
Kryeministri Edi Rama ka zgjeruar dukshëm fushatën kundër informalitetit dhe ndërhyrjeve në hapësirat publike, duke nxjerrë disa prej ministrave të kabinetit në terren. Aksioni përfshin sekuestrimin e produkteve ushqimore pa faturë, ndërhyrjet në ndërtime të paligjshme dhe lirimin e zonave të zëna nga biznese private. Qasja e re është shoqëruar me një prani të shtuar të anëtarëve të qeverisë në inspektime dhe takime direkte me aktorë ekonomikë në terren.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, është parë në disa pika tregtie, ku ka monitoruar zbatimin e udhëzimit për ndalimin e tregtimit të produkteve të bulmetit pa faturë. Në krah të saj, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka zhvilluar takime me shitës dhe operatorë të tregut ushqimor, duke theksuar nevojën për rritjen e formalizimit dhe respektimin e rregullave fiskale.

Ndërhyrjet kanë si pikënisje deklaratat e fundit të kryeministrit Rama, i cili në një konferencë për shtyp kritikoi drejtpërdrejt Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe e cilësoi si të papranueshme tregtinë e produkteve ushqimore pa dokumentacion ligjor. Ai paralajmëroi sekuestrime masive dhe penalizime për të gjithë ata që operojnë jashtë sistemit. Ministrja Denaj është pozicionuar në vijën e parë të këtij operacioni, duke marrë përsipër zbatimin praktik të porosisë politike.
Paralelisht, ka nisur zbatimi i një tjetër aksioni, i njohur si “çlirimi i hapësirave publike”. Fushata ka filluar në zona turistike si Thethi, ku janë shembur struktura pa leje ndërtimi, dhe është shtrirë tashmë në qytete të tjera si Vlora, Durrësi, Shkodra dhe Tirana. Kryeministri e ka përshkruar këtë proces si një ndërhyrje afatgjatë, me një horizont që shkon deri në vitin 2028.Në këtë fazë janë përfshirë edhe figura të tjera kyçe të kabinetit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka ndjekur nga afër masat për lirimin e zonave të zëna në mënyrë të paligjshme, duke zhvilluar takime ndërgjegjësuese me qytetarët dhe strukturat vendore.

Po ashtu, deputetja Olta Xhaçka është angazhuar në zonat e saj elektorale, me inspektime në terren dhe mesazhe të përsëritura publike që përforcojnë narrativën e ndërhyrjes qeveritare.

Përtej asaj që shfaqet në pamje të parë, ky mobilizim i ministrave në terren duket të jetë më shumë sesa thjesht një masë sezonale. Mesazhi është i qartë: aksioni nuk është lënë në dorë të strukturave të zakonshme administrative, por ka marrë një karakter politik, me ministrat që jo vetëm firmosin vendime, por edhe shfaqen në zbatim të tyre. Te pakten ky mund te aryseja e imazhit qe kerkon te le pas


