
Diella, ministrja e Shtetit e prezantuar nga Rama nuk është më “e preferuara” e takimeve të tij. Çudia 3 ditë zgjati. Ajo erdhi si një risi, me bujë për të bërë transparencë të plotë në procedurat e prokurimeve publike. Në një nga podkastet e veta kreu i qeverisë, Rama e quajti Diellën “një histori suksesi” e cila sipas tij kishte bërë shumë për imazhin e Shqipërisë në Botë.

“Politiko” në një artikull të datës 11 shtator, 2025 shkruajti në orët e para të prezantimit: “Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ka një ministër të AI-së, jo një ministër për AI-në, por një ministër virtual të bërë nga pikselë dhe kod dhe të mundësuar nga inteligjenca artificiale.” Duke cituar Ramën, gazeta shkruan se: “Emri i saj është Diella, që do të thotë diell në shqip, dhe ajo do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike”. Sipas “Politiko” na ishte menduar madje edhe një kryeministër me AI, po ardhja e Diellës ishte me e shpejtë nga ç’e mendonin.
“Mund të duket si një ide e çuditshme, madje futuriste, por emri Diella kap kuptimin e plotë të kësaj zgjedhjeje: diell, qartësi, transparencë… Shqipëria është, në fakt, një nga vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit në Ballkan, një problem endemik që prek veçanërisht sektorin e prokurimit publik. Dhe është pikërisht në emër të transparencës që ka mbërritur “shërbëtori i administratës publike”, siç e quajnë ata, Diella” -kështu shkruan “Corriere della sera” e cila thekson se: “Diella, është ministrja e parë me Inteligjencë Artificiale, do të luftojë korrupsionin në prokurimin publik të Shqipërisë”.
Nëntitulli i shkrimit të “The Guardian” citon kryeministrin Rama kur thotë se: “Asistentja digjitale Diella do ta bëjë Shqipërinë “një vend ku tenderat publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”.

Si u harrua Diella
“Ministrja e parë me Inteligjencë Artificiale në botë dhe paradoksi i korrupsionit në Shqipëri”, gazeta “The New York Times” nuk e kursen kritikën, duke ia zbehur shkëlqimin Diellës. Kostumi popullor i ministres nuk po u hyn më në sy medieve të huaja. “The New York Times” evidenton paradoksin ku drejtuesit e agjencisë shtetërore që krijoi Diellën janë vënë nën hetim për manipulim të tenderave publikë. “Prokurorët e një njësie të posaçme hetimore kanë vendosur muajin e kaluar në arrest shtëpiak drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit dhe zëvendësin e saj, të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale që dyshohet se ka manipuluar aplikimet për kontrata publike përmes intimidimit. Agjencia administron edhe infrastrukturën digjitale shtetërore, përfshirë vetë Diellën.”-sqaron gazeta.
“Libération” në Francë vëren se: “Ata që krijuan ‘Diellën’ përballen më një skandal korrupsioni! Të dyshuarit lidhen me një “grup kriminal të strukturuar”. Lidhur me komentet “Libération” për korrupsionin, media shton se: “Një raport i Komisionit Europian, i publikuar në nëntor, vlerësoi “disa përparime” të Shqipërisë në këtë fushë, ekspertët europianë theksojnë se korrupsioni mbetet ende “gjerësisht i përhapur” në vend”.


