
Nga Ola Xama
Mund të duket si një diskutim i dorës së dytë, por qëndrimet e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me publikimin e materialeve në media për të lejuar disa dhe për të ndaluar informacione të tjera nën petkun e ‘sekretit hetimor’, rrezikojnë që të nënshtrojnë gazetarët dhe të orientojnë qasjen e tyre ndaj SPAK-ut apo çështjeve që heton SPAK-u.
1. Në vendet perëndimore një pjesë e mirë e ligjeve ndalojnë publikimin e sekreteve hetimore, por nuk shkojnë në masa represive për të ndaluar dhe kontrolluar gazetarët apo për t’i arrestuar ata, por parashikojnë pasoja të rënda deri në arrestim për ata që nxjerrin sekretin hetimor.
2. Konkretisht ka shumë raste kur media ka publikuar materiale të cilat përbëjnë sekret hetimor, por ndaj gazetarit nuk është filluar hetim, siç kemi raste të tjera kur është nisur hetim për nxjerrje sekreti hetimor apo denoncime të rënda siç ishte çështja e patronazhistëve. Përse ka dy standarde të ndryshme nga i njëjti institucion?!
3. Në disa çështje, gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme ka vendosur të ndalojë publikimin e vendimit dhe në çështje të tjera jo. Po të lexosh vendimet kupton se nuk kanë asnjë ndryshim për rrezikun që i kanoset hetimit, me përjashtim të përmendjes së disa emrave të njerëzve të rëndësishëm apo vetë prokurorëve të SPAK-ut. Fjala bie nuk e kuptoj se përse vendimi i korrikut 2024 për Inceneratorin e Tiranës rrezikon nxjerrjen e sekretit hetimor, kur cështja ka 4 vjet që hetohet dhe paratë janë tretur por nuk janë gjetur, më shumë se dalja e dëshmive si të përfshirë në këtë çështje të një pronareje mediash dhe bashkëshortes të një ish-drejtuesi mediash, apo se çfarë sekreti hetimor ka çështja e ish-kryeprokurorit të Vlorës Aurel Zarka, ku nuk besoj se ka gjykatës e prokuror që nuk e dinë se si kanë dalë në bisedat e SKY ECC, më shumë se dëmi që i rrezikohet reputacionit institucional të Prokurorisë së Posaçme.
4. Për t’i vënë pikën këtij diskutimi sepse e dëgjoj shpesh si pretendim, reputacionin një institucioni apo entiteti nuk e ka për detyrë ta mbrojë gazetari, madje përkundrazi puna e gazetarit është të gjejë keqfunksionimin e një institucioni në mënyrë që të shërbejë sa më mirë për interesin publik. Kaq.
5. SPAK-u ka të drejtë vetëm për një gjë: ka media dhe gazetarë (personalisht nuk i quaj gazetarë), të cilët përdorin jo vetëm sekretet hetimore, por dhe informacione të thjeshta për të shpifur e deformuar të vërtetat dhe për t’i shërbyer urdhëruesit në këmbim të favoreve ekonomike. Kjo u vërtetua më së miri dhe me përgjimet që janë publikuar dy ditët e fundit, por këtë nuk e zgjidh SPAK-u, këtë e zgjidh publiku duke i braktisur!
SPAK-u nuk ka monopolin e të vërtetës dhe nëse ndërhyn te gazetarët për t’i diktuar çfarë duhet të publikojnë ose jo, nuk ndryshon fare nga Edi Rama, Erion Veliaj apo zyra e shtypit të partive politike që sjell nje kasetë të gatshme dhe paguan haraçin. Në këtë rast nuk është pagesë por frikë për kontroll dhe arrestim. Këtë kam dashur të them dje, por po e sqaroj dhe njëherë m.q.s. nuk pata mundësinë të dëgjohesha mirë.


