Nga Enver Robelli

Si vdes demokracia? Shembulli i Rumanisë na tregon këtë në mënyrën më të frikshme… Klasa politike e përbërë nga partitë e etabluara dhe të njohura me etiketa asgjëthënëse si “socialdemokrate” dhe “konservatore”, keqpërdor pushtetin, zhytet në korrupsion, politizon drejtësinë, instrumentalizon shërbimet sekrete dhe i toleron ato të sillen si shtet brenda shtetit në betejën për kontroll të pushtetit, fondeve, resurseve.

Një ditë populli e humb krejt besimin në partitë e etabluara dhe i beson një popullisti të djathtë me simpati për teori konspiracioni, i cili kërkon që perëndimi t’ia ndalë ndihmat Ukrainës dhe e lavdëron Vlladimir Putinin. Fshatarët rumunë thonë: as që e kemi ditur se për kë po votojmë, me rëndësi: një votë kundër partive që e kanë vjedhur Rumaninë. Kjo ndodhi në nëntor të vitit të kaluar. Skena politike rumune u trondit. Brukseli u alarmua.

Pastaj drejtësia rumune i anuloi zgjedhjet presidenciale – mes tjerash për shkak të, siç u tha, rolit të Rusisë në fushatën elektorale. Përsëritja e zgjedhjeve u caktua për datën 4 maj. Popullistit Călin Georgescu, i cili doli i parë në zgjedhjet e nëntorit, iu ndalua kandidimi. Në vend të tij hyri në garë George Simion. Edhe ky popullist. Edhe ky doli i pari në raundin e parë, më 4 maj. Votuesit sërish nuk i besuan partive të etaluara dhe kandidatëve të tyre. I besuan popullistit George Simion.

Një politolog rumun i tha këto ditë një gazete zvicerane: “Jemi shoqëri orale, shoqëri joletrare. Numri i lexuesve të gazetave është i ngjashëm me vitin 1915, një vazhdimësi e habitshme”. Njëkohësisht Rumania është vendi me depërtimin më të thellë të TikTokut në Europë. Kjo është fatale: nëse në vitin 2025 në një vend lexojnë informata cilësore po aq njerëz sa më 1915, atëherë fati i një shoqërie bie pre e algoritmeve të TikTokut dhe “mjeshtërve” të paskrupullt për gjenerim klikimesh.

Më 18 maj mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Rumani. Gara është e hapur, popullisti George Simion është favorit. Kundërshtar i tij do të jetë Nicusor Dan, kryetar jopartiak i Bukureshtit.

Shembulli i Rumanisë duhet të alarmojë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Nëse një klasë politike plaçkit në vazhdimësi vendin dhe nëse zgjedhësit nuk shohin dallim mes partive, nëse kompeticioni i vetëm është kompeticioni i korrupsionit, atëherë një ditë zgjedhësit bëhen (i)racionalë dhe përkrahin eksperimente politike, për shembull duke ia besuar fatin e vendit politikanëve që nuk kanë haber për politikë, por talent kriminal për të manipuluar dhe premtuar zgjidhje të shpejta. Kush merret me politikë, me “Respublica”, pra me punët publike, duhet të ketë parasysh sidomos një gjë: kredibilitetin. Humbet lehtë, fitohet vështirë. Veçanërisht kur elita korruptohet dhe në konkurrencë hyn antielita e recetave të thjeshta.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13