
Sheshi “Skënderbej” nisi me përgatitje këtë mëngjes për një mbledhje që Rama e njoftoi vetëm disa orë më parë, duke vënë në rresht administratën e Bashkisë së Tiranës. Ky takim erdhi vetëm disa ditë pas arrestimit të Veliajt. Mbledhja nisi me fjalimin e Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e bashkisë, e cila në fjalën e saj ajo shprehu se pavarësisht gjithçkaje Tirana nuk dorëzohet kurrë. “Tirana është shtëpia jonë dhe shtëpia jonë nuk ndalet dhe nuk dorëzohet. Punë të mbarë dhe me shprehjen e kryetarit, ‘jeni më të mirët, ecim përpara’ uroj të mos ndaleni.– tha Ristani.
Rama nisi me fjalimin e tij duke sqaruar se pse zgjodhi këtë mbledhje, ndërsa komentoi sërish arrestimin e Veliajt, duke e quajtur të padrejtë. “E kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush por edhe mes shumë të tjerësh njerëz të prekur e lënduar, të dëshpëruar. Disa nga ju shkuan edhe tek dera e GJKKO-së për të protestuar ditën që kryetari i bashkisë u la në burg pa gjyq. Nuk dua t’i gjykoj keq, përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më as nga ju e as nga askush që punon për shtetin shqiptar në cilindo institucion.”– tha Rama.

Ndërsa sqaroi se ai nuk është në pozita për të gjykuar pafajësinë e tij, por ja lë këtë në dorë organeve të drejtësisë të cilat gjithashtu do të kenë mbështetjen e tij. “Ndërsa barra juaj e përbashkëta është që makineria e Bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë por të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Jam këtu për t’ju thënë se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë të marrë drejtim në një mënyrë apo tjetër vëmendja ime për Bashkinë e Tiranës do të jetë e pandërprerë. Organet e drejtësisë t’i japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës së prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe punonjës shteti në detyrë, ku as janë kapur në flagrancë, as përbëjnë rrezik për arratisje e as nuk kanë çfarë provash të prishin”.

Më pas Rama u ndal tek transformimi i Tiranës në vitet e fundit, ku sipas tij është një punë e bërë nga ai dhe Veliaj. “Asnjë buf dhe asnjë specie e kënetës tjetër mediatike dhe politike nuk mbulon dot me shoshën e blozës dhe llumit diellin e transformimit të Tiranës, ku pa mua që e nxora pa koma dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pa kursyer të popullit të Tiranës dhe pa lali Erion që e bëri të vrapoje e të kthehet në një destinacion turistik ky qytet nuk do të ishte kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë, politikanë opozitarë qytetarë gazetarë, që i çojnë fëmijët në shkolla kopshte e çerdhe që nuk i lënë asgjë mangut atyre të BE, e duke i çuar të afërmit në një spital që nuk i lë gjë mangut atyre të BE.” u shpreh ai.
Rama nuk la pa i’u përgjigjur edhe atyre që kërkojnë që të largohet nga pushteti. “Disa më pyesin, ça dua unë akoma që nuk iki? Ca të tjerë përgjigjen: Nuk ikën ai se është i pangopur. Nganjëherë kur llumi, helmi, zhurma bëhen një potere e madhe, pyes edhe unë vetën “ça dua akoma që rri dhe mbaj këto jashtëqitje gojësh të shthurura, mendjesh gjysmake dhe shpirtrash të varfër mbi fytyrë dhe për ca arsye duhet që familje ime të durojë këtë qenëri mesjetare. Përgjigja është sa e thjesht aq edhe e pakundërshtueshme brenda meje: Nuk iki se kam një luftë për të mbaruar. E dini…se nuk e kam thënë ndonjëherë. Mua më ka futur në këtë luftë shiu dhe balta e varrezave të Sharrës. Kur erdha atëherë nga Franca për të përcjellë tim atë, kur u ktheva në shtëpi pas varrimit sikur u ktheva nga lufta. Me baltën deri në gju.“

Pjesë e fjalës së Ramës ishte edhe kundërpërgjigja për SPAK-un, duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë. “Ato ndërtimet që u prishën në Lanë e dini si janë prishur dhe si janë pastruar një sasi rrënojash që kapi volumin 138 mijë ton beton. Janë prishur me korrupsion, kam bërë unë korrupsion, i kam thirrur ndërtuesit në zyrë këtu dhe i kam thënë: Keni dhënë ndonjë lek ju për lejet e ndërtimit. Ata shihnin si është punë. Jo, jo, jo – u përgjigjën. Mirë, më dini budalla ju mua? – u thash, që merrni leje dhe s’më jepni mua asgjë. Atëherë, u thash, ka ardhur koha të paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës. Ua ndava segmentin e Lanës me copa, merrni buldozerët, naftën, prishini se përndryshe nuk merrni më leje ndërtimi. Dhe në vijën logjike të hetime intensive, jam gati të dorëzohem para drejtësisë.“- tha Rama.
Ndërsa në fund të mbledhjes, Rama theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje dhe me përkushtim, pavarësisht sfidave që ka përballuar. Ai ka shtuar se të gjitha këto zhvillime janë pjesë e një lufte që ai dhe administrata e tij po përballin për të siguruar transformimin e mëtejshëm të Tiranës.
Në lidhje me këtë miting, pati një sërë reagimesh, nëse ky veprim i Ramës është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe keqpërdorim i administratës. Qendresa Qytetare i drejtoi kërkesë KQZ-së për ndalimin e mitingut edhe pse kjo kërkesë nuk u shqyrtua.



