të vërë në zbatim planin e saj në sirtar, që mesa duket qënka shkrirja e AKU-së. (Lexo KËTU mbi skandalin e filetove të pulës.)
Por ky nuk është rasti i vetëm, më herët tonelata me manderina të dërguara nga Shqipëria në Kroaci u konstatuan me pesticide, dhe u bllokuan në doganë nga autoritet e huaj. (Lexo KËTU mbi skandalin me manderinat).


