
Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për median belge “UnHerd” ku gjatë bisedës me gazetarin Aris Roussinos u ndal në disa çështje kryesore, si: takimi i shumëpërfolur në Aruba me Artur Shehun për të cilin kërkoi dokumentim me fotografi, numrin e dhomës së hotelit apo biletën e prerë drejt ishullit. Rama u pyet edhe për çështjen Zvërneci, duke ritheksuar se projekti nuk do të anulohet, por për të do të ketë konsultime. Ai qëndroi hermetik sa i takon pyetjes për problemet në PS dhe krisjet e marrëdhënieve me Elisa Spiropalin, duke shtuar se çfarë është e brendshme nuk duhet të shkojë për kosum publik. Kryeministri foli dhe te protestat, ku tha se ndryshe nga dy të parat në 2013 dhe 2018 që u tërhoq, këtë herë nuk ka hapa pas.
Pjesë nga shkrimi:
Mbi pyetjen për takimin në Aruba me Artur Shehun:
“Ku është? Kush, ku? Ku është fotografia? Ku është dokumenti? Ku janë biletat? Ku, ku?” u përgjigj Rama. “Atëherë, si do t’i përgjigjeshe,” shtoi ai, duke më drejtuar gishtin, “për shembull, një akuze se dje ke qenë me disa trafikantë droge në hotelin ku po qëndron? Si do t’i përgjigjeshe?”.
Më tej Rama vazhdoi: “Po, figurat e opozitës mund t’ju thonë shumë gjëra, por nuk më takon mua t’ju them nëse kemi apo jo lidhje me ta; u takon atyre të provojnë nëse kemi apo jo lidhje, sepse jam vërtet i neveritur prej vitesh që në këtë vend… barra e provës u ka kaluar atyre që janë akuzuar.”

Për mosmarrëveshjet me deputeten socialiste, ish-kryetare të Kuvendit, Elisa Spiropali:
“Kjo është një çështje shumë e brendshme, një çështje e jona,” tha Rama. “Dhe duhet ta mbajmë për vete, sepse nuk mendoj se duhet t’i nxjerrim gjërat tona të brendshme jashtë, përpara publikut, sepse pastaj bëhet sikur po ushqen kureshtjen, po ushqen me gjëra kurioze një audiencë që nuk është fare brenda historisë, që nuk është e informuar për asgjë.”

A do tërhiqet pas protestave nga projektet në Zvërnec?
“Kur erdhi e para, u tërhoqa sepse ata kishin të drejtë. Kishin një argument shumë të fortë. U thashë: keni të drejtë, do të ndalojmë. Dhe përfundoi; ata morën atë që donin. Herën e dytë nuk u tërhoqa, por nisa një dialog me ta dhe bëmë gjëra të mira. Këtë herë kam mësuar nga këto përvoja, ndaj nuk do të tërhiqemi nga projekti i Zvërnecit, kjo është e sigurt. Por do të zhvillojmë një proces konsultimi.” Në fund, Rama tha për median belge: “Besoj fort se projekti do ta mbyllë plotësisht këtë kapitull, sepse do të jetë i bukur.”
Citimet janë përkthyer nga shkrimi origjinal i botuar në “Unherd”


