
Në konferencën tradicionale të fundvitit, kryeministri Edi Rama bëri një pasqyrë të punës së qeverisë gjatë vitit që po mbyllet dhe komentoi zhvillimet më të fundit politike dhe ligjore, duke u ndalur kryesisht te hetimet e SPAK-ut dhe kërkesat për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Rama u shpreh qartë se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk mund të veprojnë si “zyra noterie” për prokurorinë e posaçme, duke nënvizuar nevojën për prova konkrete dhe të verifikueshme. “Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’iu thoja çohu, ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda.”
Ai shtoi se asnjë deputet i PS-së dhe as avokati i zv.kryeministres nuk kanë marrë USB-në e sjellë nga SPAK-u. “USB e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe as avokati i ministres. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta.”
Kryeministri gjithashtu iu përgjigj kritikave mbi përdorimin e mesazheve si prova, duke theksuar se ato nuk mund të konsiderohen bazë për ndjekje ligjore. “Çfarë do të thotë mesazhe, qëkur mesazhet janë prova? Dhe qëkur mesazhet janë ushqim për mediat? Para se të nisë një proces gjyqësor, duhet të kemi prova konkrete.”
Kryeministri Edi Rama u ndal në mënyrë indirekte edhe te kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se asnjë zyrtar publik nuk mund të gjykohet politikisht apo publikisht vetëm për faktin se është nën hetim. Rama tha se perceptimi publik dhe interpretimi mediatik nuk mund të zëvendësojnë provat konkrete, duke nënvizuar se drejtësia duhet të flasë vetëm përmes vendimeve të saj. Sipas tij, përdorimi i mesazheve, dosjeve të pjesshme apo rrjedhjeve në media krijon një klimë linçimi publik, që dëmton besimin në proceset ligjore dhe cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, parim që sipas Ramës duhet të vlejë njësoj për çdo zyrtar, përfshirë edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e tij, Rama përmendi edhe rëndësinë e dixhitalizimit të shërbimeve dhe rolin e AKSHI-t, duke theksuar arritjet e qeverisë. “AKSHI është një institucion krenarie për ne. 620 miliardë lekë ka kursyer AKSHI për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7,600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. 3.4 milion shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 milion shërbime të ofruara, 12 milion dokumente elektronike të gjeneruara. Brenda muajit shkurt do të lançohet e-Albania 2.0.”
Ai komentoi gjithashtu raportin e Këshillit të Evropës për sistemin e drejtësisë dhe numrin e lartë të të paraburgosurve, duke theksuar një problematikë të rëndësishme të sistemit penal. “Numri i njerëzve që gjenden në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar është më i madh se numri i atyre që janë në burg të dënuar. Ky është realiteti dhe nuk mund të rrij pa folur për këtë.”
Rama i bëri thirrje prokurorisë dhe institucioneve ligjore që të sjellin prova të qarta dhe të konfirmuara, duke shtuar: “Çfarë do të thotë një mesazh? Mesazhet nuk janë prova. Nuk mund të vijmë këtu për të bërë spektakël mediatik dhe për të manipuluar opinionin publik me një USB që nuk ka asnjë provë konkrete.”
Ai përfundoi fjalën e tij duke mbrojtur qeverinë dhe punën e saj deri në fund të mandatit, duke theksuar se PS-ja dhe ekipi qeverisës do të vazhdojnë me përgjegjësi. “Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë? AKSHI është një institucion krenarie për ne.”
Konferenca e kryeministrit Rama këtë vit theksoi një kombinim mes bilancit të qeverisë dhe përgjigjeve ndaj sulmeve politike dhe procedurave të SPAK. Mesazhi kryesor ishte i qartë: institucionet e qeverisjes nuk mund të zëvendësohen nga prokuroria dhe çdo kërkesë për hetim duhet të shoqërohet me prova të forta dhe të verifikueshme.


