Kryeministri Edi Rama sulmoi publikisht prokuroren Elsa Gjeli, pas vendimit të saj për të mos nisur ndjekje penale ndaj ndërtimeve të përkohshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Në një transmetim live, Rama e quajti rastin “masakër mjedisore” dhe i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë të marrë masa ndaj prokurores, duke i konsideruar vendimet e saj si të pajustifikuara dhe të dëmshme për mjedisin.
Por Prokuroria e Shkodrës reagoi menjëherë, duke mbrojtur vendimin e prokurores dhe duke rrëzuar publikisht pretendimet e kryeministrit. Në deklaratën zyrtare, Prokuroria theksoi se vendimi për mosfillimin e çështjes është marrë në përputhje me ligjin, bazuar në faktet dhe dokumentacionin zyrtar.
Në reagimin zyrtar të prokurorisë, strukturat në fjalë janë kontejnerë të përkohshëm, të vendosur mbi pllaka guri, pa themele betoni, të cilët nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të ligjit për territorin, ndaj dhe penalisht nuk plotësojnë kriteret për ndjekje të rastit nga prokuroria. Është vetë Policia e Shtetit, sipas prokurorisë, që në procesverbalin e këqyrjes së vendit ka konfirmuar se kontejnerët nuk janë ndërtuar mbi bazamente betoni. Bashkia Shkodër, në shkresën dërguar Policisë Gjyqësore, e ka klasifikuar rastin si kundërvajtje administrative dhe jo si vepër penale, çka nuk i jep kompetencën prokurorisë për të vepruar.


Në fakt, këtu mund të themi se janë institucionet që kontrollohen nga socialistët, si Bashkia e Shkodrës, Policia Bashkiake dhe IMT-ja, të cilat, ndonëse e konsiderojnë rastin si kundërvajtje administrative, nuk veprojnë siç e kërkon ligji, por e referojnë atë në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, megjithëse neni 4, pika 1 dhe neni 6 i ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” u njeh kompetencën për të ushtruar përgjegjësitë e menaxhimit të territorit dhe për të marrë masa ndaj shkeljeve administrative në territorin që administrojnë.
Neni 4, pika 1: “Njësia e vetëqeverisjes vendore është përgjegjëse për qeverisjen dhe administrimin e çdo çështjeje publike, në interes të komunitetit që përfaqëson.”
Neni 6: “Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtë dhe detyrim të ushtrojnë funksionet për administrimin dhe mbrojtjen e territorit.”


Nuk dihet se përse këto struktura e kanë referuar këtë rast në prokurori dhe përse nuk kanë vepruar kur ligji u jep këtë të drejtë për t’i hequr ato struktura ndërtimi. Mbase për të shmangur përgjegjësinë? Apo sepse këto institucione nuk i kanë të qarta funksionet e tyre?

Në vend të këtyre institucioneve nën varësinë e Bashkisë Shkodër, ku në pushtet janë socialistët, në shënjestrën e Edi Ramës është vendosur Prokuroria e Rrethit Shkodër. Me anë të reagimit të saj, ajo jo vetëm shmang përgjegjësinë që, sipas saj, ligjërisht nuk i takon, por madje kërkon të tregojë përgjegjësit e vërtetë të mosreagimit. Prokuroria thekson se vendimi i saj nuk është akt vullneti personal, por akt ligjor, i mbështetur në Kodin Penal dhe në ligjin për planifikimin e territorit. Çdo tentativë për të ndikuar te vendimmarrja e prokurorit përbën presion ndaj drejtësisë dhe shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.
Deklaratat e kryeministrit, sipas Prokurorisë, përbëjnë një ndërhyrje të papranueshme në një vendim profesional dhe ligjor, bazuar në parimin e drejtësisë, që sipas saj, përmes komenteve publike, mund të perceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.
“Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.
Prokuroria mbetet e angazhuar për të kryer funksionin e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.”
Thethi, përveçse një destinacion turistik i njohur tashmë, është shndërruar në një rast jo vetëm mediatik, por edhe të një krize të vogël institucionale, që po sfidon balancën mes pushteteve dhe parimin e shtetit të së drejtës. Mbetet për t’u parë nëse socialistët do të shkojnë deri në fund në këtë përplasje, e cila mund të ketë pasoja të gjera për funksionimin e shtetit dhe demokracisë.

LËR NJË KOMENT

Justina Shiroka Pula është zyrtarisht Presidente e Republikës së Kosovës. Ajo u votua gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pak minuta para skadimit të afatit përfundimtar për zgjedhjen e presidentit....
/ Oct 7
Nga Xhensil Shkëmbi Kjo është Maricarmen Abascal, 87 vjeç. Gruaja që në Spanjë u kthye në simbol të një revolte që nisi nga një apartament i thjeshtë në Madrid. Maricarmen...
/ Oct 8
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Presidenti Donald Trump tha se do të shkarkonte dy këshilltarë të lartë zgjedhorë nëse angazhimi i tyre për fushatën e Mirolad Dodik në Republikën Srpska do të paraqiste konflikt interesi...
/ Oct 7