
Bazilika e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania ishte ndalesa e parë e një vizite të kreut të qeverisë Edi Rama dhe familjes së tij në Vatikan. Përmes fotove e videove të ndara në rrjete sociale Rama dëgjohet të bëjë një lutje të veçantë ku thotë: “O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”.
I shoqëruar nga kleri katolik, Rama ka nderuar në homazhe Papa Françeskun duke u ndalur pranë varrit tij ku vendosi buqeta me lule. “Homazhi në varrin e Papa Françeskut, mik i paharruar i Shqipërisë dhe i familjes sonë, që nuk harronte kurrë të lutej për popullin tonë e të na dërgonte mesazhet e tij të miqësisë, ishte një çast i veçantë i vizitës në Selinë e Shenjtë”, – shkruan ai në “Facebook”.



Takimet e kreut të qeverisë vijuan me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Selia e Shenjtë përmes një njoftimi shprehet: “Në bisedimet e përzemërta u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile”. Në tryezë u diskutua për çështjet kryesore rajonale, Ballkani Perëndimor dhe integrimi i Shqipërisë në BE.


Në vijim të qëndrimit në Vatikan, Rama është pritur në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Leone i XIV-të, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe djali i vogël, Zaho Rama. Takimi me Papën u mbajt në Pallatin Apostolik në Vatikan, ndërsa bisedimet u zhvilluan në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit ku u fol edhe për marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile.




