
Një biznesmen i vendosur në Majami, i kërkuar në Shqipëri nën dyshimin për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë së tokës ku Jared Kushner planifikon të ndërtojë një resort me vlerë disa miliardë dollarë. Kjo thuhet në dosjet e hetimit të agjencisë shqiptare kundër krimit të organizuar, të shqyrtuara nga Reuters. Biznesmeni, Artur Shehu, i mohon të gjitha akuzat ndaj tij. Këtë e deklaroi avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili konfirmoi se prokurorët shqiptarë kanë lëshuar një urdhër-arrest ndaj Shehut për pastrim parash në favor të grupeve të trafikut të drogës.
Dosjet e çështjes akuzojnë Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve evropiane dhe për pastrimin e të ardhurave të përfituara përmes krijimit të një perandorie në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke përdorur edhe dokumente të falsifikuara pronësie. “Asgjë nga sa është pretenduar lidhur me karakterin e zotit Artur Shehu nuk është e vërtetë. Ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues dokumentesh pronësie,” tha Cakrani.
“Zoti Shehu është në dijeni të pretendimeve të ngritura nga prokuroria shqiptare. Ai nuk shqetësohet prej tyre, pasi këmbëngul se e vërteta është krejt ndryshe nga ajo që pretendon prokuroria.” Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Drejtësisë refuzoi të komentojë nëse kishte marrë ndonjë kërkesë nga autoritetet shqiptare për lokalizimin ose ndalimin e Shehut në Majami. Në prill, Shehu ia shiti brezit bregdetar ku planifikohet ndërtimi i resortit kompanisë Albania Land Development, e cila zotërohet nga zhvilluesit e projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development, si dhe investitorë të tjerë. “Nga provat e administruara krijohen dyshime të arsyeshme se pasuritë e mësipërme janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara,” shkruajnë prokurorët në dosje.
Dosjet nuk përmbajnë asnjë pretendim për shkelje ligjore nga Jared Kushner, Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorë të tjerë të projektit. Reuters nuk gjeti asnjë tregues se investitorët kishin dijeni për dyshimet ndaj Shehut në momentin kur blenë tokën prej tij. Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave ndaj Shehut, por deklaroi se kompania beson se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme.
Albania Land Development nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Një zëdhënës i Kushner refuzoi të komentojë për këtë artikull. Edhe pse Sazani ka konfirmuar se Kushner është investitor në projekt, natyra e saktë e rolit të tij dhe shtrirja e investimit nuk janë bërë publike.
Projekt i diskutueshëm në një zonë të paprekur
Pretendimet se dokumentet e pronësisë mund të jenë falsifikuar përbëjnë një tjetër pengesë për projektin e profilit të lartë, i cili tashmë përballet me protesta masive për shkak të shqetësimeve se rrezikon jetën e egër.
Banorët e fshatit Zvërnec, pranë zonës së projektit, kanë kundërshtuar në gjykatë pretendimin e Shehut mbi pronësinë e tokës në procese gjyqësore që zgjasin prej më shumë se një dekade.
Muajin e kaluar, një duzinë prej tyre i treguan Reuters certifikata pronësie dhe dokumente tatimore, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se janë pronarët e ligjshëm të tokës. Avokati i tyre, Kostandin Beko, tha se çështja mbetet ende e hapur dhe se ata planifikojnë të kërkojnë një vendim gjykate për pezullimin e projektit të resortit.
Shqipëria, dikur një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara të Evropës, sot është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe po përjeton një bum ndërtimesh përgjatë një pjese të bregdetit të Adriatikut, ndër të fundit ende të paprekur në kontinent.
Resorti i mbështetur nga Kushner është planifikuar përgjatë një zone me plazhe të egra, pyje dhe ligatina që shërbejnë si habitat për breshkat e detit dhe flamingot. Flamingot janë kthyer në simbol të kundërshtarëve të projektit, të cilët protestat e tyre i quajnë “Revolucioni i Flamingove”.
Bashkëshortja e Kushnerit, Ivanka Trump, ka deklaruar se ideja për resortin lindi pasi ajo dhe Kushner panë këtë bregdet nga një jaht disa vite më parë.
Në vitin 2024, Kushner prezantoi planet në rrjetet sociale, duke publikuar një vizualizim të projektit ku zona paraqitej e mbuluar me hotel, vila, pishina dhe mole për jahte. Ai nuk ka bërë publike shumën që ka investuar. Qeveria shqiptare e ka mbështetur fuqimisht projektin dhe ka deklaruar se protestat organizohen nga kundërshtarët e saj politikë. Kryeministri Edi Rama i tha Reuters muajin e kaluar se projekti është “i bukur” dhe se do të realizohet pavarësisht protestave. I pyetur për akuzat në dosjet hetimore ndaj Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se qeveria nuk ndërhyn në transaksione private, por se projekti po ecën në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian. Brukseli i ka kërkuar Shqipërisë, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të respektojë rregullat evropiane për mbrojtjen e mjedisit në lidhje me këtë projekt. Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk dha koment shtesë për Reuters.
Prokurorët shqiptarë hyjnë në lojë
Dosjet ndaj Shehut janë përgatitur nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar në vitin 2019 për të luftuar korrupsionin, me hetues dhe prokurorë të pavarur nga policia dhe prokuroria e zakonshme. Dosjet përmbajnë rreth 200 faqe dhe nuk janë bërë publike. I pyetur nga Reuters, një zëdhënës i SPAK konfirmoi se institucioni po heton çështjen, por nuk pranoi të komentojë më tej. Dosjet mbajnë datën 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK njoftoi publikisht lëshimin e urdhër-arresteve për 20 persona të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim të të ardhurave të përfituara nga kjo veprimtari.
Ndryshe nga dosjet hetimore, të cilat identifikojnë me emër të plotë Shehun dhe personat e tjerë, urdhër-arrestet i identifikojnë të dyshuarit vetëm me iniciale, sipas praktikës standarde në Shqipëri, ku emrat nuk bëhen publikë para ngritjes së akuzës. Inicialet në urdhër-arreste përputhen me emrat e plotë të personave të përshkruar në dosje, përfshirë një të dyshuar të identifikuar si “A.Sh.”. Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, duke konfirmuar se klienti i tij është objekt i hetimit, tha se nuk shqetësohet për urdhër-arrestin, pasi, sipas tij, “besohet gjerësisht” se prokurorët shqiptarë ndikohen nga politikanë dhe figura të biznesit. SPAK nuk ka bërë të ditur nëse ndonjë nga 20 të dyshuarit është arrestuar apo akuzuar zyrtarisht.
Shqiptari që jeton në Majami
Sipas dokumenteve të SPAK-ut, Shehu e shiti tokën për projektin e resortit për rreth 110 milionë euro. Prokuroria thotë se ka urdhëruar ngrirjen e këtyre fondeve në llogarinë e një noteri, duke penguar kalimin e parave tek Shehu. “Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij blenë toka duke përdorur fonde të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe dokumente të falsifikuara pronësie, duke krijuar tituj pronësie të rremë ose duke rritur artificialisht sipërfaqen e pronave,” thuhet në dosjet e SPAK-ut. “Më pas, pronat transferoheshin ose shkëmbeheshin në mënyrë që të mos gjurmoheshin lehtësisht nga autoritetet.” Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development deklaroi: “Ne vazhdojmë të besojmë se blerjet fillestare të tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme dhe në përputhje me procedurat përkatëse. Si gjithmonë, ne do të respektojmë dhe bashkëpunojmë me çdo procedurë të ligjshme, sipas kërkesës.”
Reuters kërkoi sqarime shtesë se përse kompania beson se blerjet e tokës ishin të ligjshme, duke pasur parasysh pretendimet e prokurorëve ndaj Shehut, por nuk mori përgjigje të mëtejshme. Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, i tha Reuters se familja e Shehut e zotëronte tokën që nga koha e Perandorisë Osmane, më shumë se një shekull më parë, dhe se ai e kishte shitur atë ligjërisht tek investitorët e resortit. Cakrani e përshkroi Shehun si një qytetar të ndershëm, i cili kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998, pasi, sipas tij, “grupe kriminale” vranë vëllanë dhe xhaxhain e tij para syve të tij. Reuters nuk arriti ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Reuters”


