
Nga Enver Robelli
Ka diçka ironike, cinike e qesharake në gëzimin e anëtarëve të ymetit mysliman të kasabasë shqiptare lidhur me zgjedhjet në SHBA. Shteti i Michiganit do të përfaqësohet në Senat nga një mysliman, thonë ata me rrahje gjoksi (thua se kjo është meritë e tyre). New Yorku qeveriset nga një mysliman, bërtasin ata. Ilhan Omar është rizgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve, krenohen ata. Këto zgjedhje mbi të gjitha tregojnë se demokracia amerikane është intakte, stabile, funksionale. Edhe një president me vese e tabiate të këqija si Donald Trumpi i nënshtrohet vullnetit të popullit, madje, kundër natyrës së tij hakmarrëse, uron rivalët politikë për fitoren.
A do të ishte e mundur e kundërta? Një i krishter i ardhur nga, ta zëmë Kroacia, të zgjidhet kryetar i Riadit? Ose diçka më tokësore: zgjedhje të lira në Egjipt, në Iran, në emiratet e Gjirit Persik, në vendet myslimane të Magrebit, në sulltanate të tjera? Këtë as ëndërr nuk mund ta shohin miliona njerëz në këto pjesë të botës. Andaj zgjedhin “ëndrrën amerikane”. Krahas gëzimit për “fitoren e myslimanëve” në SHBA do të ishte mirë të tregohej edhe pak mllef kundër sistemeve diktatoriale, të cilat i terrorizojnë shoqëritë arabe kudo. Madje as Turqia nuk konsiderohet më demokraci funksionale, por sistem autoritar elektoral me një regjim hibrid në krye.
Shikojeni pak paradoksin: shqiptari i ymetit mysliman e adhuron Rexhep Taip Erdoanin dhe i duartroket fitores së Abdul El-Sayedit në Michigan. Një i tillë në Turqi nuk do të fitonte po të ishte oponent i Erdoanit. Andaj: rroftë demokracia, sidomos ajo amerikane. Aty ku vullnetin e qytetarëve nuk mund ta përmbysin as urrejtësit më të mëdhenj.


