Gazetare: Dafina Lata dhe Jona Kaso

Stigmatizimi në shoqëri, mostrajtimi adekuat në institucionet shëndetësore shtetërore dhe mungesa e hapësirave për të gjetur një vend pune, janë vetëm disa prej problemeve, me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri e Kosovë.

Të dhëna e grumbulluara në Shqipëri e Kosovë tregojnë se institucionet publike nuk ju ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore, e madje në shumë prej objekteve të institucioneve publike as nuk është ofruar mundësia për qasje fizike nga këta persona.

Rrëfimet e personave me aftësi të kufizuara tregojnë për sfidat që kanë ata për të siguruar një vend pune apo për të përfunduar studimet.

47-vjeçarja nga Fushë Kosova, Metie Kastrati ka treguar se si është shtyrë të braktisë studimet në Fakultetin e Edukimit, drejtim që e kishte ëndërruar, për shkak të stigmës që kishte patur.

Edhe pse nuk kishte mundësi të diplomohet si mësuese, ajo nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkojë punë me nivelin e shkollimit të mesëm.

Padrejtësitë në konkurse

Ajo pretendon se iu bë e padrejtë në një konkurs që kishte aplikuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte hapur më 4 gusht të vitit 2022 për pozicionin “zyrtar administrative”, për gjithsej 50 pozicione, ka treguar zonja Metie Kastrati.

Metia thotë se në këtë proces të rekrutimit 533 kandidatë e kishin kaluar testin me shkrim, e ajo ishte e renditur e 135-ta në mesin e tyre. Por, jo gjithçka shkoi mirë për të kur erdhi koha për intervistën me gojë. “Në intervistën me gojë u përgjigja në të gjitha pyetjet e komisionit dhe në fund të intervistës e ceka, se jam Person me Aftësi Fizike të Kufizuara por pozita për të cilën kam aplikuar është e përshtatshme për aftësitë e mia, sepse kisha përvojë pune si zyrtare administrative. Megjithatë, nuk u pranova në punë”, ka treguar Metie Kastrati.

Ajo thotë se nuk po zbatohet ligji për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Unë nuk u pranova në punë edhe pse vitin 2022 kryeministri i Kosovës e shpalli si viti i Personave me Aftësi të Kufizuara dhe është premtuar do të zbatohen ligjet, i cili thotë se në çdo 50 të punësuar duhet të jetë një Person me Aftësi të Kufizuar”, tha Kastrati.

Fillimisht kishte bërë ankesë në MPB e më pas edhe në gjykatë.

“Unë njëherë e kam bërë një ankesë në MPB, por prapë më thanë që nuk i ke arritur pikët e nevojshme, prandaj vendosa që të bëj një padi në gjykatë”, tha Kastrati.

Për këtë padi, kemi kërkuar përgjigje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, ka njoftuar se lidhur me lëndën në fjalë, gjyqtarja me datë 20.02.2024 ka marr aktvendim lidhur me jokompetencën dhe lënda ka kaluar në divizionin civil të kësaj gjykate.

Sipas Gashit, për shkak të afatit të ankesës, lënda është ende fizikisht në zyrën e gjyqtares në departamentin administrativ.

“Sa i përket vendimit në fjalë, ekziston konfirmimi në shkresat e lëndës se paditësja të njëjtin vendim e ka pranuar me datë 14.03.2024”, ka deklaruar Gashi.

Rreth pretendimeve të zonjës Metie Kastrati kemi kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Zëvendësuesi i udhëheqësit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në MPB, Ahmet Gashi ka deklaruar që, zonja Kastrati nuk i ka plotësuar pikët që të dalë kandidate fituese.

“Znj. Kastrati ka aplikuar në këtë konkurs. Iu ka nënshtruar testimit me shkrim dhe intervistës me gojë. Komisioni përzgjedhës e ka vlerësuar me pikët në testin me shkrim dhe intervista me gojë, nga të cilat nuk ka arritur pikët e duhura për të qenë kandidate fituese”, ka deklaruar Gashi.

Në anën tjetër, ai ka shtuar që, Komisioni i Përzgjedhjes i Ministrisë së Punëve të Brendshme, procedurat e përzgjedhjes për konkursin publik për pozitën e punës: Zyrtar administrativ i ka zhvilluar bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Udhëzimin Administrativ (MPMS) nr. 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

“Znj. Kastrati dhe asnjëri nga kandidatët nuk është diskriminuar por janë përzgjedhur vetëm kandidatët, të cilët kanë treguar sukses gjatë testit me shkrim dhe intervistës me gojë, d.m.th. ata të cilët kanë arritur pikët e duhura për të qenë kandidatë fitues dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka respektuar plotësisht legjislacionin përkatës në fuqi në kohën e zhvillimit të kësaj procedure të rekrutimit”, ka deklaruar Gashi.

Moszbatimi i ligjit

Ligji për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara u ka përcaktuar punëdhënësve që janë të obliguar të punësojnë persona me aftësi të kufizuara.

“Organet e administratës shtetërore, punëdhënësit e sektorit privat dhe publik si dhe organizatat joqeveritare obligohen që, me kushtet e përshtatshme të punës t’i punësojnë personat me aftësi të kufizuara. Çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtorë”, thuhet te neni 12 te Ligji për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Vesel Zhinipotoku, drejtor i Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje ligjore në Inspektoriatin e Punës, thotë se kanë hasur raste kur nuk respektohet Ligji për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe mospagesën e pagës sipas obligimit ligjor.

Që ligji për punësimin e PAK-ut nuk zbatohet e thotë edhe raporti “Niveli i Zbatimit të Strategjisë Nacionale për Personat me Aftësi të Kufizuar”.

Drejtori i HENDIKOS – it Afrim Maliqi thotë se qeveria nuk ka bërë asnjë hap për të përshtatur vendet e punës për PAK-un, siç është premtuar.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në komponentin e tretë të Raportit të Progresit të Kalendarit të aktiviteteve për vitin 2022 si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara janë paraqitur të dhënat sa u përket punësimeve.

E në këtë këtë komponent thuhet se vendimi i kryeministrit i obligon institucionet që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e PAK-ut. Përveç kësaj, në këtë komponent, theksohet që të ndërmerren veprime për të siguruar qasje në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara, si dhe e obligon Inspektoratin e Punës për inspektimin e zbatimit te ligjit nga ana e institucioneve për punësimin e PAK-ut.

Zëdhënësi Kryeziu ka thënë se është punuar që të krijohet qasje në institucionet publike për Persona me Aftësi të Kufizuara.

Qasja e limituar në shërbimet dhe nevojat shëndetësore

Brengat e personave me aftësi të kufizuara, rriten edhe atëherë kur kanë nevojë shëndetësore. Metie Kastrati ka treguar se ka pasur nevojë për një protezë të dorës, mirëpo sektori publikë nuk ofron proteza të tilla e në sektorin privat është shumë shtrenjtë.

Në lidhje me këtë, kemi kërkuar përgjigje në SHSKUK (04.03.2024) dhe në Ministrinë e Shëndetësisë (13.03.2024).

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se për çështjen e protezave duhet të pyetet SHSKUK-ja. Ndërsa, në SHSKUK, nuk kanë pranuar të përgjigjen për këtë çështje.

Përkundër insistimit tonë, edhe tek zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, që SHSKUK-ja të japë përgjigje sa u përket protezave, Fazliu ka thënë që,  “Për besë disa herë i kam dërgu. Më thanë më shumë se atë përgjigje nuk mundemi me ndihmu”.

Në anën tjetër, drejtori i HENDIKOS-it Afrim Maliqi ka thënë se Qendra Ortoprotetike në SHSKUK ofron disa lloje të protezave të thjeshta e jocilësore.

“Meqenëse nuk kanë as materile të mira dhe kanë mungesë besoj shumë edhe te stafit profesioanal për proteza më të sofistikuara. Në anën tjetër, kjo i shtyn personat me amputime të kërkojnë trajtim domosdoshmerisht jashtë vendit, duke pasur parasysh që edhe përgjatë moshës së personit, proteza duhet të ndërrohet dhe të jetë sa me cilësore dhe përdorim sa më të lehtë”, ka thënë Maliqi.

Po ashtu, Maliqi ka folur edhe për koston e këtyre protezave.

“Kostoja e tyre mund të jetë 10,000 deri ne 70,000 euro, por kjo varësisht nga lloji, amputimi dhe sofistikimi i tyre. Këto kosto janë në vendet e rajonit”, është deklaruar Maliqi.

Hallet e njëjta edhe në Shqipëri

Me probleme të të njëjtit lloj ballafaqohen edhe personat e kësaj kategorie të shoqërisë në Shqipëri.

Izet Onuzi nga Tirana, thotë se shteti nuk ia mbulon koston e vendosjes së protezës, e cila duhet të ndërrohet minimalisht çdo 3 vjet.

“Janë mbi 1 mijë persona që kanë nevojë për proteza sepse janë dëmtuar me lëndë shpërthyese luftarake, me mina, granata, me armë zjarri, me sëmundjen e diabetit dhe bllokimin e enëve të gjakut dhe me aksidente me makinë.” – tha ai.

Ai ka thënë se ajo e gjitha që marrin si përkrahje nga shteti janë disa analiza bazike.

“Kam shumë nevojë për shërbime dhe përkujdesje shëndetësore. Qendrat shëndetësore nuk mund të na ofrojnë këtë shërbim për të pajisur me proteza personat me aftësi të kufizuar të gjymtuar. Pranë qendrave shëndetësorë ofrohet falas vetëm Çekap, analizat e gjakut dhe asgjë tjetër”- shprehet ai.

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në Shqipëri ka thënë se qeveria u ndan buxhetin spitaleve, ndërsa janë spitalet, të cilat e detajojnë sipas nevojave.

“Kjo vlen edhe për protezat, për të cilat spitalet që e ofrojnë si shërbim, hapin procedura prokurimi për blerjen e tyre. Pra, procedura për blerjen e protezave bëhet nga vetë spitalet dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”- thuhet në përgjigjen e ministrisë, që ka thënë se tashmë ka bërë ndryshime pasi është bërë indeksimi i pagesave të aftesisë së kufizuar sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

Sipas Planit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, në vitin 2023 janë planifikuar 169,616.52 euro për mbulimin financiar të shpenzimeve për orteza, proteza, karrige me rrota dhe mjete të tjera ndihmëse për ata persona me aftësi të kufizuara.

Fizioterapitë e shtrenjta

Drejtori i HENDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka thënë se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbimet e nevojshme në QKUK, siç janë ato rehabilitues/fizioterapi në rastet kur janë jashtë spitaleve, por iu ofrohen vetëm atyre që kanë ndonjë lëndim gjatë hospitalizimit.

Në një përgjigje të Zyrës së drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK thuhet se ata ofrojnë shërbime ambulantore dhe spitalore, pasi nuk e kanë të lejuar të ofrojnë shërbime shtëpiake, ngaqë ato i ofron mjekësia familjare. SHSKUK-ja nuk ka treguar nëse Personat me Aftësi të Kufizuara mund të marrin shërbimet e fizioterapeutit edhe nëse nuk janë të hospitalizuar.

“QKUK ofron shërbime shëndetësore pa dallime, për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe kategoritë me nevoja të veçanta. Si institucion ne nuk i ndajmë dhe dallojmë pacientët, pra edhe ata me aftësi të kufizuar trajtohen pa dallime me të tjerët”, thuhet në përgjigjën e SHSKUK-së.

EQKMF-të rezulton se nuk ofrojnë fare shërbime të fizioterapisë. Bujar Gashi, drejtori i QKMF-së në Prishtinë, ka deklaruar se Udhëzimi Administrativ – Kujdesi Parësor Shëndetësor, nuk i lejon të kenë fizioterapeut fare në QKMF.

“Ne nuk i ofrojmë këto shërbime, ne kemi shërbimin shtëpiak të QKMF-së, me dy ekipe gjatë 7 ditëve të javës që ofron shërbime shëndetësore për rastet terminale dhe ata që nuk kanë mundësi të lëvizin nga shtrati, mirëpo jo shërbime të fizioterapisë”, ka deklaruar Gashi.

Drejtori i Hendikosit, Afrim Maliqi, e ka ngritur edhe një shqetësim: mungesën e trajtimit të problemeve spinale që i kanë Personat me Aftësi të Kufizuara.

Por, këtë e kanë mohuar në SHSKUK, sipas tyre, në QKUK ka disa vite që ekziston Reparti i Ortopedisë Spinale i cili ofron shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët në nevojë, përfshirë edhe personat me nevoja të veçanta.

Mirëpo, drejtori i HENDIKOS, Afrim Maliqi thotë se kjo qendër nuk ju ofron shërbimet e nevojshme PAK.

“Shihet qartë se MSH dhe QKUK nuk kanë pasur koordinim e madje as nuk kanë njohuri se çfarë qëllimesh ka kjo njësi. Në kuadër të QKUK-së, shërbime shëndetësore ofrohen për të gjithë sipas kapaciteteve që ata kanë dhe sipas nevojës, mirëpo krijimi i kësaj njësie ka për qëllim të merr parasysh personat që pësojnë dhe që kanë pësuar lëndime spinale”, është shprehur Maliqi.

Për të sqaruar këtë dilemë, kemi kërkuar përgjigje direkt eedhe nga drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavid Gashi. Sipas tij, në klinikën e Ortopedisë ekziston reparti i Ortopedisë Spinale por që nuk është i destinuar për Personat me Aftësi të Kufizuara.

“Në Klinikën tonë ekziston reparti i Ortopedisë Spinale, i cili funksionon për më shumë se 10 vite, por që nuk është i destinuar për Persona me Aftësi të Kufizuar, por pikërisht për persona që janë të shëndoshë dhe pësojnë ndonjë aksident dhe lëndim të shtyllës kurrizore, për persona që kanë sëmundje degjenerative, tumore apo infeksione të shtyllës kurrizore”, ka thënë drejtori i Klinikës së Ortopedisë Xhavid Gashi.

Gashi ka thënë se reparti Spinal dhe klinika ofron të gjitha shërbimet brenda kapaciteteve profesionale dhe teknike edhe për personat e lindur me deformitete të shtyllës kurrizore që kanë aftësi të kufizuara.

Gjendja më e mirë nuk është as në Shqipëri. Suela Lala, drejtore ekzekutive e Fondacionit “Së Bashku”, ka thënë se nëpër spitalet e Shqipërisë janë me mungesë disa prej specialistëve që janë të nevojshëm për trajtim të Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Personeli shëndetësor shpesh herë nuk është i trajnuar mjaftueshëm për të kuptuar dhe trajtuar nevojat e veçanta të personave me aftësi të kufizuara. Kjo mund të rezultojë në mungesë të kujdesit cilësor dhe në vështirësi për pacientët në të kuptuarit e tyre dhe komunikimin efektiv me personelin mjekësor”, ka thënë Suela Lala, drejtore ekzekutive e Fondacionit “Së Bashku,” Person me Aftësi të Kufizuara.

Ne iu drejtuam Spitalit të Traumës me një kërkesë për informacion rreth shërbimeve dhe buxheteve që ofrojnë për personat me aftësi të kufizuar, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Qasje e pamundur nëpër objektet publike

Në anën tjetër, një nga sfidat kryesore të identifikuar në Shqipëri është edhe mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në shërbimet shëndetësore.

Spitalet dhe qendrat shëndetësore shpeshherë nuk janë të pajisura me rampa dhe ashensore, duke bërë që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses të pamjaftueshëm ose të pamundur në këto ambiente.

“Ende vazhdoj të has probleme në qendrat shërbimeve shëndetësore. Mbaj mend që në një rast ne një zonë tjetër të Tiranës, më është dashur që të bëj një nga vaksinat në oborrin e qëndrës shëndetësore sepse qendra nuk ishte e aksesueshme”- shprehet zonja Lala.

Mënyra e trajtimit të këtyre personave ndikon edhe në aspektin psikologjik. Sipas psikologes Manjola Çollaku, mungesa e këtyre aseteve dhe infrastrukturës, mund të ndikojë negativisht në gjendjen emocionale të personave me aftësi të kufizuara.

“Kufizimet në qasjen në shërbime shëndetësore dhe asistencën sociale, mungesa e mundësive për arsim dhe punësim, si dhe stigma sociale dhe diskriminimi, të gjitha këto mund të përkeqësojnë gjendjen emocionale dhe të rrisin ndjenjën e izolimit dhe mungesës së vetëbesimit, mungesa e infrastrukturës gjithashtu mund të krijojë pengesa për të arritur qasjen në shërbimet dhe resurset që ata kanë nevojë, duke rritur ndjesinë e izolimit dhe ndjenjën e pakënaqësisë me situatën e tyre.”– u shpreh ajo.

Mungesa e të dhënave

Në këtë hulumtim kemi tentuar të gjejmë edhe numrin e personave me aftësi të kufizuar, por një gjë e tillë ka qenë e vështirë.

Sipas HENDIKOS, nuk ka statistika të sakta se sa persona me aftësi të kufizuara janë në Kosovë.

Në anën tjetër, Mirvete Fazliu, zyrtare e lartë për statistika të tjera sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, bazuar në të dhënat e ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Departamenti i Pensioneve dhe Departamenti për Politika Sociale dhe i Familjës, kanë dhënë këto shifra:

“Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2023 kemi këto të dhëna: Numri i personave me aftësi të kufizuara (mosha 18 – 65 vjeç) është 20,616. Skema për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara (mosha 1 – 18 vjeç) është 3,303 dhe Pensionet Paraplegjike dhe tetraplegjike janë 3,006”- ka thënë ajo.

Ndërkaq, sipas statistikave të fundit zyrtare, numri i personave që janë njohur zyrtarisht të kenë një aftësi të kufizuar në Shqipëri është 144,135. Kjo shifër është në Raportin e monitorimit të planit kombëtar të veprimit për personat me aftësi të kufizuara.

*“Ky artikull është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Fuqizimi i lajmeve cilësore dhe gazetarisë së pavarur në Ballkanin perëndimor dhe Turqi II”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”

Leave a Reply

  • (not be published)