I larguar nga politika prej 9 vitesh, Namik Dokle tashmë i është përkushtuar letërsisë, teksa ka publikuar së fundmi romanin e tij “Asnjë trokitje në qiell”. Në këtë bisedë në Gogo.al Dokle na nxit të reflektojmë mbi çështje si indiferenca, braktisja, apo cilësi që i kemi humbur si besa, mikpritja e dashamirësia duke u bërë “shumë metropolitanë”.

A kemi një Shqipëri më të mirë nga ç’e la Ramiz Alia? Cili ka qenë një nga momentet më të vështira që i është dashur të menaxhojë në politikë? A do kishte bërë diçka ndryshe në politikë tani që ka reflektuar e ka distancë prej saj apo ku po shkon e majta? Këto janë disa nga shtyllat e bisedës me shkrimtarin Dokle. Një bisedë për letërsinë, politikën, jetën.

Po cilat janë mesazhet më kumbuese të shkrimtarit Dokle, me një përvojë të gjatë jetësore?!

Shkrimtari Dokle

“Letërsia nuk ka mjete, si me thënë magjike për të zgjidhur probleme, por letërsia troket në ndërgjegjen e njerëzve. E cila, diku dëgjohet, diku nuk dëgjohet. Ka edhe nga ata që as duan të dinë se ka shkrimtarë në këtë botë, po as duan ta dinë se ç’ndodh. Se ç’ndodh në letërsi apo gazetari. Sepse edhe gazetarët ngrejnë shumë probleme, por ka nga ata që thonë se gazeta e sotme është koshi i nesërm dhe as duan të dinë se çfarë problemesh janë ngritur.”

Ismail Kadare dhe Namik Dokle

Veset e shoqërisë sonë

“Thelbi i atij romani, të paktën siç e kam menduar unë kur e kam shkruar është që të trokasë te njerëzit për t’iu shmangur, për t’i ikur indiferencës që kemi sot ndaj njeriut. Ndaj jetës së tij.”

“Disa gjëra që ky popull i ka patur si të shenjta, kanë filluar të humbasin. Kanë filluar të shuhen. Pra, e shenjtë ka qenë mikpritja, e shenjtë ka qenë besa, e shenjtë ka qenë dashamirësia, e shenjtë ka qenë kujdesi për tjetrin dhe jo indiferenca ndaj tjetrit, ndaj halleve të tjetrit. Dhe këto cilësi aty-këtu kanë filluar të humbasim. Kemi filluar të bëhemi shumë metropolitanë. Ndërkohë “metropolitan” nuk është gjë e keqe, po ama metropoli nuk ka pse t’i humbasë këto cilësi. Pra po shuhet disa gjëra që mua më shqetësojnë që po shuhen.”

“Një pjesë e njerëzve kanë ikur nga Shqipëria dhe nuk kanë mundësi të kthehen. Ka shumë që janë kthyer dhe bravo u qoftë dhe kjo është një gjë shumë pozitive, është një mrekulli. Ka shumë që brodhën e brodhën dhe nuk gjetën suksesin ku ishin, qoftë në Amerikë, qoftë ku e di unë, në Gjermani a Itali dhe janë kthyer dhe janë bërë shumë të suksesshëm këtu në Shqipëri. Që nga profesionet më të thjeshta dhe deri te artistët, këngëtarët apo shkrimtarët dhe kështu me radhë.”

“Ka njerëz që kanë nevojë. Dhe unë mendoj se këto shoqatat bamirëse nuk e zgjidhin problemin. Shoqatat bamirëse bëjnë edhe punë të mira, punë të lavdërueshme por kur shoqatat bamirëse, ata që i drejtojnë bëhen milionerë, unë nuk e di se çfarë bamirësie mund të bëjnë! Se si bëhen milionerë?! Me bamirësi?! Edhe bëjnë një pjesë që ua japin njerëzve dhe pjesën tjetër e çojnë kushedi se ku?! Nuk e kuptoj këtë gjë. Por nuk është ky problemi. Jo bamirësia, po shteti, shoqëria.

Organizimi i tillë i shoqërisë që njerëzit të ndjehen mirë në vendin e tyre, të ndjehen mirë në shtëpinë e tyre, të ndjehen mirë në fshatin e tyre. Se në fund të fundit nëqoftë se dikujt i mungon uji do kërkojë ujë, nëse dikujt i mungon ushqimi do kërkojë ushqim, nëse i mungon ajri do kërkojë ajër. Atëherë ne si shoqëri duhet të luftojmë kundër mungesave që njerëzit të ndjehen mirë, shumë më të qëndrueshëm dhe shumë më të suksesshëm.” U them të tjerëve unë: -Mos kërkoni gjëra që nuk i gjeni dot në këtë shoqëri, në këtë sistem sepse jo çdo gjë varet nga njerëzit, varet edhe nga sistemi!”

“Ka raste që mungon solidariteti. Mungon ajo që thatë ju empatia, por ka raste që e tëra kjo mbulohet me hipokrizi. Në roman ka skena të tilla aq sa një personazh thotë “Atij që nuk i ke folur për së gjalli mos shko te varri!””.

Sa e vështirë është të ruhet integriteti?

“Nuk është shumë e lehtë sepse kemi presion nga të katërta anët. Nuk është shumë e lehtë sepse ne edhe kur nuk flasim mendojmë, edhe kur nuk bërtasim, shikojmë. Dhe shikojmë dhe bëjmë krahasime. Dhe shikojmë se si presioni i madh, presioni ekonomik, presioni politik, presioni i rrugës, presioni i forumeve të larta, i sallave të mëdha, apo i kasolleve, presioni i famës po edhe presioni i varfërisë, i mungesës së shanseve për të gjithë. Dhe njerëzit duhet të kenë shanse të barbarta dhe pastaj sipas zotësisë dikush ecën më shpejt apo fluturon më lart, dikush më poshtë e më pak. Të gjitha këto ndikojnë dhe pastaj njeriu fillon dhe tradhëton vetveten. Prandaj unë e kam si të shenjtë atë që i them vetes dhe gjithkujt që “Ji vetvetja! Qëndro te vetvetja! Mbaj ekuilibër me vetveten sepse nëqoftëse humbet ekuilibrin me të tjerët ka mënyra për ta rregulluar, po nëqoftë se humbet ekuilibrin me vetveten është  e vështirë, është shumë e vështirë për ta rregulluar!”

Namik Dokle dhe bashkëshortja

Çfarë t’u mësojmë fëmijëve?

“Ajo çfarë duhet t’u themi fëmijëve është që në radhë të parë të jenë vetvetja. Të mos tërhiqen prej hundësh nga të tjerët. Dhe të jenë vetëvetja në kuptimin që ta jetojnë jetën me ndershmëri, me përkushtim me dashamirësi ndaj tjetrit e kështu me radhë. Natyrisht këto janë këshilla që dikush i dëgjon, dikush nuk i dëgjon”. Pra, kjo vlen për të gjithë. Vetvetja, modestia dhe kultura. Këto janë tre elemente, të cilat mund ta ndihmojnë njeriun të ecë përpara.”

Çfarë po ndodh me të majtën në botë?

“Nuk mund të bëj analiza të tilla sepse që në momentin që kam lënë politikën dhe i jam kushtuar letërsisë. Normal që lexoj, dëgjoj, etj, etj, por nuk kam informacion të tillë që të bëj analiza sepse po bëj 9 vjet që jam shkëputur nga politika. Kështu që është vështirë të jap ndonjë gjykim për këtë. Në përgjithësi e majta, e djathta, rruga e tretë e të tjera me radhë janë ca teorira dhe praktika, të cilat unë nuk i kam studiuar. Kam lexuar plot gjëra të kësaj natyre dhe ndoshta është vendi që të citoj meqë bëtë pyetjen, që të citoj Felipe Gonzalesin i cili ishte për 14-15 vjet kryeministër i Spanjës dhe kur mbaroi mandatin e tij të fundit që e morën të tjerë, u mbyll në një shtëpi, në një vilë me një gazetar të shquar të Spanjës, Sebrian, i cili është themeluesi i gazetës më të madhe spanjolle “El Pais” dhe qëndruan disa ditë.

Po ndërkohë në shtëpinë e tyre ishin montuar mikrofona. Në çdo vend, atje ku hanin, i kishin montuar vetë ata dhe bënë një bisedë të lirshme. Dhe të gjithë këtë bisedë të 2-3 ditëve, për të gjitha këto, për të majtë, e për të djathtë, etj. etj. Këto i zbardhën dhe doli një libër, të cilit i kanë vënë një titull shumë, shumë interesant. “E ardhmja nuk është ajo që ishte”. Pra, në qoftë se ne para 20 vjetësh kemi menduar për një të ardhme, tani pas 20 vjetësh shohim që nuk është më ajo që menduam ne. Unë mund të them vetëm kaq që edhe e ardhmja e Shqipërisë nuk është ajo që ishte. Mendohej që e ardhme tjetër dhe jemi në një të tashme krejt ndryshe nga sa e mendonim. Sot në këtë të tashme mendojmë një të ardhme tjetër dhe me siguri do vijë një e ardhme krejt ndryshe.

… Për të luftuar kancerin synohet të ndërhyhet në ADN-në e njeriut. Pra, nëse ndërhyrja në AND-në e njeriut bëhet për të shëruar kancerin është një mrekulli. Po nëqoftë se ndërhyrja në ADN bëhet për arsye të tjera është një katastrofë. Prandaj shkenca, shkëncëtarët, gazetarët, shkrimtarët, politikanët, kanë për detyrë që të shikojnë një të ardhme, e cila do të jetë ndryshe po të mos jetë katastrofike.

Ca fjalë për rishtarët politikanë

“Lufta kundër korrupsionit sa vjen e bëhet më e vështirë sepse vetë lufta kundër korrupsionit ka filluar të korruptohet. Ndonjë nga deputetët thoshte çfarë na këshilloni? Unë u thashë pikërisht këtë gjë. E para jini vetëvetja! Sepse nëse ju tërheq prej hunde politika e ditës nuk mund të bëheni kurrë politikanë, por do jeni ca njerëz të tërhequr pas qerres. E dyta, mos u dashuroni me vetveten në politikë, mos u dashuroni me vetveten në sallën e parlamentit, po dashurohuni me përgjegjësinë dhe integritetin tuaj si përfaqësues të votës së njerëzve që ju kanë sjellë aty. Dhe e fundit thashë, lexoni sa më shumë! Për një arsye, sepse jashtë parlamentit ka patur dhe gjithmonë do ketë njerëz shumë më të zgjuar se sa brenda parlamentit. Në çdo parlament. Të çdo vendi tjetër të botës. Natyrisht edhe në Shqipëri. Dhe në qoftë se shkojnë deputetë, të cilët nuk kanë prekur një libër…Kur isha deputet u grinda me dikë dhe ai ma bëri “Po çfarë ke ti më shumë se unë?” I thashë “Unë kam shkruar aq libra sa ti nuk i ke lexuar. Pra, nëqoftë se një deputet ka lexuar vetëm një libër në jetën e tij apo dy, ai nuk mund të reflektojë kulturë në parlament.”

Namik Dokle duke firmosur librat e tij

Reflektimi i Namik Dokles për kohën kur ishte në politikë. A mund të kishte bërë diçka ndryshe?

“Natyrisht në politikë njeriu mund të ketë shumë dëshira dhe nëqoftë se ka dëshira për të bërë për të tjerët, për të bërë për shtetin, për të bërë për shoqërinë, jo gjithçka mund të realizohet. Dhe natyrisht ka edhe plot gjëra që mund të ishin bërë ndryshe. Sidomos për shembull privatizimi i mbuluar nga korrupsioni është një nga gjërat që ka prekur rëndë shoqërinë tonë…Ndërkohë pasuri të mëdha të këtij populli kanë rënë në duar të xhahilëve, të cilat mund të ishin menaxhuar shumë më mirë, shumë më bukur, shumë më me efikasitet dhe natyrisht në këtë rast dhe politika ka përgjegjësi, politikanët kanë përgjegjësi dhe unë duke qenë brenda asaj politike dhe jo në role të vogla. Natyrisht reflektoj dhe ndjej përgjegjësi dhe them që kjo mund të bëhej ndryshe etj. etj.

Madje, madje ka patur dhe raste të tilla që ti mendon, e shpreh mendimin tënd po shumica thotë “Jo” dhe je i detyruar që t’i bindesh shumicës sepse nuk mund të bëhen kryengritje “në pallat” në një kuptim. Dhe ka patur disa raste që unë për shembull kam qenë edhe drejtues grupi dhe mendoj që ajo periudhë që kam qenë drejtues grupi të PS-së ’92-’96 për mendimin tim është periudha më e mirë e jetës sime politike sepse atje kam ndjerë vetveten të dobishëm, shumë më tepër se sa në një post tjetër. Dhe ka patur dhe raste që brenda grupit kam qenë në minorancë. Madje, madje unë mendoja krejt ndryshe nga i gjithë grupi dhe në fund të fundit u detyrova të mbroj pozicionin e grupit dhe jo pozicionin tim individual. Ndoshta, ndoshta, në atë kohë duhet të thoja “Jo! Këtë nuk duhet ta bëjmë kështu!” Duhet të isha më këmbëngulës sepse koha tregoi që unë kisha të drejtë dhe jo ata që ishin në mendim ndryshe. Por këto janë gjëra që ndodhin në politikë dhe natyrisht sjellin edhe reflektime, ndonjëherë edhe pendesë, por e mira është që këto të jenë mësime edhe për të tjerët. Natyrisht unë sa kam mundur, kush më ka kërkuar këshilla, i kam dhënë pa lekë.”

Momentet më të vështira për t’u menaxhuar kur ishte në politikë

“Ka shumë. Kujtoj shumë. Por po kujtoj vetëm një rast i cili ishte vërtet tepër i vështirë. Sepse u krijua një moment, një krizë e bankave shqiptare kur unë isha kryetar i kuvendit. Kriza ishte e tillë që humbi besimi i shqiptarëve te bankat dhe filluan të tërheqin kursimet dhe kjo dha shenjat e një orteku financiar që do përmbyste tërë sistemin financiar shqiptar dhe kjo ishte me pasoja shumë të rënda ekonomike. Dhe opozita në atë kohë mbajti një qëndrim “as po, as jo, as mish as peshk”. D.m.th që tha “le të merren këta, le të vrasin veten këta”. Po nuk ishte problemi që po vrisnim ne veten, një grup deputetësh, por po vetëvritej shoqëria shqiptare, ekonomia shqiptare. Dhe natyrisht te Partia Demokratike si sot e kësaj dite vendoste Sali Berisha. Kryeministër ishte Majko, unë kryetar kuvendi. Dhe bisedova me disa nga mendjet e ftohta, nga njerëz që e njihnin këtë problem.

Namik Dokle, Sali Berisha, Pandeli Majko dhe Ilir Meta

Bisedova me Ridvan Boden, që ishte kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që ku vemi, ku do të shkojmë, jo ne, po ku do të shkojmë të gjithë dhe Bodja si specialist më sqaroi se çfarë rreziku është në portat e Shqipërisë. Një rrezik i jashtëzakonshëm financiar, po binte gjithçka. Atëherë i them unë Bamir Topit, me të cilin kam qenë kolegë për shumë vite dhe kemi mbajtur marrëdhënie shumë respektuese ndaj njëri-tjetrit, i them: “A mund të na thërrasësh doktorin të ulemi ta bisedojmë këtë punë?!”. Edhe u mblodhëm, Berisha, Majko, Bode, Topi dhe unë. Kam përshtypjen që ishte dhe kryetari i grupit tonë, në atë kohë Arben Male, edhe ai financier që e njihte shumë mirë problemin. Bëmë një bisedë të gjatë dhe më në fund ia mbushëm edhe mendjen doktor Berishës dhe miratuam një ligj që mbronte kursimet e qytetarëve, dhe u ndërpre ky erozion i jashtëzakonshëm që mund të na çonte në një shkatërrim të pakthyeshëm.

Ka momente në të cilat mazhoranca dhe opozita duhet të bashkëpunojnë patjetër kur është interesi i vendit, kur është interesi i popullit, kur është interesi i zhvillimit demokratik dhe i integrimit të Shqipërisë….Natyrisht opozita duhet të gjejë mënyrat për të qenë edhe më e fortë, për të shkundur edhe maxhorancën se nganjëherë kur ka opozitë të dobët maxhoranca ec rehat, rehat, po rehat-rehat bie dhe papritur dhe pakujtuar dhe rrëzohesh dhe thyen këmbën a dorën. Dhe këtu ata deputetë që janë me përvojë duhet të dinë dhe duhet të veprojnë në mënyrë të tillë që të zgjidhen këto lloj problemesh pa u politizuar në ekstrem….besoj e ka thënë Churchilli “Politikanët dallohen në dy lloj politikanësh, ata që mendojnë për të ardhmen e vendit dhe ata që mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme”. Politikanët e mirë janë ata që mendojnë për të ardhmen e vendit dhe jo për zgjedhjet që bëhen pas 2 vjetësh apo pas 4 vjetësh. Mendoj që ky duhet të jetë një parim që të na udhëheqë sot, të udhëheqë politikën tonë.”

A e kemi bërë Shqipërinë më të mirë?

“Kujtoj si ka qenë kuvendi kur kuvendonte Dritëro Agolli dhe sot jemi krejtësisht në kushte të tjera që deputetë të caktuar nuk dinë kuptimin e fjalëve. A mendoni se plejada politike, dhe a kam të drejtë ta mendoj unë si qyetare, gazetare, si njeri që jetoj  në Shqipëri që Shqipërinë nuk e bënë më të mirë se ç’e la Ramiz Alia?”, u pyet Dokle.

“Jo. Nuk mund ta themi këtë sepse ka shumë gjëra, të cilat kanë ecur mjaft. Janë zhvillime të cilat janë shumë të dukshme. Mjafton të krahasosh buxhetin e shtetit shqiptar. Ka qenë 1 miliard, tani është shumëfishuar dhe kjo tregon zhvillim. Vendi është zhvilluar dhe është zhvilluar në drejtimin e duhur. Jo me ritmin e duhur. Jo me zgjidhjet e duhura gjithmonë por është në drejtimin e duhur. Është më afër se kurrë pranë Bashkimit Europian. Pra, po ta marrim në një plan makro, Shqipëria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara por në një plan më mikro po i themi, më të ngushtë, ka edhe prapambetje ose si me thënë stanjacione, të cilat nuk duhet të ndodhnin. Ajo që ju përmendët, Dritëro Agolli. Kuptohet, Dritëro Agolli ishtë Dritëro. Çdo krahasim çalon.”, u përgjigj ai.

“Po pse zgjidhnim asokohe deputetë më të mirë se ç’kemi sot? Më me peshë, më me autoritet.”, vazhdoi biseda me Namik Doklen.

“Varet nga zgjedhjet e partive….Mendoj që në këtë rast është ide e mirë që të pakësohet numri i deputetëve. Është shumë ide e mirë. Absolutisht. Sepse realisht Shqipëria nuk ka nevojë për aq deputetë. Nuk ka nevojë për deputetë që rrinë kot, që dredhin zinxhirin, paradite nga e majta në të djathë dhe pasdite nga e djathta në të majtë. Pra duhen aq deputetë sa janë efikasë për të bërë ligje të mira, për të ngritur probleme të sakta dhe për të gjetur zgjidhje adekuate, zgjidhjet e përshtatshme për çdo problem që lind në shoqëri. Dhe për këtë mjaftojnë 100 deputetë, por që janë deputetë dhe jo gjojadeputetë.

Mbi të gjitha parlamenti nuk ka nevojë për numër të madh deputetësh, po ka nevojë për mendje të mëdha dhe mendjet e mëdha të jenë brenda parlamentit por të dëgjohen sidomos dhe mendjet e mëdha jashtë parlamentit. Sepse nëse ne bëjmë një reformë ekonomike dhe nuk pyesim ekspërtet më të mirë që ka Shqipëria reforma do çalojë, nëqoftë se ne duam të bëjmë reformë në shëndetësi dhe nuk pyesim mjekët e shkëlqyer që ka Shqipëria reforma do të çalojë, nëse ne duam të bëjmë një reformë të zhvillimit bujqësor, të zhvillimit agroindustrial sidomos në kushtet e turizmit sepse turizmi pa zhvillimin e agroindustrisë nesër pasnesër do të bëhet anemik. Dhe nëqoftë se ne nuk u drejtohemi pikërisht këtyre njerëzve që punojnë dhe punojnë shumë mirë në këtë fushë, atëherë kuptohet që nuk do të zgjidhet problemi.

Gjithmonë mbetem me faktin se deputetët janë shumë të rëndësishëm, por jashtë parlamentit ka më të mencur se ata dhe një deputet i mençur është ai që kërkon këshillën jashtë parlamentit. Natyrisht dhe parlamenti ka këshilltarë dhe ata luajnë një rol të madh po këshilltarë që të dinë të këshillojnë dhe shefa që të dëgjojnë këshilltarët se s’mund të themi që mund të këshillojë një ministër, një deputet apo një kryetar komisioni një djalë 24-vjeçar apo 30-vjeçar. Për çfarë do ta këshillojë? Çfarë përvoje ka një 24-vjeçar që sapo ka dalë nga shkolla?! Vërtet mund të ketë mbaruar një shkollë të madhe, mund të ketë mbaruar edhe “Harvardin”, por akoma nuk ka bërë kontaktin e asaj që ka mësuar me atë që është në jetë. Në momentin që e bën këtë kontakt atëherë ai do bëhet një specialist dhe këshilltar i përkryer, por jo që në hapat e para. Ai që këshillon duhet të dijë dhe ai që këshillohet duhet të dëgjojë. Kuptohet po të marrësh një këshilltar 24-vjeç dhe po mos ta dëgjosh nuk i prishet puna atij po i prishet punë, punës”,- u përgjigj shkrimtari Namik Dokle.

Në fund të bisedës në Gogo.al Dokle, ish-gazetar dha edhe një këshillë për gazetarët e sotëm: “Gazetaria e mirë është gazetaria e së vërtetës. Dhe pikë”.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5