Kryeministri Edi Rama foli këtë të enjte për çështjen e pensioneve, ku u mundua t’u shpjegonte pensionistëve shqiptarë në studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu arsyet për pensionet e tyre të ulëta. Përveç pensioneve, tema të tjera për të cilat Rama foli ishin arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta, dënimi i ish-deputetit Ervin Salianji, deklarata e zonjës Monika Kryemadhi që ai është “peshku i madh në telefonin e saj”, u diskutua çështja e Reformës në Drejtësi për të cilin ai mori autorësinë pasi sipas tij amerikanët kishin bërë “Noc Rrokun”, besimi i tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe të tjera çështje.

Çfarë thotë Rama për pensionet

Ajo çfarë ndodhi ishte se Rama kërkoi të shfaqeshin disa tabela në ekran ku tregoheshin statistika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, mbi situatën ekonomike të vendit. Ai u mundua të shpjegonte se ka një rritje ekonomike në vend, ulje të borxhit publik, por çështjen e pensioneve e konsideroi si problematikën më të madhe për çdo qeveri.

“Nëse ju do kishit një pension 180, 200 apo 250 mijë lekë të vjetra, si do të jetonit?” – ishte pyetja që një zonjë në studio i drejtoi kryeministrit, por që ai nuk i dha dot një përgjigje, thjesht u mundua t’i shpjegonte si funksionon ekonomia për të justifikuar vështirësitë e mëdha në rritjen e pensioneve. Rama tha se indeksimi i pensionit i bërë së fundmi nuk qe një rritje pensioni, por indeksim që çdo vit bëhet përkundër inflacionit: “Që zonja dhe të gjitha zonjat dhe zotërinjtë, duhet të kuptojnë se ai 4.1% është 100 milionë Euro”. Kryeministri tha se kur PS ka filluar punën e ka gjetur skemën gropë dhe pensioni maksimal ishte 240 mijë lekë të vjetra. “Të gjitha shtetet me pensionet kanë rigorozitet sepse ndryshe shpërthen dhe bien në gropë më keq se Sudja.”– tha Rama.

Në diskutimin që zgjati afër 30 minuta vetëm për pensionet, Rama tha se problemi është se ato vendosen në sajë të kontributeve, por shqiptarët ndër vite nuk kanë paguar për kontribute. Ai shton: “Por a i kanë paguar sigurimet shoqërore për 40 vjet? Nuk kanë paguar ndonjëherë sigurime shoqërore. Sepse njerëzit thonë unë kam marrë këtë pagë, kanë pranuar një pjesë ta marrin në bankë dhe një pjesë në dorë. Por bëjnë gabim. E para ia heq fondit, pra ta heq ty, dhe ia vetes kur del në pension. Një pjesë tjetër e shqiptarëve kanë jetuar jashtë dhe vijnë nga emigracioni, dhe thonë pse ky pension, unë kam punuar.”

Rama po ashtu ironizoi dhe rivalët e rinj politikë që kanë hapur parti të reja, ai iu tha zonjave në studio që të mos besojnë askënd veç tij kur bëhet fjalë për pensionet: ”Ka dhe nga ata që thonë: ‘Ne jemi të rinj’. Janë shalqinj pa asnjë provë, mos i provoni.” Të gjitha këto i tha, por përgjigjen zonjës se si do jetonte me 200 mijë lekë të vjetra në muaj, kryeministri nuk ia dha.

“Amerikanët kanë sjellë Noc Rrokun”

Ndërkohë përsa i përket Reformës në drejtësi, Rama mori autorësinë dhe tha se amerikanët kanë bërë “Noc Rrokun” pasi këtë reformën e ka bërë PS-ja. “Amerikanët kanë sjellë Noc Rrokun këtu sepse këtë gjë e ka sjellë PS e Shqipërisë me mua në krye. Ambasadorja Yuri Kim është shumë më mbrapa. Dhe të jemi të qartë bashkë, edhe amerikanët dhe europianët kishin shumë rezerva kur e filluam këtë punë. Mbështetja për amerikanët ka qenë absolute, por nuk e ka patur njeri tjetër vullnetin tim më përpara për ta ndarë drejtësinë nga pushteti politik. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur që të merren të pandehur, ministra, deputetë e kryetar bashkish. Kjo është ajo që unë kam ëndërruar, një drejtësi të godasë majtas, djathtas dhe të shohë vetëm përpara.”- tha Rama duke shtuar se ka qenë PS që e ka ideuar dhe realizuar dhe SHBA e BE kanë qenë thjesht mbështetës për të nxitur dhe për t’ju bërë presion deputetëve për ta votuar.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e komentoi këtë deklaratë të Ramës nga një tjetër studio televizive, duke thënë se me këto fjalë, Rama ka pranuar që kjo qenka drejtësi e komanduar dhe sipas tij kjo deklaratë është për t’u kritikuar. “Nëse e ka bërë Rama, është për t’u kritikuar. I bie që qenka drejtësi që e komandon Rama”-tha ai.

Rama për arrestimin me forcë të Metës: Nuk e drejtoj unë Policinë

“Fakti që nuk e komentoj nuk do të thotë që kam qëndrim kundër asaj që bëri Policia e Shtetit, thjesht nuk e komentoj.”- tha kryeministri Edi pasi u pyet në lidhje me arrestimin me forcë të ish-presidentit Ilir Meta. “Policia e Shtetit nuk varet nga unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit.”- tha ai duke shtuar se Policia e Shtetit ka drejtues, protokolle dhe operacione që i drejton në bazë të këtyre protokolle. Kryeministri po ashtu u shpreh: “Unë nuk bëj komente për një subjekt të drejtësisë, jua kam lënë ju ta trajtoni si viktimë ditën dhe natën.”

Rama e quan Kryemadhin “dykëmbësore në rolin e qenit”

Kryeministri iu përgjigj dhe akuzave të deputetes Monika Kryemadhi e cila tha para pak ditëshse “peshku” i madh në telefonin e saj është Edi Rama. “Kjo është një histori qensh, lehje qensh. Dykëmbësorë që kanë marr rolin e qenit në mjedisin e qenit dhe që lehin nga të katërta anët dhe bëjnë çorbë gjithë dynjanë”-deklaroi Rama. Ai u shpreh se zonja  Kryemadhi është në hallin e vet dhe se ai me njerëz që janë në halle të mëdha nuk debaton.

Po ashtu ai përsëri deklaratën se “nuk ka birë nëne dhe bir tjetër që mua të më dalë përpara e të më thotë që një qindarkë e imja si taksapagues ndodhet në xhepin tënd”. Dikush e kishte bërë sipas tij dhe ishte detyruar më pas t’i kërkonte falje. Këtyre deklaratave nuk vonoi t’ju kthente përgjigje zonja Kryemadhi, e cila postoi këtë mesazh në rrjetet sociale: “Pa merak o satelit pa bisht se ne këmbësorët ta kemi fijen për të të sjellë me këmbë në ‘tokë’.”

Për dënimin e Ervin Salianjit: Po ta kontrolloja unë s’do zgjaste 6 vjet

Rama e quajti lajm shumë të mirë dënimin e ish-deputetit Ervin Salianjit. Ai e quajti atë një fabrikant lajmesh. Madje shtoi se po ta kishte patur ai në dorë, Salianji do kishte 6 vite që do ishte dënuar. “Po ta kontrolloj unë drejtësinë nuk do zgjaste 6 vjet. Kurrë. Sepse është një krim shumë i rëndë. Është vrasje pa gjak dhe pa të marrë jetën, por duke i marrë shpirtin, duke i marrë trutë e kokës jo një personi sepse në fund të fundit personi i goditur drejtpërdrejt, ministri i Brendshëm, unë që jam këtu, nuk është normale, por prapë i kemi dalë kësaj pune përballë. Por janë nëna. Janë prindër. Janë fëmijë. Janë nipër. Janë mbesa që dëgjojnë këto tmerre dhe llahtarisen njerëzit nga gjithë ky tmerr.” -tha Rama. Ai shtoi se këtë “lloj tmerri” nuk e përjeton asnjë vend në rajonin tonë. Rama u shpreh se Salianji është “një fabrikant faktesh të paqena”, dhe “një mashtrues popullor” që sipas tij ka përdorur mandatin e deputetit të opozitës për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik.

“I lehtësuar” për arrestimin e Jyrgis Çyrbjes

Ndërsa në lidhje me arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, Rama tha se ndihej i lehtësuar kur edhe eksponentë të partisë së tij zbulohen nga drejtësia. “Kush mbulohet me flamurin e PS për të bërë zullume të zbulohet. Unë ndihem i lehtësuar kur dikush që ka marrë mandat nga PS, dikush që ka marrë besim nga unë e ka shpërdoruar dhe ekspozohet nga drejtësia. Unë ndihem i lehtësuar. Përzgjedhja e njerëzve bëhet edhe mbi bazën e atyre që di. Në rrugën e jetës shumë njerëz rrugës, devijojnë, bien në gracën e përfitimit të paligjshëm dhe ka një sistem që i ndëshkon. Të të them që edhe kur larg qoftë je në familje mund të ndodhë që fëmija të dalë nga shinat.”– tha Rama. Më pas Fevziu i shfaqi në ekran një foto me një sërë eksponentësh të tjerë të PS-së të cilët ndër vite janë akuzuar apo edhe dënuar nga drejtësia.

Rama: Kur erdhi Erdogani kisha pirë ilaçe që më linin pa gjumë, dëmi që i bëra vetes

Po ashtu në bisedën me Fevziun, Rama tha se pasi kreu operacionin pak javë më parë iu desh që të përdorte ilaçe shumë të forta të cilat i shkaktonin pagjumësi. Ai i kishte përdorur ato vetëm sepse i ishte dashur të dilte para kohe nga spitali në mënyrë që të priste presidentin turk, Erdoganin, për inaugurimin e Xhaminë së Namazgjasë. “Mua më ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe. Jo fakti që shkova në spital dhe bëra operacion se s’kishte asnjë fatkeqësi. Vajta në spitalin publik, bëra për të dytën herë operacion dhe për të dytën herë pashë të gjithë mënyrën si funksiononte duke dalë natën nëpër korridore dhe asnjë ndryshim nga asnjë spital jashtë vendit. Mirëpo ngaqë dola kundër shkencës komplet, pasi duhet të rrija 3 ditë në regjim shtrati. Dola që të nesërmen sepse do vinte miku nga Ankaraja, duhej të hapej xhamia, duhet të rrija në këmbë. Dhe përdorja ilaçe shumë të forta që të linin pa gjumë dhe çfarë bëja gjithë natën?!”– tha Rama duke shtuar se natën kishte filuar të ndiqte emisionet televizive në Shqipëri. “O Zot! Çfarë u serviret shqiptarëve çdo natë!!”. Ai tha se  kishte bërë vetes një dëm të jashtëzakonshëm duke parë këto programe.

Rama dhe Erdogani me gratë e tyre në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë

Si është historia e biletës së NBA

Një tjetër çështje ishte ajo e biletave. Rama u akuzua nga opozita se biletat për të parë një ndeshje baskketbolli të NBA-së ishin shumë të kripura. “Ajo biletë as nuk blihet e as nuk shitet. Ato janë vende të rezervuara nga personat që i kanë marrë për vite të tëra.”- tha Rama. I pyetur se kush ishte miku që ia dha atë vend, ai u shpreh “Po ç’rëndësi ka kush ishte? Miq të mi… Dhe që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Në Amerikë kjo gjë është njësoj sikur të fton dikush në restorant.” Ai shtoi se as ka marrë e as ka parë biletë vetë dhe se ky miku nuk kishte fare lidhje me Shqipërinë.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10