Aksi rrugor që lidh Tiranën me Juglindjen është i bllokuar, shkak është shembja e një masivi shkëmbor e rrëshqitja e dherave në vendin e quajtur Kthesa e Dragostunjës, në segmentin Librazhd – Prrenjas. Qindra automjete qëndruan në pritje prej orësh në temperatura të ulëta dhe mot të keq, me fëmijë e të moshuar. Ambulanca e ka patur të pamundur të kalojë për të transportuar një të sëmurë dhe personeli i ndihmës është detyruar ta shoqërojë me barrelë përtej lumit në anën tjetër. Policia ka njoftuar shmangien e qarkullimit në rrugë alternative, po edhe pjesa Qukës -Qafë Plloçë nuk lidhet në pikën kur ka ndodhur shembja. Mundësia e vetme është devijimi nga Moglica. Orët e pasditës e kanë bërë të pamundur qëndrimin në mes të rrugës, ndërsa shumë banorë të zonave përreth kanë ofruar ndihmë për udhëtarët.

Banorët e fshatit Spathar në Librazhd janë afruar te vargu i makinave duke i orientuar drejtuesit të kalojnë në drejtim të Dardhës e Hotolishtit për të mbërritur në Korçë, apo edhe në Semë, me dalje në Librazhd drejt Elbasanit, në krahun tjetër të zonës.

Fadromat kanë nisur punën për largimin e inerteve dhe kjo ka zgjatur me orë të tëra pasi terreni ishte i vështirë, duke qenë të rrezikuar nga shkëputja e të tjerë gurëve masivë nga pjesë të thepisura të malit. Rrëshqitjet janë raportuar që më datë 28 janar dhe janë pasuar deri sot duke e bërë të pakalueshëm aksin, por edhe të rrezikshëm për jetën e personave që udhëtojnë aty pranë. Kompania “ANK” ka ndërhyrë me fadroma, të cilat kanë hedhur në lumë materialet inerte duke shkaktuar të tjera dëme. Si pasojë e punimeve gjysma e vendit ka mbetur pa qarkullim.

Shqetësimi i kryeministrit Edi Rama në podcastin e sotëm ishin operacionet plastike të gazetarit Blendi Fevziu. Rama në bashkëbisedim me kirurgen plastike Vilma Tafilaj, ai shfaqi kuriozitet nëse Fevziu kishte bërë ndërhyrje: “Ky Fevziu, bën ky kirurgji plastike sipas teje?”-pyet Rama dhe mjekja e siguron që jo, po ai shton dyshimet duke thënë: “Nuk ka ndërhyrë ë? Domethënë atë lëkurën e tërhequr kështu si tullumbac e ka natyrale? Ai është i ri i përjetshëm. Jo e solla këtu në vëmendje se e di, se kur erdha aty e pashë që e kishit aty në ekran që tregonit atë aparaturën që kishte ardhur Fevziu, e thashë mos ka ardhur aty, ka bërë ndonjë kirurgji plastike”,- ironizon Rama, duke shkuar më tej, te kurioziteti për flokët: “Dhe thashë mos ka ardhur për këtë pjesën që është, për flokët. Këtë pjesën këtu Fevziu e ka komplet natyrale, ë sipas teje?”-vijon kreu i qeverisë.

Pas Fevziut, Rama e ka kthyer vëmendjen te vetja kur i thotë mjekes se ai është i parregullueshëm. “Mua më pëlqen kështu si je për të qenë e sinqertë. “-përgjigjet ajo dhe kalojnë te historia si ai nuk e pranoi dot një shoqe të vetën e cila kishte bërë hundën operacion që para 30 vitesh: “Nuk ia fal që vajti e ndërroi hundën. Nuk ia fal. Nuk ia fal dot, nuk e di. Po të nisesh nga këto kriteret që keni ju, ajo ishte hundëderre, po hunda e saj, i shkonte aq shumë dhe e bënte aq të veçantë, saqë kur e ktheu kështu, që atëherë mua më duket sikur ka plagosur veten”- vazhdon ai.

Më tej ndalet edhe tek një anomali e krijuar në hundën e tij si pasojë e një goditje që ka marrë në vitin 1997 pasi është sulmuar nga disa persona. “Unë e kam një problem, këtu, po e kam nga dora e njeriut, nuk e kam nga natyra. Se ma kanë marrë një herë hundën në dorë ca “skulptorë” nga ata të hurit e litarit, edhe ma kanë bërë copash. Dhe kam problem. Pjesën këndej. Mua ma morën në dorë skulptorë kështu me leva hekuri. E kam edhe këtu mbrapa. Këto janë patina e kohës. Skulpturave edhe kur u thyhet ndonjë hundë, ndonjë dorë, nga koha nuk është mirë që t’ua zëvendësosh e t’i bësh sikur janë të reja.”-kujton ai, duke komentuar sërish trendin e ndërhyrjeve, ndërsa në Kthesën e Dragostunjës ka rënë nata dhe automjetet vijojnë të jenë ende në udhëtim nëpër fshtara në rrugë edhe të pashtruara duke zgjatur edhe me disa orë të tjera udhëtimin në të ftohtë.

Rama ka hapur me kohë një “fushatë” batutash hidh e prit në distancë me gazetarin Blendi Fevziu, duke shfrytëzuar çdo rast për ta vendosur në situatë me apo pa lidhje me të. Rama ka nisur një debat shterpë për vëmendje me Fevziun në kulmin e intervistës së ish-numrit 2 të tij, Arben Ahmetajt.

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7