Po të kërkosh foljen “retushoj” në një prej fjalorëve online të Gjuhës Shqipe gjen lehtësisht se kuptimi i saj është bërja e ndryshimeve a përmirësimeve të imëta në një fotografi, në një film ose në një pikturë duke e ndrequr hollë e me mjeshtëri.

Është i njohur ky proces gjatë viteve të diktaturës në vend, ku ish-diktatori Enver Hoxha jepte urdhra për retushimin e fotografive të tij dhe si me “shkop magjik” zhdukte personalitete që nuk i donte më afër vetes.

Një nga rastet më të njohur është një foto e vitit 1936, kur Hoxha pozonte në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës, moment shkrepur me disa personazhe, të cilët “u zhdukën” me urdhër të ish-diktatorit nga fotografia që e serviri më pas pa ta.

Majtas si ishte, djathtas si e retushoi foton Enver Hoxha

Retushimi, në përgjithësi është një ves i ish-diktatorëve në historinë botërore, Stalinit, Hitlerit.

Hoxha i Shqipërisë ka ndërruar jetë me kohë dhe vendi prej vitesh ka një sistem demokratik funksionimi por ky ves duket se nuk është harruar. Atë e vazhdon me besnikëri kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Po si e bëjnë ata?

Të pamjaftuar me përdorimin e “Photoshop”-it dhe teknikave të avancuara në punën me imazhin, Rama dhe Veliaj kanë menduar një “kleçkë” më origjinale, e cila ecën paralel me zhvillimet e fundit të teknologjisë, sidomos në lidhjet “Live” në rrjetet sociale.

Ajo ka të bëjë me këndet dhe kompozimin e imazhit në qendër të të cilit janë vetë, me qëllim që të retushohet realiteti. Fabula që shet Rama dhe Veliaj është e thjeshtë: le ta tregojmë historinë siç duam, dimë dhe mundemi vetë. Nëse Tirana është mbushur plot me kulla shumëkatëshe që të marrin frymën, le t’i zhdukim duke kapur vetëm këndet pa to, nëse hapësirat e kryeqytetit janë të ngushta e ndërtesat që kanë mbirë si “kërpudha pas shiut” të zënë frymën, le t’i xhirojmë deklaratat poshtë pemëve, në parkun e liqenit artificial apo të nisim një fushatë mbjellje pemësh në kodrat e Tiranës që të balancojmë betonin e frikshëm të hedhur mes Tirane.

Retushuesit e kohëve të sotme kalojnë në duar raste që i shohim përditë dhe që konkretizojnë më së miri qëllimin për të korrektuar realitetin. Sidomos Tirana, qyteti me problemin më të madh të betonizimit në vend, në imazhet e Ramës dhe Veliajt paraqitet qyteti që do ta kishte zili çdo banor i vendeve nordike për të jetuar.

Sheshi i kullave dhe autoambulancat

Në sheshin “Skënderbej” Rama mendoi të mblidhte javë më parë 36 autoambulanca për paradë. Ato që bënë përshtypje qenë këndet e kapura. Stafi u kujdes që kulla në ndërtim pas autoambulancave të mos shfaqej dhe sheshi të dukej plot me hapësirë, “i pashqetësuar” nga kullat që i rrinë mbi kokë.

Këndi i servirur nga lidhja direkte e Ramës

Por në fakt, këto dy foto zbulojnë gjendjen reale të kullave përbindëshe në mes të Tiranës.

Dhjetë kullat që po ngrihen në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Martesat mbi bashki

Në setin e fotografive që shkrep ekipi i Veliajt dhe i promovon kur lidh çifte në martesë në tarracën e bashkisë mungon gjithnjë një element; kullat gjigante pas shpine ose në rastin më të mundshëm: të duken sa më pak.

Gjithnjë kryebashkiaku ka preferuar të përdorë kënde ku nuk duken ndërtesa në sfond, ndërsa tani me ngritjen e kullave të tjera duket se e ka lënë në mes aktin e celebrimeve të çifteve. Celebrimet ose janë zhvendosur në parkun e liqenit artificial të Tiranës, ose nuk po realizohen më.

Celebrimet mbi tarracën e Bashkisë Tiranë

Bora në Tiranë

Një sërë videosh të publikuara nga Veliaj kanë treguar momente të gëzueshme disa ditë më parë kur në Tiranë ra dëborë. Ajo që bën përshtypje janë videot e realizuara me dron mbi sheshin “Skenderbej” me kujdesin që kullat që po ngrihen të mos duken.

Fushata e “pyllit orbital”

Në natyrë ose poshtë atyre pak pemëve që kanë mbetur në Tiranë për të shmangur sfondin me beton. Kjo është strategjia e re e prodhimit të imazhit nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ndërsa Rama nuk e ka edhe aq problem për të gjetur bar, kodrave të Gjirokastrës kur ulet “gju më gju” me gazetarët e ERTV-së, Veliajt i duhet të rendë drejt liqenit për atë pakëz gjelbërim që ka mbetur ose të marrë kodrat shumë larg Tiranës për ta shitur si tokfjalëshi që në thelb nuk ka asnjë lidhje me realitetin; që në Tiranë na qenka një pyll, orbital madje.

Erion Veliaj duke punuar për “Pyllin Orbital”

Retushuesit e dinë mirë punën e tyre. Po ashtu njohin fuqinë që ka televizioni dhe mediet sociale.

Dhe kur atyre nuk u funksionon retushimi i realitetit, ndezin drita; blu mbi fytyrë, të verdha mbi kala, në tunel ose mbi kantiere të sapohapura ndërtimi.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

One Comment to: Retushuesit- Si e korrektojnë realitetin Rama dhe Veliaj

  1. Saimir

    March 2nd, 2021

    Ndyresira Mashtruesa deri ne paftyresi. Asnje transparence. KÇK . Do ju vij dita shpejt. Keni per ta pagu damin si ujku me lekure

    Reply

Leave a Reply

  • (not be published)