
Në krye të prokurimeve është Diella, ministrja robote, me shef, Edi Ramën. Idea u prezantua në Asamblenë e partisë Socialiste ku u shpall edhe kabineti i ri qeveritar. Diella nuk ishte aq shumë surprizë si ide, sa ç’ishte si kohë në zbatim. Me dekretin e firmosur nga presidenti, Bajram Begaj, Diella e krijuar me Inteligjencë Artificiale, sipas nenit 2, është nën komandat e Ramës. Saktësisht shkruhet: Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit të Inteligjencës Artificiale, Diella.

Si përgjegjësi e presidencës është verifikimi i pastërtisë së figurave të ministrave, që të firmosen e të kalojnë për votim në parlament. Sipas rregullores deputetët e rinj do betohen me dorë mbi kushtetutë para presidentit, procedurë që duhet kaluar edhe nga Diella, e cila duhet të na garantojë besnikëri dhe devotshmëri në detyrë. Nuk është e qartë se çfarë mund të ndodhë nëse bllokohet sistemi a diçka tjetër rrugës dhe se kush mund të mbajë përgjegjësi.

Po Diella nuk është mirëpritur nga opozita. Kreu i grupit parlamentar të PD-ës Gazment Bardhi shkruan në rrjete sociale: “Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë. Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?!”.
Dashamir Shehi, ish-kreu i LZHK-ës e ka quajtur “gjetje” të Ramës, Diellën pasi tani njerëzit nuk do kenë ku të ankohen. Nuk mbetet pas edhe ironia e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani i cili shkruan në rrjete sociale: “Gratë e qeverisë mbarojnë punën e shkojnë në shpi. Aty u vihen punëve të shtëpisë. Diella thjesht vihet n’karikim…”
Do presim derisa Diella të marrë frenat e të tregojë si bëhet një prokurim, atë që nuk u bë dot deri tani, në 4 mandatet e Ramës, nga njerëz prej mishi e kockash.


