Rumen Radev u largua nga presidenca dhe u fut në garën elektorale parlamentare në Bullgari me premtimin për të luftuar korrupsionin. Partia e tij proruse shfrytëzoi krizën e gjatë në vend e cila nisi që në vitin 2021 me qeverinë e Boyko Borissov. Ai ka shfaqur hapur thirrjet për rinovimin e  marrëdhënieve me Rusinë dhe ka dalë kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën. Sipas “The Guardian” Radev ka drejtuar presidencën për 9 vite, deri sa u bashkua me partinë “Progressive Bulgaria”. Ai e ka fokusuar fushatën elektorale te çlirimi i Bullgarisë nga modeli oligark i qeverisjes dhe ishte krah protestuesve sidomos të rinjve të gen z të cilët përmbysën qeverinë e konservatorëve.  

Në fjalimin e parë pas mbylljes së qendrave të votimit, rezultatet e agjencive të sondazheve e rendisnin grupimin e themeluar prej tij, Progressive Bulgaria në 44%, që i siguron atij një shumicë prej 129 vendesh në parlament. Në fjalimin e parë Radev tha: “PB ka fituar pa mëdyshje, një fitore e shpresës ndaj mosbesimit, një fitore e lirisë ndaj frikës”. Ish-presidenti u shpreh i vendosur se do bëjë çdo përpjekje për të vazhduar në rrugën e saj evropiane, duke larguar dyshimet pasi medie të ndryshme shtruan pytetjen nëse do jetë krah Rusisë apo do i mbajë sytë nga Evropa. “Por më besoni, një Bullgari e fortë dhe një Evropë e fortë kanë nevojë për mendim kritik dhe pragmatizëm. Evropa ka rënë viktimë e ambicies së saj për të qenë një udhëheqëse morale në një botë me rregulla të reja”, vijoi ish-gjenerali i forcave ajrore.

“The Guardian” sjell në vëmendje thirrjet e Radevit gjatë fushatës për një Bullgari demokratike, moderne dhe evropiane si edhe forcoi bindjet e tij për marrëdhënie praktike me Rusinë me bazë respekti reciprok. Ai ka denoncuar një marrëveshje 10-vjeçare mbrojtjeje të nënshkruar muajin e kaluar mes Bullgarisë dhe Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin e plotë të Rusisë që nga viti 2022. Po ashtu ka kundërshtuar dërgimin e armëve nga Bullgaria në Ukrainë, duke deklaruar se nuk do të përdorte të drejtën e vetos së vendit të tij për të bllokuar vendimet e Bashkimit Evropian.

“BBC” shkruan se: “Bullgaria është një furnizues i rëndësishëm i municioneve dhe eksplozivëve për Ukrainën, përmes vendeve të treta, veçanërisht Rumanisë fqinje. Lufta i ka dhënë një shtysë industrisë së armëve, e cila ka hasur vështirësi që nga epoka sovjetike”. Më herët Radev është shprehur shpesh kundër shitjes së rezervave bullgare të armëve të epokës sovjetike për Ukrainën. Ai e ka argumentuar me faktin se se ato e zgjasin një luftë që Ukraina nuk mund ta fitojë. Ndërsa ky është një argument i ngjashëm me atë të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Në ndjekje të publikimit të rezultateve Radevi tha se po kërkon partnerë për koalicion. “Politico.eu” analizone se nëse Radevit do i duhen partnerë në qeveri, pyetja kryesore është nëse ai do të kërkojë të formojë shumicë me reformistët liberalë pro-BE (rreth 14 për qind), apo nëse do të bashkohet me Partinë Socialiste (rreth 4 për qind) dhe nacionalistët (rreth 5 për qind), gjë që mund t’i mundësojë krijimin e një blloku qeverisës pro-Moskës. Vetë Radev u shpreh qartë se do qëndrojë pranë politikave evropiane.

Kush është Rumen Radev

Rumen Radev është presidenti i pestë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Republikës së Bullgarisë. Ai ka lindur më 18 qershor 1963 në Dimitrovgrad. “Circulargaia” shënon se ai u diplomua me medalje ari në shkollën e mesme të Matematikës në Haskovo. Më pas përfundoi studimet si studenti më i mirë i kursit në Shkollën e Forcave Ajrore në Dolna Mitropolia. Studimet e tij u pasuan në SHBA në vitin 1992 ku u diplomua në kursin “Maxwell Squadron Officer”. Më vonë nga viti 1994 deri në vitin 1996 ishte student në profilin komandues edhe në Akademinë Ushtarake “G. S. Rakovski”, ku u diplomua sërish si më i miri i kursit. Titullin Doktor i Shkencave Ushtarake në fushën e përmirësimit të stërvitjes taktike të forcave ajrore dhe simulimit të luftimeve ajrore, e mori në vitin 2000.

Në vitin 2003 mori gradën Master në “Studime Strategjike” në përfunim të studimeve ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Kolegjin e Forcave Ajrore “Maxwell” në SHBA. Emri i tij është i gdhendur në “Walk of Fame” të këtij kolegji. Ai ka realizuar të paktën 1400 fluturime si edhe ka drejtuar demonstrimet me MiG -29. Në vijim Radev mori edhe gradën Gjeneral Major dhe në periudhën 2014–2016 ishte Komandant i Forcave Ajrore të Republikës së Bullgarisë. Ai mori presidencën në vitin 2016 me një votim të drejtpërdrejtë duke arritur 60% të votave dhe është rizgjedhur në post në vitin 2021, në mandatin e dytë në drejtim të Bullgarisë.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11