
Debati PS-PD për reformën Territoriale është zhvendosur brenda bashkive. Partia Socialiste ka kërkuar që të shkrihen 15 bashki, duke çuar në 46 të tilla në të gjithë vendin. Në listë janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi. Ndryshe nga socialistët, Partia Demokratike ka propozuar të jenë 100 bashki në 6 rajone. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, Luciano Boçi ua ka paraqitur mesazhin e tij deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së, në pritje të reagimeve të tyre publike.
Ndarjet sipas PS-sw

Shkrirja e bashkive ka sjellë reagime nga punonjësit e këtyre institucioneve në vend. Qytetarët e Poliçanit kanë dalë me pankarta kundër propozimit i cili i fshin nga harta si bashki. Me pankarta ku shkruhej “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën”, ata kanë shprehur indinjatën për nismën e socialistëve. Kryetari i Partisë Socialiste të Poliçanit, Erjon Zylyftari në shesh, para banorëve ka njoftuar dorëheqjen nga Partia Socialiste. Sipas tij kjo që po bën qeveria me Poliçanin është një padrejtësi dhe një turp i madh. Banorët në shenjë proteste kanë djegur teserat e partisë në pushtet. Ata firmosën në shesh edhe peticionin për të mos prekur bashkinë e Poliçanit.
Punonjësit e bashkisë së Klosit bojkotuan punën sot, ndërsa paralajmëruan se do u bashkohen “flamingove” në bulevard kundër qeverisë. Sipas tyre ndarja e re dëmton shërbimet dhe zhvillimin e zonës. Edhe Dimali, edhe pse bastion e PS-së ka ngritur zërin kundër shkrirjes me Beratin. Ata kanë paralajmëruar protesta . Ata u kanë bërë thirrje të gjithëve të bashkohen për të mbrojtur statusin e Bashkisë Dimal. Kjo për banorët prek përfaqësimin dhe identitetin e komunitetit. Reagime ka patur edhe në Divjakë e Maliq.

Pas refuzimit nga banorët e këtyre njësive administrative, Arbjan Mazniku, ministër Shteti për Pushtetin Vendor, ka sqaruar propozimin e socialistëve. Sipas tij me këtë reformë synohet që Bashkitë të forcohen.“Bashkitë kthehen në institucione për zhvillim ekonomik. Me reformën territorial synojmë forcimin e Bashkive”, ka thënë ai. Mazniku ka kërkuar që ndryshimet terrotoriale të miratohen para zgjedhjeve vendore të vitit 2027 në të cilat të hyhet me hartën e re territorial. “Pjesë e sfidës që ne kemi përpara është të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht”, tha ai. Paraprakisht mazhoranca ka depozituar në Kuvend 46 bashki dhe opozita 61 që janë aktualisht.



