
Nga Isa Myzyraj
Të nderuar,
Ne, punonjësit dhe ish-punonjësit e shoqërisë “Ora” sh.a., të cilët prej kohësh përballemi me mosrespektimin flagrant të të drejtave tona themelore, ndjejmë detyrimin të reagojmë ndaj deklaratës së fundit të dhënë nga Ministria e Brendshme në lidhje me situatën e administrimit shtetëror të kësaj shoqërie.
Kjo deklaratë është thelbësisht absurde, e pasaktë dhe nuk adreson në asnjë mënyrë shqetësimin real dhe të ligjshëm të ngritur prej nesh: moskryerjen e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat përbëjnë një të drejtë të patjetërsueshme që garanton mbijetesën tonë sociale dhe ekonomike.
Nga përmbajtja e deklaratës suaj rezulton se qëllimi kryesor ka qenë mbrojtja dhe justifikimi i AAPSK-së si institucion, ndërkohë që nuk ofrohet asnjë zgjidhje konkrete për situatën emergjente ku ndodhen punonjësit. Nuk na intereson në asnjë mënyrë se çfarë masash administrative apo penale janë marrë ndaj personave përgjegjës për shkelje të mëparshme – ne kërkojmë vetëm atë që na takon ligjërisht: pagesën e kontributeve të sigurimeve.
Për më tepër, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk ka marrë asnjë masë për likuidimin e këtyre detyrimeve, përkundrazi, ajo ka zgjedhur rrugën më të dëmshme për interesat tona duke e çuar shoqërinë “Ora” sh.a. në gjykatë me kërkesë për shpallje falimenti, duke e bërë praktikisht të pamundur realizimin e detyrimeve financiare ndaj nesh.
Në këtë kuadër, deklarata publike se “të gjitha detyrimet e prapambetura do të adresohen në mënyrë të plotë dhe transparente” është jo vetëm e pavërtetë, por edhe ofenduese, në kushtet kur vetë AAPSK po i largohet detyrimeve që ka si administratore e shoqërisë, përmes një procesi falimentimi që shmang çdo përgjegjësi reale për të drejtën tonë.
Duke qenë se ligji nr. 34/2019 i ndryshuar, i jep Agjencisë kompetenca të qarta për administrimin dhe përdorimin e fondeve të posaçme në funksion të ruajtjes dhe mirëadministrimit të pasurive të sekuestruara, AAPSK ka patur jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin ligjor që të ishte drejtuar Komitetit Nderinstitucional për alokimin e një fondi specifik, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të shoqërisë ndaj punonjësve të saj.
Në përfundim, kërkojmë miratimin e menjëhershëm të një fondi të tillë nga fondet në dispozicion të AAPSK, me qëllim pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën e papaguar, si një hap i domosdoshëm për të shmangur pasoja të rënda sociale dhe ligjore ndaj qindra qytetarëve të ndershëm që kanë kontribuar për vite në këtë shoqëri.
Me respekt,
Punonjësit dhe ish-punonjësit e shoqërisë “Ora” sh.a.


