
Ky nuk ishte një rast si “Watergate”. Javën e kaluar, ekipi i fushatës së Donald Trumpit dhe i Komitetit Kombëtar Republikan në Florida u frikësuan pas një alarmi të rremë për spiunazh, pasi menduan se zyrat e tyre paskëshin qenë të mbushura me pajisje dëgjimi, ndoshta nga një qeveri e huaj.
Siç shkruan “New York Times”, pas alarmit është thirrur policia dhe zyrat janë mbyllur për një kontroll mjeko-ligjor. Realiteti ishte se ky paskësh qenë thjesht një rreng. Një pajisje plastike që mund të blihet në Amazon për 13.97 dollarë ishte shkaku i gjithçkaje. Sipas raportit të Policisë, pajisjet e dyshimta u gjetën të enjten pasi u dëgjua një zhurmë nën tryezën e një punonjësi në zyrat e fushatës së Trumpit. Kur zyrtarët e Trumpit nisën kërkimin, ata gjetën edhe tre pajisje shtesë.
Personi që bëri denoncimin, sipas dokumentit, “Mendon se kanë gjetur pajisje përgjimi në zyrë.” Pavarësisht prezencës së policisë, zyrtarët republikanë përcaktuan shpejt se pajisjet ishin me shumë gjasë thjesht një rreng. Por askush nuk ka pranuar autorësinë e shakasë. Siç shkruan “New York Times”, raporti i policisë thoshte se “rreth pesëdhjetë punonjës evakuuan apartamentet”. Zyrtari i sigurisë që punon për zyrat në ndërtesë i tha policisë se besonte se “pajisjet ishin pjesë e një shakaje. Suitat u kontrolluan për çdo pajisje shtesë dhe provat tregojnë rezultate negative.”– thuhet në dokument.
Fushata e Trumpit në fillim të kësaj vere u përball me një hakerim të emaileve, për të cilin zyrtarët kanë fajësuar iranianët. FBI ka deklaruar se Irani u përpoq të hakonte si fushatën e Trumpit, ashtu edhe atë të Presidentit Joe Biden, kur ende nuk kishte hequr dorë nga gara. Për shkak të kësaj historie, ekipi i Trumpit ka vepruar me një ndjenjë paranoje të shtuar.
Artikullin origjinal e gjeni te “The New York Times”


