
Pak politikanë gjermane e ndajnë opinionin më dysh sikurse Sahra Wagenknecht. Një demagoge e dashuruar pas Putinit për kritikuesit e saj, thjesht Sahra për fansat që e adhurojnë, zonja Wagenknecht ka sjellë një frymë të re populizmi në një vend që preferon politikën e qetë dhe konsensuale. E veshur gjithmonë me xhaketa me qafë të lartë, zonja Wagenknecht sundon transmetimet me polemikat e saj mendjemprehta mbi Ukrainën, imigracionin dhe tema të tjera delikate. Formula e saj politike është joortodokse, megjithatë suksesi i Aleancës së saj Sahra Wagenknecht (BSW), një parti që ajo e themeloi vetëm në janar, dëshmon një talent për sipërmarrjen politike. Dhe zonja Wagenknecht ka zhvilluar një talent të çuditshëm për të detyruar politikanët e tjerë të kërcejnë me melodinë e saj.
Në një intervistë 90-minutëshe në zyrën e saj parlamentare në Berlin, zonja Wagenknecht përshkruan filozofinë e saj politike dhe synimet e projektit të saj. “Pa një fytyrë të spikatur, askush nuk e di se çfarë përfaqësojnë partitë e reja.”– thotë ajo, duke shpjeguar pse nisi një parti me imazhin e saj dhe me emrin e saj (BSW përfundimisht do të riemërohet, thotë ajo). “Është thjesht një program që korrespondon me atë që duan shumë njerëz. Nga njëra anë, drejtësia sociale. Nga ana tjetër, një politikë konservatore e bazuar në traditat kulturore dhe reduktimin e migrimit, dhe që trajton çështjen e luftës dhe paqes”.

Ajo që zonja Wagenknecht e quan politika e saj “e majtë konservatore”, përzien një menu tradicionale të politikave të krahut të majtë – taksa më të larta për të pasurit, pensione më bujare dhe paga minimale; skepticizëm ndaj bizneseve të mëdha – me një shqetësim nacionalist për identitetin kulturor dhe një dozë të shëndetshme të zgjimit. Mbajtëse e një doktorature në mikroekonomi, ajo mbështet fuqimisht modelin industrial të Gjermanisë dhe shtyllën kurrizore të Mittelstandit (grup ndërmarrjesh të qëndrueshme biznesi në Gjermani, Austri dhe Zvicër që kanë rezultuar të suksesshme në durimin e ndryshimeve ekonomike dhe turbullirave), biznesin e vogël dhe të mesëm, të cilin ajo e vlerëson se u ka siguruar gjermanëve të zakonshëm paga dhe karriera të mira.
Ajo thotë se qeveria gjermane, të cilën ajo e ka quajtur “më budallaqe në Evropë“, ka penguar firmat duke vendosur sanksione ndaj gazit rus dhe ankohet për “marrëzinë” e, për shembull, aktivistëve të klimës që dëshirojnë të vrasin motorin me djegie, burimi i një pjese të mirë të prosperitetit historik të Gjermanisë. Dhe ajo është e zëshme për “problemet kryesore” të migrimit të parregullt, për të cilin ajo thotë se “po e mposht Gjermaninë plotësisht”.

Balli dhe qendra e ofertës politike të zonjës Wagenknecht është Ukraina, ose ajo që ajo e quan “paqe”. E zhytur prej kohësh në sulmet e NATO-s dhe Amerikës ndaj së majtës së fortë gjermane, për të cilën ajo bëri dhe praktikën e saj politike, zonja Wagenknecht ka gjetur në luftë një çështje që e largon atë qartazi nga rryma kryesore pro-ukrainase e Gjermanisë. Ajo dënon pushtimin e Vladimir Putinit, por thotë se ai buroi nga shqetësimet legjitime ruse për zgjerimin e NATO-s. Në qershor, së bashku me Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, deputetët e BSW-së bojkotuan një fjalim të Bundestagut të Volodomyr Zelenskyt, “qëndrimin pa kompromis” të të cilit zonja Wagenknecht e fajëson pjesërisht për luftimet e vazhdueshme. Ekziston një treg për këto pikëpamje, veçanërisht në lindje të Gjermanisë.
Zonja Wagenknecht thotë se ajo pranon nevojën e Ukrainës për garanci sigurie në rast të zgjidhjes së paqes që ajo kërkon. Por preferenca e saj do të ishte që ato të vinin nga vende si Kina dhe Turqia; dhe Ukrainës sigurisht duhet t’i mohohet anëtarësimi në NATO, pasi shqetësimet ruse mbi aleancën frymëzuan luftën në radhë të parë. Sa për Gjermaninë, “do të kishte qenë më e mençur nëse do të kishim mbajtur politikën e vjetër” të “ndërmjetësimit midis Rusisë, Evropës Lindore dhe SHBA-së” në vend që t’i dërgonim Ukrainës armë dhe tanke. Ajo e ka quajtur kancelarin Olaf Scholzin, kancelarin, si një “vasal” të Amerikës, gjë që përmbledh botëkuptimin e saj dhe shpjegon pse strukturat gjermane e konsiderojnë atë kaq toksike. (Përsëritja e zonjës Wagenknecht e pikave të bisedës Putineske gjithashtu fiton paraqitjet e saj të shpeshta në propagandën e Kremlinit.)

Zonja Wagenknecht u rrit në Gjermaninë Lindore komuniste dhe mbeti një besimtare e vërtetë edhe pas rënies së murit. Udhëtimi i saj politik e çoi atë në Die Linke (apo E majta), një organizatë e së majtës së fortë që pjesërisht rrjedh nga komunistët në pushtet të Gjermanisë Lindore. Si bashkë-drejtuese e grupit parlamentar të partisë në vitet 2010, ajo u bë palë në skenën e talk-shoë dhe një autore e njohur. Por tensionet e saj me “Të majtën” mbi çështjet e emigracionit dhe stilit të jetesës – ajo mendoi se partia ishte kapur nga metropolitanët që ushqeheshin me tofu – dhe forca në rritje e markës së saj personale e solli një largim të pashmangshëm. Duke marrë me vete nëntë deputetë të majtë, zonja Wagenknecht do të deklaronte synimin e saj për të ndryshuar “politikën gjermane, jo për vite, por për dekada”.
Debutimi i saj mund të jetë më mbresëlënësi politik në historinë gjermane. BSW mori mbi 6% të votave në testin e saj të parë, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor. Më pas erdhën votat në Saksoni, Turingi dhe Brandenburg, tre shtete në lindje të Gjermanisë, ku marka e politikës së zonjës Wagenknecht ka qenë gjithmonë më e popullarizuar. Rezultatet dyshifrore të BSW-së në të trija zgjedhjet detyroi partinë kryesore Kristian Demokrate (CDU) dhe Social Demokratët të konsideronin formimin e koalicioneve me të, duke pasur parasysh nevojë për të mbajtur një mur mbrojtës rreth AfD-së, e cila gjithashtu ka mbështetje në lindje. Një vit më parë BSW nuk ekzistonte. Tani po përgatitet të marrë detyrën në tre nga 16 shtetet e Gjermanisë.

Apo jo? Suksesi i partisë së saj i detyron zonjës Wagenknecht një pyetje të panjohur: a është ajo gati të pranojë kompromiset e pashmangshme që vijnë me qeverisjen? Ka arsye për të dyshuar. Sepse edhe pse zonja Wagenknecht këshillon kompromisin për Ukrainën, në Gjermaninë lindore ajo po luan lojëra të forta. Ajo ka bërë pauzë në bisedimet e koalicionit në Turingi, sepse një dokument qëndrimi nga tre partnerët e mundshëm nuk refuzon zyrtarisht një marrëveshje të fundit gjermane për të pritur raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi nga viti 2026 – edhe pse shtetet nuk kanë pothuajse asnjë rol në politikën e jashtme. Dhe ajo e ka rritur mendjen duke këmbëngulur që politikanët e CDU-së me të cilët kolegët e saj po negociojnë në shtetet lindore të distancohen nga Friedrich Merzi, udhëheqësi i tyre kombëtar, i cili dëshiron që Gjermania t’i dorëzojë më shumë armë Ukrainës.
Për shumë vëzhgues, bërja e kërkesave të forta për çështje simbolike duket si një prelud për t’i hedhur në erë plotësisht bisedimet, ose për të detyruar të tjerët të përkulen: CDU në Saksoni tashmë është duke u ftohur për gruan që disa e konsiderojnë si neo-bolshevike. “Është e vetëkuptueshme që bisedimet e koalicionit kanë të bëjnë kryesisht me arritjen e kushteve më të mira të jetesës.”– thotë zonja Wagenknecht, duke përmendur sistemin arsimor “të dobët” të Gjermanisë. “Megjithatë, çështja e luftës dhe e paqes është elementare, sepse nëse lufta vjen në Gjermani, nuk ka kuptim të mendosh për arsimin.” Ky qëndrim ka krijuar tensione me ato të kolegëve të BSW-së të zonjës Wagenknecht që drejtojnë bisedimet e koalicionit, të cilët synojnë të qeverisin. Por “ne nuk do të bashkohemi me qeveritë me të cilat do të zhgënjejmë votuesit tanë.”– thotë zonja Wagenknecht. “Kjo do të çonte në një fund të shpejtë të suksesit të partisë sonë.”
Sarah Wagner, një vëzhguese e BSW-së në Universitetin Queen’s Belfast, beson se zonja Wagenknecht nuk dëshiron që kompromise mbi qeveritë e shteteve të rrezikojnë fushatën e saj për zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm, prioriteti i saj i vërtetë. “Baza e kësaj partie është opozita dhe kjo nuk do të funksionojë nëse ata janë në qeveri.”– thotë ajo. Një burim i brendshëm i BSW-së thotë se partia do të ishte e kënaqur të mbante nivelin e saj aktual të votimit prej rreth 9% në ato zgjedhje. Kjo do të mjaftonte për ta kthyer BSW-në në një prishës planesh, duke e bërë biznesin e formimit të koalicioneve akoma më të komplikuar se sa është tashmë, por jo e mjaftueshme për të larguar partinë e zonjës Wagenknecht nga zona e saj e rehatisë opozitare. Ndoshta kjo është mirë për të.
Artikullin original të The Economist mund ta lexoni këtu



