
Për të 74-ën ditë me radhë qytetarët shqiptarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të vijuar protestën e tyre, revoltë që e cilësojnë si “Revolucioni Flamingo”. Pas grumbullimit dhe me thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion”, protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur përballë Kryeministrisë, ku dhe është ngritur tribuna e fjalimeve të tyre.
Të rinjtë që dominojnë pjesëmarrjen në protestë morën fjalën, duke u shprehur se ata nuk janë thjesht e ardhmja, por mbi të gjitha e tashmja e këtij vendi.
“Thonë se rinia është e ardhmja. Rinia është mbledhur sot në protestë për të thënë se nuk është thjesht e ardhmja, por e tashmja! Ajo që do të ndërtojë Shqipërinë, ajo që do të bëjë një vend më të mirë për veten, vendin dhe fëmijët tanë! Pa rini nuk ka Shqipëri!”, u shpreh protestuesi.
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje nga protestuesit e tjerë, të cilët njëzëri brohoritën “Pa rini nuk ka Shqipëri”.
Një tjetër protestues kritikoi klasën politike shqiptare, duke shprehur zhgënjim për të dyja kahet.
“Siç ka zhgënjyer familjen time qeveria e Saliut, sot më ka zhgënjyer mua Rama”, tha ai.

Kësisoj, qytetarët të revoltuar brohoritën “Rama n’burg, Berisha n’burg”, një thirrje kjo e përsëritur që nga dita e parë e kësaj proteste që zanafillën e pati nga zaptimi i tokave në Zvërnec.
Të njëjtjën pakënaqësi, qytetarët shprehën edhe përmes pankartave, ku një prej tyre shkruan “Ju përfaqësoni xhepat tuaj, jo Shqipërinë”, duke demonstruar kështu zhgënjimin ndaj mënyrës së qeverisjes.
Një tjetër fjalim u mbajt edhe nga aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila artikuloi kërkesën thelbësore të lëvizjes qytetare, për të ndërtuar një shoqëri me vlera e dinjitet. Pas saj, një protestuese tjetër u ndal te sakrificat e studentëve, duke u shprehur, se: Meritokracia është fshirë, ekselentët po mbeten pa punë.
Duke sfiduar edhe kërcenimin me vendin e punës, një protestues mësues në profesion iu bëri thirrje shqiptarëve të Diasporës t’i bashkohen kësaj proteste që një ditë të kenë sërish mundësinë e mirë, për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

“Një thirrje kam për mërgatën tonë: Na mbështesni, bashkohuni me ne. Do të doja që të gjithë të na bashkoheshin. Duam t’ju bëjmë një thirrje madhështore: Ejani të bëhemi të gjithë bashkë, t’i japim fund tranzicionit”, tha ai.
Narrativa e Edi Ramës pas deklaratave të Zelenskyt në Serbi që theksoi mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës nuk kaloi pa u vënë re nga protestuesit, ku një prej tyre tha se formulimi i përdorur nga kryeministri se “Serbia e humbi Kosovën” është tjetërsim i së vërtetës historike. Kjo nuk është thjesht e gabuar, por është fyerje!, vijoi ai.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan sërish në rrugët kryesore të kryeqytetit. Teksa lanë bulevardin përballë Kryeministrisë, protestuesit u ndalën sërish përpara ambasadës ukrainase, ku bënë thirrje në kor “Zelensky, Zelensky, fuck you!”



