
Nga Fatjona Mejdini
Gjatë pesë viteve të fundit, kam pasur disa përballje me Kryeministrin Rama në emisionin “Opinion”. Në çdo rast, qasja e tij ndaj meje dhe kolegëve të mi ka qenë e njëjtë: intimidim, bullizim, gjuhë rruge dhe shmangie nga përgjegjësia. Dje në emisionin e fundit, intensiteti i kësaj sjelljeje arriti kulme të reja. Kryeministri refuzoi të përgjigjej në çdo pyetje, duke na etiketuar si të painformuar, të paaftë për të bërë pyetje dhe madje duke vënë në pikëpyetje të drejtën tonë për të qenë në atë studio.

Kjo nuk është një sjellje spontane, por një strategji e mirëllogaritur, e ndërtuar mbi një bilanc të dështuar të qeverisjes së tij. Është e vështirë të japësh llogari për çështje të rënda si skandali i inceneratorëve, një nga deshtimet dhe aferat më të mëdha të kësaj qeverie.
Ashtu sic dëshmohet edhe në ketë video, në tetor 2020, Kryeministri më premtoi se do të më ftonte në përurimin e inceneratorit të Fierit në dhjetor të atij viti. Por ky përurim nuk është bërë as sot, katër vjet e gjysmë më vonë. Sepse, ashtu si në Tiranë dhe Elbasan, edhe në Fier nuk ka asnjë incenerator funksional. Ka vetëm male mbetjesh të papërpunuara, zyrtarë të dënuar për korrupsion apo në arrati dhe dhjetëra miliona euro të qytetarëve të vjedhura dhe shpërdoruara.
Ballafaqimi mes Ramës dhe Mejdinit


