
Nga Alisa Braho
Fushata elektorale në Kosovë ka nxjerrë në pah një krizë të thellë të diskursit publik. Mungesa e asaj që në teorinë politike njihet si par condition në debatet televizive është alarmante: dështimi për të vendosur rregulla minimale të ndershmërisë argumentuese ka prodhuar një klimë ku agresioni verbal dhe akuzat personale zënë vendin e ideve dhe programeve. Kjo mungesë ka përkeqësuar degradimin e debatit publik, i cili sot duket se funksionon në një binar të thjeshtë: nëse nuk mendon si unë, atëherë je i paaftë ose i shitur. Ky polarizim ekstrem nuk ka vetëm pasoja politike; ai shfaqet veçanërisht në hapësirën mediatike, ku niveli i ulët i komunikimit ndërmjet kolegëve ka shpërfaqur një prirje për dehumanizim. Në vend të argumenteve, kemi sulme personale; në vend të mendimit kritik, kemi lincim publik.
Ajo që është më e frikshme në këtë dinamikë është mënyra se si kolegët në media janë trajtuar nga kolegët e tyre: pa mëshirë, pa reflektim, gati në një formë që synon ç’kombëtarizimin e tyre moral. Linçimi nuk është më vetëm një akt impulsiv; është kthyer në një metodë sistematike të përjashtimit të tjetrit. Ky dehumanizim është një paralajmërim për shoqërinë: kur fjala humb peshën dhe njeriu reduktohet në një objekt sulmi, atëherë edhe vetë demokracia rrezikon të zhvishet nga përmbajtja. Nëse nuk ndryshon qasja, atëherë ky proces nuk do të prekë vetëm individët e sotëm, por do të institucionalizojë një kulturë që prodhon vetëm, frikë dhe mediokritet.


