
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkëlqen në daljet e saj publike në SHBA, ku ka treguar njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Fjalimet e saj të qarta, të rrjedhshme dhe me ton profesional kanë bërë që mesazhet të kuptohen lehtë nga publiku ndërkombëtar, duke rritur kështu profilin e Kosovës dhe imazhin e saj si udhëheqëse e vendit. Gjatë vizitës, Osmani dha edhe një intervistë për një televizion amerikan, ku komunikoi në anglisht me lehtësi dhe siguri.
Video credits: Fox News, Vjosa Osmani
Në këtë intervistë ajo dërgoi mesazhe të forta për paqen dhe stabilitetin në rajon, ku tha se Kosova është e vendosur të shikojë drejt së ardhmes, ndonëse në Serbi ende ka forca që kërkojnë të mbeten peng i së shkuarës. “Në Serbi ka akoma njerëz që duan të ndjekin të shkuarën, ndërsa ne duam të shikojme përpara. Ne jemi një shtet ku çdo gjeneratë përveç fëmijëve tanë e kanë përjetuar luftën dhe tani fëmijët mund të flejnë të qetë pa zërin e armëve dhe frikën që ne duhet të kalonim.”-tha Osmani.

Osmani nuk la pa treguar edhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia gjatë viteve të fundit dhe rolin e SHBA-së në parandalimin e krizave më të mëdha. “Ne kemi një fqinj i cili dëshiron të krijojë konflikte hera herës, ku në të kaluarën ka krijuar shumë probleme në Ballkanin Perëndimor”-tha ajo. Në mbyllje të fjalës së saj, presidentja e Kosovës nënvizoi rëndësinë e miqësisë së përhershme me SHBA-në, duke shtuar se Amerika gjithmonë mund të mbështetet tek Republika e Kosovës si një aleat dhe partner i besueshëm.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mbajti gjithashtu dhe një fjalim në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane, një moment gjithashtu i rëndësishëm, ku foli për rrugëtimin historik të Kosovës nga lufta për mbijetesë në liri, si dhe rolin e rëndësishëm të SHBA-së dhe Natos në çlirimin e Kosovës. “Në orët më të errëta, Amerika qëndroi me ne. Ishin ushtarët amerikanë bashkë me vendet aleate të NATO-s, që dëshpërimin në Kosovë e kthyen në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri”, -u shpreh Osmani.


Në fjalimin e saj presidentja solli në kujtesë përjetimet personale gjatë luftës, momente të cilat kanë mbetur plagë të hapura për çdo qytetar të Kosovës, duke treguar një kombinim të fuqishëm të emocioneve dhe profesionalizmit. “Isha një vajzë e re kur Kosova po përballej me një luftë gjenocidale të Millosheviçit. Ishte një kohë kur ne po detyroheshim të largoheshim nga shtëpitë tona, kur më të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë, dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht në luftë dhe konflikt”, -u shpreh presidentja. Në fund të fjalimit, ajo shprehu edhe një herë falënderimin e saj ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.





