Kryeministri Edi Rama u prit këtë të dielë nën tingujt e himnit shqiptar si dhe të himnit të Bashkimit Europian më pas, në takimin me komunitetin shqiptar që u mbajt në stadiumin “Galatsi” në Athinë. 

Kryeministri shoqërohet nga një delegacion prej 100 ministrash dhe deputetësh, si edhe një grup i madh gazetarësh që i ka marrë me vete.

Çdo detaj ishte i mirëmenduar, që nga organizimi i udhëtimin nën masa të rrepta sigurie, shpesh të cilësuara si “drakoniane” nëpër media, tek flamujt kuqezi, koncerti i mbajtur nga artistët shqiptarë…

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se nuk ka ardhur të takohet në Athinë me “shërbëtorët e dikurshëm”, por të çmallet me zotët e bararabartë të kësaj shtëpie, të Greqisë.

“Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barazvlefshëm të Greqisë demokratike dhe në Europën demokratike.”– tha Rama.

Çfarë thonë mediet greke

Ky organizim ka mbushur portalet e lajmeve në shtetin fqinj, të cilët shkruajnë se vizita e Ramës po realizohet nën masa të rrepta sigurie.

Gazeta Ekathimerini shkruan se kjo vizitë e Ramës ndez tensione të reja në marrëdhënien mes dy vendeve.

“Kjo ngjarje, duke ndezur tensione të reja në marrëdhëniet greko-shqiptare, pason komentet e Ramës të shtunën: ‘Greqia është një vend demokratik. Nuk mund ta pengonte një lider të bënte një vizitë private dhe të fliste me bashkatdhetarët e tij. Kjo çështje ka marrë më shumë vëmendje sesa duhet, ndoshta, por nuk është koha e duhur pak para zgjedhjeve evropiane.”

Portali tjetër grek “Newsbomb.gr” shkruan gjithashtu për masat e rrepta të sigurisë, duke i quajtur “masa drakoniane”.

“Ka pasur një pjesëmarrje të madhe nga turma e mëngjesit në stadiumin Galatsi, të mbyllur për fjalimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Edi Rama, vizita e të cilit shkaktoi shumë diskutime dhe reagime të ndryshme, ndodhet në Athinë për të mbajtur një fjalim parazgjedhor. Masat e sigurisë janë drakoniane. Burime të EL.AS raportojnë për Newsbomb.gr se janë vendosur efektivë zyrtarë të policisë, ndërkohë që policia rrugore po rregullon qarkullimin. Një qen i trajnuar posaçërisht ka kontrolluar zonën para fillimit të grumbullimit, ndërsa deri në përfundimin e tij do të ketë njerëz të sigurisë me uniformë.”– thuhet në artikull.

Pas përfundimit të takimit, të tjera shkrime u publikuan në mediet greke.

Mediet greke e konsiderojnë të nxituar vendimin e Ramës për të mos e shtyrë takimin pas zgjedhjeve europiane. Gazeta Protothema e quan kryeministrin shqiptar “nacional-populist kokëfortë”.

“Nuk kishte asnjë arsye në favor të nxitimit të tij për të nisur, si udhëtar i panevojshëm, takime të drejtpërdrejta me diasporën shqiptare në Greqi. Nën maskën e fushatës për zgjedhjet nacionale në vendlindjen e tij, të cilat nuk do të mbahen pas 2 apo 3 apo 5 muajsh, por 1 vit nga sot. Aq më tepër që ardhja e tij, me sa duket pa ftesë zyrtare, ndodh në një kohë kur në Greqi po nxehet përballja partiake për zgjedhjet e ardhshme europiane.

Me mençuri, Ministria e Punëve të Jashtme greke u komunikoi partnerëve dhe stafit se duke pasur parasysh fazën parazgjedhore që po kalojmë, do të preferohej që vizita e tij private të shtyhej pas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit. Kërkesa diplomatike e Athinës u injorua përballë studimit, nxitimit, lakmisë së nacional-populistit kokëfortë Rama.” – shkruhet në këtë gazetë.

Media tjetër greke  “Ta Nea”. konsideron një provokim këtë takim të Ramës me komunitetin shqiptar.

“Rama provokator i papenduar, kreshendo raciste kundër Greqisë me referenca për çamët”- shkruan Gazeta që në titull.

Më pas në tekst vijon duke thënë se Edi Rama “nxiti nacionalizmin shqiptar, duke shkuar deri aty sa iu referua çamëve dhe akuzoi Greqinë për urrejtje dhe sjellje raciste ndaj bashkatdhetarëve të tij”.

Protestë kundër Ramës në Athinë

Ndërkohë Gazeta “Protothema” e cila gjithashtu konfirmon masat drakoniane, shkruan se jashtë stadiumit “Galatsi” ka patur edhe protesta kundër Ramës.

“Më herët jashtë stadiumit është shkaktuar edhe një incident i vogël mes të pranishmëve, pasi kanë qenë 3-4 persona që kanë pohuar se Rama po provokon Mitsotakis, ndërsa disa të tjerë kanë reaguar: ‘Mos i vini zjarrin dy popujve’.

Në të njëjtën kohë, rreth 30 mbështetës të opozitës filluan të bërtisnin parulla dhe të protestonin kundër Ramës jashtë Pallatit Galatsi.”– shkruan Gazeta.

E njëjta gazetë shkruan se të paktën 2000 persona kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Greqisë për të ndjekur fjalimin e kryeministrit shqiptar.

MESAZHET E RAMËS

Rama fton grekët në Shqipëri: “Kemi taksa më të ulëta ne

Rama mbajti një fjalim shumë të gjatë, ku u shpreh se Shqipëria i mirëpret edhe grekët, që vijnë për të protestuar e më pas humbin zgjedhjet në Greqi.

“Grekët kanë qenë janë dhe do jenë gjithë një të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar dhe për të përfituar nga një regjim taksash më të ulët sa në Greqi. Shqipëria nuk i krijon asnjë telash, por i krijon kushtet edhe ndonjë politikani greke që vjen të protestojë atje dhe pastaj vjen humb zgjedhjet këtu.”– tha Rama.

“Grekëve etnikë nuk i mohohet asnjë e drejtë tek ne”

Kryeministri u ndal për pak çaste edhe tek komuniteti grek në Shqipëri, duke thënë se grekëve etnikë në Shqipëri nuk i mohohet asnjë e drejtë, por janë të barabartë me qytetarët shqiptarë.

“Grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme. Ne duhet dhe do bëjmë ende për ta, por e vërteta e madhe jashtë lojërave politike, por asnjë hall i tyre nuk është i ndryshëm nga hallet e qytetareve shqiptarë. Në një vend si i yni që përparon përditë, por kur plagët e trashëgimisë negative janë ende jo të mbyllura. Ama kurrë, asnjëherë në asnjë rast një grek etnik  në Shqipërinë e 10  viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij. Në asnjë rast, grekëve etnikë nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës. Kurrë, asnjëherë në asnjë rast qytetareve greke të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo zgjedhjes.”-janë fjalët e kryeministrit.

Një mesazh për Mitsotakis

Para se të mbyllte fjalimin e tij, Rama dha një mesazh për homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.

Ai i recitoi një nga poezitë e Naim Frashërit ‘Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve’.

“Në emrin tuaj dua ti lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë Naim Farshëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë, rroftë Shqipëria, rroftë Europa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi europaian dhe paqeje me prosperitet mes Greqisë dhe Shqipërisë.”– tha Rama.

Si e komentonte kryeministri grek vizitën para ca ditësh

Pak ditë para vizitës së Ramës, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk dukej fort i lumtur.

Ai shprehej për gazetën Protothema, se vizita e Ramës nuk është zyrtare dhe se e sheh si një takim të panevojshëm.

“Ai nuk vjen si mysafir i qeverisë greke, pra nuk është një vizitë, me karakteristika dypalëshe. Ai vjen për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Por përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që në kohën e tanishme, në kushtet e zgjedhjeve evropiane, më duket mjaft i panevojshëm. Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci, ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit që është e garantuar me kushtetutë, ndaj nuk i kushtoj kaq shumë rëndësi kësaj.”– tha Mitsotakis.

Berisha e shikon takimin si “provokim”

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha e sheh sheh vizitën e kundërshtarit të tij si një prokokim për Greqinë.

“Të dashur miq, njeriu që me politikat që ndoqi, me vjedhjet e tmerrshme që u bëri shqiptarëve, me vrasjen e shpresës së tyre duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim, de facto përzuri nga Shqipëria në 10 vite mbi 1.1 milion shqiptarë, mbi 33 përqind të shqiptarëve, përgatit në një akt cinizmi ekstrem, në një akt provokimi të turpshëm, takimin me patronazhistët dhe aktivistët e tij që kanë nisur që dje vërshimin drejt Greqisë për të stimuluar një takim me diasporën shqiptare. Në moton ‘Shqipëria e viteve 2030’.

Miqtë e mi, takimin me diasporën të një politikani shqiptar nuk është e nevojshme ta komentosh. Por kur takimi organizohet si një provokacion, duhet vetëm ta dënosh. Së pari ne jemi shqiptarë. Fqinjë mijëravjeçarë me grekët në këtë rajon. Por ne kemi një shprehje të hershme sa vetë mikpritja jonë: kush gjen pa ftuar, e gjen pa shtruar. Në mënyrë të përsëritur, autoritetet zyrtare greke kanë deklaruar se Edi Rama vjen i paftuar. Natyrisht Greqia është djepi i demokracisë dhe nuk imagjinon të ndalojë tubimet apo takimet. Por, tradita shqiptare e kërkon të mbash mend këtë parim të mikpritjes sonë. Nuk shkohet pa ftuar, aq më tepër kur je njoftuar se je i paftuar.”- shprehej Berisha për mbështetësit e tij poshtë dritares pak ditë më parë.

Basha e shikon si “ekskursion” të shtrenjtë

Ndërsa Lulzim Basha sot e ka ironizuar vizitën e Ramës duke e cilësuar si një ekskursion të shtrenjtë të administratës shtetërore.

“Kthim të mbarë administratës shtetërore të shpërngulur në Athinë për këtë ekskursion të shtrenjtë të kryeministrit që shpopulloi vendin dhe pengon votën e atyre që degdisi rrugëve të botës për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit.”- tha Basha.

Takimi në stadium i Ramës me komunitetin shqiptar në Greqi u hap me një performancë nga reperi Noizy dhe këngëtarja Era Rusi.

Noizy ka ndërprerë këngën e tij dhe ka thënë disa fjalë falenderuese për kryeministrin Rama, por dhe për shqiptarët duke thënë se ata meritojnë respektin e botës pasi janë punëtore dhe të gjithë bashkë mund t’ia dalin gjithmonë.

Leave a Reply

  • (not be published)