Kryeministri Edi Rama

Në fund të marsit eksponentë të Partisë Demokratike komunikuan te publiku një informacion sensitiv sa i përket një procedure tenderimi. Sipas të dhënave të tyre Ministria e Mbrojtjes kishte zgjedhur që tenderin 1.5 milionë euro të ushqimeve ta fitonte një kompani kompjuterash e quajtur “Eurovia” shpk.

Ndonëse pretendimet dhe akuzat e opozitës në kulm të pandemisë së Covid19 mbetën në nivelin e deklaratave politike, ku nuk pati as një shpjegim shterues nga eprorët e autoritetit kontraktor për akuzat në fjalë, disa ditë më pas zbulohet se qeveria ka vendosur të blindojë nën emërtimin “kontratë sekrete” një metodë që i mban në hije operacionet, duke penguar publikun të njihet me to.

Pse e ka këtë nevojë qeveria shqiptare? Shpjegimi më poshtë hedh dritë mbi “Pse”-në dhe mbi katër lëvizjet e para të saj.

Qeveria “vizionare”, kontratë sekrete dy javë para se virusi të zbulohej në Shqipëri

Kontrata sekrete e legjitimon fshehjen e informacionit mbi detajet e marrëveshjeve që lidh qeveria dhe institucionet e saj të varësisë me kompani të ndryshme. Publiku nuk ka të drejtën të shohë në kohë reale zhvillimin e procedurave të tenderimit, shumën e parave në dispozicion, të pyesë mbi to e mbi kompanitë, me të cilat janë lidhur kontratat dhe të analizojë në transparencë të plotë përgjigjen e pyetjes “Pse janë zgjedhur këto kompani dhe jo të tjera?”.

A është treguar qeveria vizionare e nxitur nga situata e jashtëzakonshme e krijuar nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019?!

Ajo që të bën përshtypje është distanca kohore mes zbulimit të rastit të parë më Covid19 në Shqipëri dhe përpilimit e firmosjes së VKM-së së parë për të strukturuar se kur do përdoreshin kontratat sekrete në përgjithësi. Distanca kohore është dy javë para zbulimit të koronavirusit. Vendimi i parë i qeverisë për këtë metodë, e cila shmang totalisht transparencën për publikun është firmosur më 26 shkurt 2020, ndërsa u zbulua se pacienti i parë i infektuar me Covid19 kishte hyrë brenda territorit tonë më 9 mars 2020. Më pas qeveria shqiptare kujtohet të firmosë një vendim të dytë, të posaçëm për pandeminë më 22 mars.

Metoda e re e kontratave sekrete është vulosur me dy lëvizje siç mund të jetë e kuptueshme po të klikohet Linku . Arsyetimi? Për interesa thelbësorë të shtetit.

Aranita Brahaj, drejtoreshë ekzekutive e “Open Data” e cilëson jokushtetues vendimin e qeverisë Rama.

Katër kontrata sekrete dalin në dritë

Të dhënat e vetme që gjenden në Fletoren Zyrtare mbi kontratat sekrete janë ato të objektit të tenderit dhe emrit të kompanive fituese.

Katër kontratat në fjalë janë lidhur në prill me këto kompani:

“FEDOS” sh.p.k– Blerje materiale mjekësore për parandalimin e përhapjes së virusit Covid19

“O.E.S Distrimed”-Blerje kite për laboratorin mikrobiologjik për QSUT-në

“Eco Riciklim”– Asgjësimi i mbetjeve spitalore të Covid19 në QSUT

“TBS 96” sh.p.k– Furnizim vendosje respiratorë për të rritur dhe fëmijë për Covid 19

Paraprakisht ekzistonte mundësia e blerjeve të drejtpërdrejta nëse qeveria do të kishte ngut për të blerë produkte në nëvojë të situatës. Faktet tregojnë se kur qeveria ka dashur e ka vënë në funksion këtë metodë edhe në kulm të pandemisë, mjafton të shihen me kujdes kontratat me “O.E.S Distrimed” dhe “Eco Riciklim”.

Pandemia e Covid19 po shfrytëzohet me shpejtësi nga kryeministri Rama për të qarkulluar fshehtas miliona lekë me pretekstin e kontratave të fshehta në gjendjen e emergjencës. Situata po përdoret edhe për kopsitjen e ashpërsimit të dënimit me 15 vjet në rast të thyerjes së karantinës kur shkakton infektim dhe vdekje të të tjerëve. Pritet që kuvendi të diskutojë në një seancë të posaçme ndryshimet në kodin penal.

Valmora Gogo/ Kryeredaktore
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)