Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur skuadrën për zgjedhjet e vitit 2025. Kështu në mbledhjen e Asamblesë së PS-së që Rama mblodhi sot në qytetin e Durrësit, ai caktoi drejtuesit politikë të 12 qarqeve. Mesa duket qarkun e Tiranës, Rama nuk ia besonte dot një personi të vetëm, pasi ka caktuar plot 3 drejtues politikë: Kryetaren e re të Parlamentit Elisa Spiropalin, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn dhe ministren e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliun.

Në Durrës drejtuese politike do të jetë Emirjana Sako, në Shkodër Benet Beci, në Lezhë Ulsi Manja, në Kukës Pandeli Majko, në Dibër Blendi Gonxhe, në Elbasan Arbian Mazniku, në Fier Belinda Balluku, në Korçë Niko Pelshi, në Gjirokastër Mirela Kumbaro, në Berat Ervin Demo, në Vlorë Bledi Çuçi. Ndërsa Taulant Balla do të jetë drejtues politik për diasporën.

Përveç drejtuesve politikë për 12 qarqet, Rama ka bërë një sërë ndryshimet të tjera, pasi u votua për Kryesinë e PS-së, për sekretariatet si dhe për Asamblenë Rinore.

Moment nga puna të dielën e socialistëve të Shqipërisë

Votimi për Kryesinë e PS-së dhe Sekretariatin

Rama propozoi 14 emra emra për Kryesinë, 7 gra e 7 burra nga të cilët do të zgjidhen vetëm 10: Arben Pëllumbi, Erjon Braçe, Eduard Shalsi, Pirro Vëngu, Pjerin Ndreu, Toni Gogu, Vangjel Tavo, Albana Koçiu, Anila Denaj, Delina Ibrahimi, Etilda Gjonaj, Klodiana Spahiu, Klotilda Bushka, Lindita Nikolla. Kështu nga Kryesia aktuale e PS-së kanë mbetur jashtë emra si: Ilir Beqaj, Blerina Gjylameti, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati dhe Armando Subashi.

Në mbledhjen e sotme po ashtu u miratua dhe sekretariati ekzekutiv. Konkretisht,
Blendi Klosi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri Sekretar i Organizimit dhe Zgjedhjeve, Evis Kushi Sekretare e Gruas, Milva Ikonomi Sekretare e Programit, Zerina Bruci  Sekretare për Diasporën, Romina Kuko Sekretare e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe Roi Bashaj  Sekretar i Rinisë.

Përveç ndryshimeve në strukturat e rëndësishme të PS-së, kryeministri Rama dha dhe një sërë mesazhesh, bëri parashikimin se PD në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrë më shumë vota se sa ka marr në vitin 1997, si dhe premtoi goditjen e sipërmarrjeve që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Kush nuk deklaron pagat reale do arrestohet si hajdutët e energjisë elektrike

Rama paralajmëroi se do të niste një aksion kundër sipërmarrjeve që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Madje prerazi theksoi se kush nuk deklaron pagat do arrestohet. “Mund të them troç, rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët në vitet në vijim nuk mund të jetë domethënëse nëse nuk i japim të gjithë bashkë si shtet, qeveri dhe shoqëri si sipërmarrje një goditje domethënëse fenomenit të fshehjes së pagave që për paspojë godasin të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve. E thënë me fjalë të tjera, do bëjmë me kuotat e sigurimeve atë që bëmë me faturat e energjisë. Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike.”– tha Rama. Ai tha se plani për garantimin e sigurimeve shoqërore do nisë nga java e dytë e muajit.

Do rritet bonusi i fundvitit për pensionistët

“Pensionistët e dinë më mirë se kush do tjetër që o rrit PS, o nuk i rrit” – tha kryeministri kur dha lajmin se do rriste bonusin e fundvitit për pensionistët. Ai tha se kjo do bëhej paralalelisht me goditjen ndaj sipërmarrjeve për deklarimin e pagave reale.

“Javën e dytë të muajit të ardhshëm do nisim të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të ideve tona për rritjen e pensioneve, por do fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore. Ky plan që po punohet prej muajsh, do synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike, për të shkuar përtej nivelit të bonusit të fundvitet dhe indeksimit.”-tha kryeministri, sipas të cilit sipërmarrjet që fshehin pagat reale po vjedhin edhe atë çka u takon pensionistëve.

Mbështetje për agroturizmin me “Paketën e Maleve”

Në fjalimin e tij të gjatë, Rama njoftoi angazhimin për të mbështetur të ashtuquajturën “paketa e maleve” për të rritur agroturizmin. “Thethi dhe realiteti i ri i agro-turizmit apo turizmit të aventurës, na kanë nxitur që të projektojmë një paketë mbështetëse që njihet si ‘Paketa e maleve’. Do e prezantojmë në Theth dhe në të tjera pika në Shqipëri, do e prezantojmë edhe në Diasporë, ku do të hapim një rrugë të re, për fitoren e 10 rradhazi. Do i tregojmë shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe Greqi, që merren me turizmin atje, që ka ardhur koha të kthehen në Shqipëri dhe me dijet e përftuara atje, të vijnë të investojnë dhe të punojnë në vendin e tyre, pasi do t’ju dalë edhe më mirë se ajo paga që marrin duke punuar në emigracion.”– tha Rama.

Rama: Kush ka më shumë se 1 mandat, bashkë me mua në lista të hapura, të rinjtë në listat e mbyllura

Në mbledhjen e Asamblesë, Rama theksoi se në listat për zgjedhjet e 2025, deputetët dhe drejtuesit e qarqeve me më shumë se një mandat do të garojnë në listën e hapur sëbashku me të. Ndërsa listat e mbyllura do të jenë për të rinjtë, për t’ju siguruar atyre një mandat. “Është e udhës të ndaj me ju që sot se më e mira është që deputetët me më shumë se 1 mandat pa përjashtuar drejtuesit politikë të qarqeve ku bëj pjesë edhe unë personalisht të jenë me garë të hapur, ndërsa listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre që do kenë detyra specifike koordinuese si sekretari i përgjithshëm, apo drejtuesi i ri politik i diasporës. Pjesa kryesore e listës së mbyllur do jenë deputet me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja.”-deklaroi  kryesocialisti.

Parashikimi për mandatet e PD-së

Kryeministri Edi Rama jo vetëm që është i bindur për fitoren e PS-së, por bëri edhe një parashikim se sa e thellë do të jetë humbja për PD-në. “Në zgjedhjet e ardhshme PD-ja zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997. Mbajeni shënim. Këtë herë humnera është destinacion ekskluziv vetëm i asaj partie, i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj.”-tha Rama duke iu referuar vitit kur demokratët pësuan humbjen më të thellë të historisë së tyre, duke marrë vetëm 25 mandate.

Rama i vendosur për “Komisionin Xhafaj”

Kryeministri tha se Komisioni Anktikorrupsion do të vijojë deri në fund, pavarësisht nëse opozita merr ose jo pjesë. “Në fakt krejt e kundërta e gjithë këtyre është e vërteta e atij projekti, i cili nisi pavarësisht të gjithë rezistencës absurde të atyre që s’e kanë idenë as të shtetbërjes evropiane dhe as të përmbajtjes së procesit të neogociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që ka drejtëpërdejtë nevojë për këtë projekt. Ky projekt do të shkojë deri në fund nën drejtimin e kolegut dhe shokut tonë Fatmir Xhafa pavarësisht nëse do duan apo nuk do të duan ata, që deri tani nuk duan.”-tha Rama duke shtuar se së shpejti do të bëhet publik dhe projekti tjetër i Shqipërisë transparente lidhur me cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet.

Rama për 12 drejtuesit politikë të PD-së: Humbësa, njëri më i rraskapitur se tjetri

Rama komentoi dhe listën e Partisë Demokratike me 12 drejtuesit politikë, të bërë me dije pak ditë më parë. Ai e cilësoi këtë një listë fund e krye me humbësa. “Është edhe për të qeshur sepse për të qarë, nuk qajmë dot për ta, kur të nxjerrin përballë një ekip drejtues për zgjedhjet e ardhshme si ai që doli para pak ditësh, besoj e patë. Dhe ma ha mendja njësoj si mua, edhe juve ju iku, gjysma e dëshirës për betejë. Fund e krye humbësa kronikë, njëri më i rraskapitur se tjetri, të njëjtët që e nxorrën sa e sa herë fitimtar Lulin e shkretë dhe tani do ta vulosin fitoren në penxheren e katit të tetë. Dhe pastaj thonë nuk fitohet kundër diktaturës së Edi Ramës dhe PS.”-komentoi Rama.

Vetëm pak ditë më parë, Flamur Noka dhe Edi Paloka u emëruan në krye të fushatës në nivel kombëtar për Partinë Demokratike. Për qarkun e Tiranës, drejtues politik u vendos Belind Këlliçi, edhe pse vitin e kaluar ai i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie. Këlliçi do ketë përballë jo një, por 3 drejtues politikë nga PS: Veliajn, Spiropalin dhe Manastirlliun. Për qarkun e Elbasanit nga PD drejtues politik është vendosur Ervin Salianji, Gazment Bardhi do të drejtojë fushatën në Fier, në Lezhë është vendosur Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boçi do të drejtojë qarkun e Shkodrës, qarku i Kukësit do të drejtohet nga Flamur Hoxha dhe Xhelal Mziu do të jetë përfaqësuesi për Dibrën.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13