
Presidenti amerikan është i vendosur për të mos hequr dorë nga Groenlanda. “Daily Mail” raporton se ai u ka dhënë udhër komandantëve të hartojnë panin e marrjes së Groenlandës. Ky veprim përveç konfliktit, sjell edhe një krizë për NATO-n. Në deklaratat e heshme të Trumpit, është folur për shqetësime mbi sigurinë dhe nevojën për të penguar Kinën dhe Rusinë. Edhe brenda SHBA-ve ka patur polemika. “Daily Mail” shkruan për mosdakortësi mes shefave të Përbashkët të Shtabit dhe Trumpit për strategjitë e kërkuara për të ndërhyrë ushtarakisht në Groenlandë me argumentin se ky veprim është i paligjshëm dhe nuk do gjentë mbështetje në Kongres. Amerikanët synojnë të përshpejtojnë hapat drejt Groenlandës para se të veprojë Kina apo Rusia.

Trump nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi në deklarat e tij të fundit për synimet që ka për ta zotëruar Groenlandën. Në daljen e tij më të re nga Shtëpia e Bardhë për gazetarët ai tha se: “Do doja një marrëveshje, që do të ishte mënyra më e lehtë, por nëse nuk do ta arrijmë, do të përdorim mënyrën e rëndë”. Ai i është drejtuar me një mesazh direkt Danimarkës duke dhënë argumentet se pse këmbëngul në këtë çështje: “Jam adhurues i Danimarkës, por fakti që ata kanë zbarkuar me varka atje para 500 vitesh nuk do të thotë se është toka e tyre. E duam Groenlandën, sepse nëse hedh një vështrim rreth e qark saj tani, aty ka anije lufte ruse e kineze. Ka nëndetëse ruse kudo dhe ne nuk do të lejojmë që Rusia dhe Kina të pushtojnë Groenlandën”,-shprehet ai. Groenlanda mund të kthehet në një fuçi baruti mes SHBA-ve, Kinës e Rusisë duke shënuar një kthesë të fortë gjeopolitike në botë. Sipas “Reuters” krahas një pushtimi të mundshëm, sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio ka dhënë edhe alternativën e blerjes së ishullit. Deri tani përmes një marrëveshjeje me Danimarkën, SHBA-të kanë akses ushtarak në ishull, ndërsa vetë banorët kundërshtojnë futjen e SHBA-ve.

“The Guardian” shkruan se banorët e Groenlandës kanë protestuar me pankarta ku shkruhej se nuk donin të bëheshin amerikanë. Ata kërkojnë të vendosin vetë për të ardhmen e ishullit arktik. Udhëheqësit e pesë partive politike në parlamentin groenlandez kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pasi presidenti amerikan ripërsëriti kërcënimet për të marrë ishullin e pasur me minerale. “Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, ne duam të jemi groenlandezë”. Në mes të protestuesve ishte edhe kryeministri i ishullit, Jens-Frederik Nielsen. “E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga groenlandezët”-tha ai. “Asnjë vend tjetër nuk mund të ndërhyjë. Ne duhet të vendosim vetë për të ardhmen e vendit tone, pa presion për të marrë një vendim të nxituar, pa zvarritje, dhe pa ndërhyrje nga vendet e tjera.”

Trump marrjen e ishullit e quan si një shpëtim për Groenlandën nga Kina e Rusia: “Ne nuk do të lejojmë që Rusia ose Kina të pushtojnë Groenlandën. Kjo është ajo që do të bëjnë nëse ne nuk veprojmë. Pra, ne do të bëjmë diçka me Groenlandën, ose në mënyrën e mirë, ose në mënyrën më të vështirë,” u tha ai gazetarëve.
Udhëheqësit europianë, përfshirë ata në Francë dhe Gjermani, kanë njoftuar se po punojnë për një plan në rast se Shtetet e Bashkuara e çojnë deri në fund kërcënimin për të marrë kontrollin e Groenlandës, ndërsa tensionet po rriten. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha për radion franceze “France Inter” se nëse do ketë një reagim kundër SHBA-ve , kjo duhet bërë njëzëri nga të gjitha vendet. Sipas “Belfercenter”, Greenlanda është ishulli më i madh në botë, në kontinentin e Amerikës së Veriut, autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me popullsi kryesisht inuitësh. Ajo ka parlament dhe qeveri të vetën, por Mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën Danimarkë. Në faqen zyrtare të Parlamentit Europoan shkruhet se për nga rëndësia gjeografike, Groenlanda është e favorizuar pasi ndodhet afër rrethit Arktik, ku sipas të dhënave të fundit blloqet e akullit të shkrirë, po hapin rrugë të reja detare, është strategjike për sigurinë ushtarake, veçanërisht për SHBA dhe NATO dhe ka burime të reja të pazbuluara plotësisht me mineral të rrallla dhe burime nafte e gazi.



