
Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s Andreas Zagklis dhe Michael Konecny, drejtor i Federatave nacionale në FIBA, janë takuar në Tiranë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponarin dhe drejtues të FSHB-së. Në përkujtim të 80-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në FIBA, Zagklis i dhuroi Ponarit një tablo me një dokument autentik. Në qendër të bisedës ishin interesi i madh për basketbollin e moshave të reja, për basketbollin e grave dhe vajzave dhe veçanërisht për turnetë 3 kundër 3.
Ndër të tjera Ponari bëri një panoramë të plotë të pjesëmarrjes së rregullt të Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare prej mëse një dekade, si edhe për aktivitetet e shumta të ndërmarra nga Federata, veçanërisht për t’u dhënë një mbështetje më të madhe grupmoshave. Ai ndau me miqtë edhe sfidat e hasura si president i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
“Shqipëria me një diasporë shumë të gjerë, rregullat e reja përbëjnë oportunitet për një përfaqësim ndërkombëtar dinjitoz. Me rregulloren e re kombëtarja tanimë mund të natyralizojë si shqiptarë lojtarë të rinj deri në moshën 18-vjeçare, duke u dhënë pasaportat shqiptare. Më herët rregullorja lejonte deri në moshën 16-vjeçare këtë mundësi”, u shpreh Zegkalis. Ai tha se kjo përfaqëson një mundësi shumë të mirë për kombëtare si Shqipëria.
Gjatë bisedës Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s solli shembullin e kampeve të seleksionimit që Republika Dominikane mban çdo verë në SHBA, duke i trajtuar si një aktivitet të ndërmjetëm mes argëtimit dhe përzgjedhjes së elementëve premtues në basketboll. Lidhur me këtë, Ponari dhe drejtuesit e Federatës sollën shembuj të ngjashëm organizimesh të FSHB në Itali dhe në Greqi.
Një vend me rëndësi në tryezë pati edhe diskutimi për ligjin e sponsorizimeve dhe nevoja, që në Shqipëri kjo të përshpejtohet. Sipas tyre kjo do të sillte më shumë mbështetje për nivelin e basketbollit, për moshat dhe infrastrukturën. Zegkalis mbështeti idenë e miratimit të ligjit, që do të sillte më shumë biznese dhe më shumë para të biznesit në botën e basketbollit.
Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s tregoi se në vitet kur jetonte në Greqi, ai i përkiste gjeneratës së parë, e cila u rrit me shumë miq dhe bashkëmoshatarë shqiptarë dhe se ndihej shumë familjar në vizitën e tij në Shqipëri. Më tej Zegkalis ndau edhe përjetime të vetat personale që e afronin me Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe dëshmoi mbështetjen e tij të pakushtëzuar për FSHB-në dhe zhvillimin e mëtejshem të basketbollit shqiptar. Zagklis foli edhe për ndërtimin e stadiumit të ri të basketbollit dhe tha se: “Me ta patur gati, Shqipëria do ta kishte plotësisht të mundur organizimin gradual të turneve ndërkombëtare në nivel klubesh profesionale”. Zagklis është autoriteti më i lartë i basketbollit që ka vizituar Shqipërinë.


