
Prej disa javësh, Toni Gogu duket se ka marrë një rol të ri dhe të mirëpërcaktuar brenda qeverisë Rama: atë të promovimit të Ramës brenda audiencës shqiptare, në kuotat më të ulëta që Rama ka patur ndonjëherë të famës së tij, edhe pse ky promovim rezulton shumë qesharak kur del nga goja e Gogut.
Këtë rol po e tregon më së miri në mënyrën se si Gogu po komenton vizitën e Kryeministrit Rama në Izrael. Duke e paraqitur atë si një ngjarje historike, mes deklaratash se Rama ishte një nga të paktët liderë ndërkombëtarë që mban fjalën në Parlamentin izraelit, Knesset,“i dyti pas Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump”.

E njëjta linjë u ndoq edhe në deklaratat për vizitën e Ivanka Trump në Kryeministri. Gogu e interpretoi këtë si provë të drejtpërdrejtë të besimit personal që Presidenti amerikan ka ndaj Ramës, duke deklaruar:
“Presidenti Trump i ka besuar një miku të vet që të mirëpresë vajzën e tij në vendin e tij, në shtëpinë e tij.”
Madje ai theksoi se “vajza e Presidentit amerikan, një nga personat më të afërt të tij në botë, ndodhet sot me kryeministrin”, duke e përdorur këtë episod për të rrëzuar narrativën e opozitës se Rama është i padëshiruar ndërkombëtarisht. “Sot kryeministri nuk është i padëshiruar, por i dëshiruar”, deklaroi Gogu.

Në tërësi, daljet publike të Toni Gogut tregojnë një zhvendosje të qartë nga roli institucional drejt një funksioni mbrojtës dhe promovues të figurës së Kryeministrit.


