
Pas një seance maratonë që zgjati deri pas mesnate, mazhoranca socialiste miratoi në Kuvend aktin normativ për uljen me 20% të akcizës së karburanteve, ndërsa votoi edhe një sërë projektligjesh dhe emërimesh në institucione të rëndësishme. Rreth orës 00:00, deputetët e Partisë Socialiste votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, duke rrëzuar edhe tre propozime të paraqitura nga opozita demokratike. Me 85 vota pro dhe 25 kundër, Kuvendi miratoi aktin normativ që parashikon uljen e akcizës për karburantet në rastet kur çmimi i benzinës kalon nivelin e 220 lekëve për litër.
Gjatë seancës u miratuan edhe disa projektligje të tjera, mes tyre ndryshimet në ligjin për shtetësinë, ligjin për inspektimin në Republikën e Shqipërisë, si dhe projektligji për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital. Po ashtu, Kuvendi votoi edhe për një sërë postesh institucionale. Ish-komisionerja e KPK-së, Genta Tafa, u zgjodh Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi me 83 vota pro dhe 25 kundër.
Në Zyrën e Avokatit të Popullit u zgjodhën gjithashtu Ahmet Prençi si komisioner në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe Alma Faskaj në Seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve. Ndërkohë, Merita Bejtja mori mbështetjen e Kuvendit për postin e Inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë me 84 vota pro. Nga ana tjetër, socialistët rrëzuan propozimet e opozitës lidhur me ndryshimet në ligjin për akcizat dhe mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndëve djegëse.


