
“Kokë e këmbë i lidhur me krimin”, -kreu i PD-ës Sali Berisha ka akuzuar kreun e SPAK-ut, Altin Dumani. Sipas tij Dumani ka bërë çdo përpjekje për të zgjatur mandatin e vet në drejtimin e këtij institucioni. Berisha në emisionin “Opinion” në TV Klan e quan Dumanin po aq përgjegjës sa edhe kryeministri Edi Rama për krimet zgjedhore të 11 majit. “Pas Edi Ramës, i dyti në krime monstruoze për krime elektorale vjen Altin Dumani. Unë nuk mund të pranoj kurrë mitizimin e këtij njeriu të lidhur kokë e këmbë me krimin. Mitin e tij e krijoi Edi Rama dhe Sorosi… Ai është pas Edi Ramës, përgjegjësi numër një. Janë lëshuar 250 mandate arresti dhe nuk janë ekzekutuar”,-tha Berisha.

Duke u ndalur te pikat më të nxehta të debatit për mazhorancën, Berisha ka nxjerrë në pah sipas tij një detaj që lidhet me veçimin dhe diskriminim e zonave veriore duke mos bërë asnjë investim atje. “Veriu prodhon më shumë para çdo vit për buxhetin e shtetit, por nuk merr aq shumë investime sa jugu.”-vëren Berisha. “Qëndrimi armiqësor i Edi Ramës ndaj banorëve të veriut është motiv ndaj çdo lloj reagimi kundër tij. Veriu është kontribuesi kryesor në buxhetin e shtetit. Kaskada e veriut që jep miliarda në buxhet, “Rruga e Kombit” që jep miliona në buxhet çdo vit. Hajde t’i llogarisim. Veriu… shkoi ky në mënyrën më kriminale, shkoi në Theth e u tha: “Më jepni votën, thirrni djemtë e rinj ku janë,” dhe pastaj shkoi u prishi 100 objekte.”-tha Berisha. Duke krahasuar qeverinë me atë serbe, Berisha u shpreh se edhe Serbia është vend më demokratik se Shqipëria, pasi, sipas tij, Aleksandar Vuçiç nuk kontrollon 98% të institucioneve, sikurse bën Edi Rama, sipas tij. Por sipas Berishës, arsyeja pse shoqëria nuk ngrihet është sepse Rama ka mbjellë frikë tek ata.

Duke iu kthyer çështjes së shkarkimit të Erion Veliajt, kreu i demokratëve Berisha tha se Rama kërkon që ta zhdukë përfundimisht politikisht atë. Ai fajësoi Ramën për qëndrimin e tij duke akuzar për inceneratorin ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, kur për të ka firmosur Rama dhe Veliaj. Sa i përket zgjedhjeve të reja për bashkinë e Tiranës, Berisha i është përgjigjur gazetarit Blendi Fevziu për propozimin e kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj i cili ka hedhur idenë e një kandidati të përbashkët, duke thënë se PD-ja do të bëjë gjithçka që të bashkëpunojë me të gjitha partitë opozitare. Berisha solli sërish në vëmendje çështjen e Veliajt dhe pakënaqësitë si ai është trajtuar në burg. Sipas Berishës, ndaj Veliajt autoritet kanë cënuar të drejtat e njeriut dhe këto veprime po bëhen me urdhër të kryeministrit Edi Rama. “Izolim total, duke i futur Ulsiun me një vrasës në qeli për ta kërcënuar. Pas Ulsiut, i futën një tjetër. Thuhet se edhe Gjushin e futën pas tij për t’i dhënë mesazh. Tjetër, asnjë takim. Avokati ndërkombëtar pse nuk pranohet? Çfarë është kjo? Si mund të shkojë tjetri në sallë operacioni me policë? Kurrë s’ka ndodhur. Absolutisht asnjëherë. Jo vetëm të burgosur politikë, por edhe të tjerë. Polici shkonte te dera, por në sallë nuk imagjinohej se mund të futej. A e kuptoni që kjo është porosi e Edi Ramës? Polici, në radhë të parë, duhet të sterilizohet. Është një procedurë e tërë.”-shton Berisha.

Berisha ka komentuar edhe propozimin e kryeministrit Edi Rama për të ulur në 101 nga 140 numrin e deputetëve, por ai ka një propozim tjetër; krijimin e dy dhomave të parlamentit, ndërsa nuk ka kursyer edhe kritikat. “Këtë me 100 e ka marrë me Lul Bashën ky. Nuk është një përparësi për ne kjo. Ka shumë gjëra përpara që duhet të marrin përgjigje. Vendosja e dy dhomave me një numër të arsyeshëm jo të fryrë se shpenzime për qytetarët janë. Ky flet të heqë kaq e aq deputetë dhe në pamje të parë qëndron. Por Rama ka 40 këshilltarë. Kjo listë-pagesë e këshillit të ministrave tregon se ka patur 4 sekretare, një drejtoreshë kabineti dhe 39 këshilltarë, ndihmësa dhe analistë dhe një numër të padeklaruar këshilltarësh të jashtëm dhe këta paguhen sa frëngu pulën. Pra, ky ka konceptin të ndihmësit dhe ky ka më shumë ndihmesa se Këshilltarët. Krijimi me dy dhoma ka qenë një projekti yni dhe i ndjeri Sabri Godo e ka shtruar gjithmonë”,-tha Berisha.

A do rikandidojë Berisha për kryetar të PD-ës? Kësaj pyetjeje ai iu përgjigj prerë duke thënë se se do rikandidojë, madje insistimit të Fevziut për një emër të ri dhe ai të kthehej në supervisor, Berisha u shpreh se partia ka nevojë për lider e jo për supervizorë. “Nuk ka tërheqje nga Sali Berisha përpara farsës. Jemi në farsë”.-theksoi ai duke iu kthyer faktit se Rama ka vjedhur votat në zgjedhjet e 11 majit.


