Afro një muaj pasi 4.3 milionë euro nga Fondi Rezervë i Shtetit u dhanë për financimin e koncertit të Kanye West, masivet pyjore në Shqipëri po shkrumbohen nga flakët, qendrat e banuara janë vënë në rrezik, ndërsa Shqipëria nuk ka kapacitete logjistike të mjaftueshme për të përballuar flakët.

Teksa nevoja për operacione zjarrshuese nga ajri është tepër e madhe, shteti shqiptar ka në dispozicion vetëm 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”, për të luftuar zjarret që në 24 orët e fundit kanë vënë në alarm tre qarqet të mëdha të vendit: Tiranën, Durrësin dhe Fierin.

Vetëm dy javë pas këtij koncerti të florinjtë që ndezi debate të forta në opinionin publik, me arsyetimin se paratë mund të shkonin për investime në fushën e mbrojtjes nga zjarret, në shëndetësi apo arsim, kryeministri Rama njoftoi me shpejtësi se qeveria ka mbyllur procedurën për blerjen e tre avionëve, të cilët do të vijnë në fund të vitit. Por, a presin zjarret e kësaj vere ardhjen e avionëve në dimër? Shihni ç’ndodhi dje në Krujë. Zjarri iu afrua aq shumë qytetit.

Po ashtu, sa herë hapet debati për çështjen e 4.3 milionë eurove që u bënë tym brenda një nate, ministrat nuk ndalin së rendituri arritjet e qeverisë dhe investimet “marramendëse” në dobi të së mirës publike. Në një interpelancë të kërkuar nga socialisti Erion Braçe, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se në 2025 financimi nga buxheti i shtetit arriti në vlerën 2.8 miliardë lekë për Shërbimin Zjarrfikës, kjo sipas tij, ishte një rritje e ndjeshme krahasuar me një vit më parë, ku në 2024 ishin 2.3 miliardë lekë.

Duke mbetur te shifrat dhe te buxheti i shtetit, nga një vëzhgim i kryer në faqen zyrtare të kompanisë amerikane që prodhon avionë zjarrshues, vërehet se një avion i tillë “AT-802A” kushton 1.5 milionë euro. Në një përllogaritje të thjeshtë matematikore me 4.3 milionë eurot e koncertit të Kanye West në Kashar, po të shtoheshin dhe ca para, mund të bliheshin 3 avionë për Shërbimin Zjarrfikës.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi e cilësoi blerjen e tre avionëve që do të vijnë në fund të vitit, investim me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, ndërsa një natë më parë u shfaq në Krujë bashkë me ministrin Lamallari, ku dhanë edhe urdhër evakuimi për banorët e disa fshatrave. Dy ministrat zgjodhën të fiksojnë në fotografi momentet e operacionit për shuarjen e zjarrit dhe t’i publikonin në rrjetet sociale, por a e vunë re se disa efektivë zjarrfikës nuk kishin veshje të përshtatshme për mbrotjen nga flakët?

Teksa qyteti historik i Krujës ishte në pushtetin e flakëve, ministri i Kulturës Blendi Gonxhja u përqendrua në një tjetër operacion, atë të luftës ndaj algoritmit, këtë herë ndaj gazetarit Renaldo Salianji. Gazetari kishte ripostuar shkrimin e ministrit, përmes së cilit ai sqaronte situatën në Pazarin e Krujës nga flakët, ndërsa Salianji i drejtoi një pyetje me shpoti: E rregullove imazhin e prishur me 4.2 milionë euro, mor bir? Reagimi i ministrit Gonxhja ishte i shpejtë, duke mos kursyer në komente as ofendimet ndaj gazetarit dhe duke qëndruar stoik ndaj vendimit të tij: Investimi u kthye më i madh (fatura qe e juaja).

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7