Kryeministri Edi Rama është takuar me një grup shqiptarësh këtë të martë në Nju Jork, ku ndodhet prej disa ditësh pasi po merr pjesë në punimet e Sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim me shqiptarët e SHBA-ve, Rama ka folur jo vetëm për votën e diasporës, ekonominë e vendit, por edhe për planin e tij për formimin e shtetit sovran të bektashinjve në Tiranë.

Rama për Shtetin Bektashi: Do e votojmë konform Kushtetutës

Rama jo vetëm e ka mbrojtur këtë ide, por u shpreh i bindur që do të bëhet. Sipas tij komuniteti i bektashinjve me qendër në Tiranë, është një pasuri kombëtare që duhet ruajtur e një thesar që “nuk duhet lënë të tretet”. Kryeministri u shpreh se procesi për krijimin e Shtetit Bektashi do jetë konform Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare: “Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja. Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash ‘jo po se kjo;. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto. Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare.”

Lidhur me kritikat për krijimin e Shtetit Bektashi, Rama tha se ata që kritikojnë duhet të lexojnë dhe informohen më shumë mbi rolin që ka pasur komuniteti Bektashi për fatin e kombit tonë, madje u sugjeroi që leximin ta nisin nga veprat e Naim Frashërit. Më pas kryeministri Rama ironizoi duke thënë se edhe Naimi ishte agjent i Soros: “Jo nuk është kështu që hajde se jemi ne disa njerëz e po bëjmë një shtet. Kjo është kështu siç po ju them unë, por që të kuptohet mirë biseda, unë do t’ju sugjeroja kujtdo ndër ju që është i interesuar dhe kujtdo tjetër që është i interesuar, të hapë librat e historisë së Urdhrit Bektashi, duke filluar nga Naim Frashëri. Nuk besoj se ka qenë agjent i Soros-it, nuk e besoj, por edhe mund të ketë qenë. Unë nuk e besoj se ka punuar për Soros-in Naim Frashëri, nuk ma ha mendja që të ketë qenë i blerë nga Vuçiç. Edhe mund ta ketë blerë që atëherë, por unë nuk e besoj. Ta fillojnë nga Naim Frashëri e të shohin pastaj gjithë si ka rrjedhur historia e këtij Urdhri dhe pasi ta lexojnë do kuptojnë që këtu bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, këtu bëhet fjalë për një thesar që ne nuk mund ta lëmë që të tretet. Kaq e thjeshtë është kjo!” 

Si do votojë diaspora

Në këtë takim, Rama u shpjegoi shqiptarëve të diasporës edhe procedurën e votimit nga jashtë Shqipërisë, që pritet të implementohet për herë të parë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ai shpjegoi ndryshimin që ka nga votimi në SHBA. “Patjetër që të gjithë shqiptarët që janë jashtë dhe që kanë dëshirë të marrin pjesë në procesin zgjedhor kanë të drejtën dhe kanë mundësi të votojnë përmes një sistemi të thjeshtë besoj, që s’është si këtu në Amerikë, ku për të votuar duhet të regjistrohesh dhe pastaj, në momentin që regjistrohesh, në rastin e këtij sistemi që ne kemi, të vjen zarfi, ti aty brenda ke fletën e votimit, shënon në kutinë që dëshiron, shprehjen e vullnetin tënd, mbyll zarfin dhe e poston mbrapsht. Në sistemin tonë vota shkon aty ku ke vendbanimin e regjistruar në Shqipërisë, pra aty ku figuron në listën e zgjedhësve. Në rast se do të shkoje fizikisht dhe numërohet si pjesë e votave të atij qarku ku bën pjesë bashkia, nga ku buron emri yt si rezident në Shqipëri, pra në atë adresë ku je i regjistruar në Shqipëri dhe ku ke vendbanimin.”- tha Rama. Ai theksoi se vota e diasporës u realizua pas shumë vitesh përpjekje.

Rama: Çdokush që jeton jashtë sot e ka kokën lart

Përpos të tjerave, Rama foli dhe për ndryshimet e mëdha që sipas tij ka pësuar Shqipëria gjatë viteve të qeverisjes së tij. Ai tha se tanimë kush jeton jashtë vendit, e tregon me kokën lart se është shqiptar. “Çdokush që jeton jashtë sot e ka kokën lartë kur thotë jam nga Shqipëria sepse reagimi është pozitiv dhe sot është shumë kollaj që të takosh kudo njerëz që të thotë se ishin ose kanë dëshirë të shkojnë në Shqipëri për ta vizituar Shqipërinë.”– tha Rama duke shtuar që objektivi strategjik i tij është që brenda kësaj dekade, “ne të jemi gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, çka do të ishte një arritje historike dhe një kapërcim i jashtëzakonshëm historik”.

Një ditë më herët, po në Nju Jork Rama zhvilloi një takim me ministrin e Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan Ahmed Al Jaber. Ata diskutuan për dy projekte që planifikojnë të finalizojnë bashkarisht në fushën e Energjetikës: krijimin e kompanisë së përbashkët të prodhimit energjitik KESH&MAZDAR dhe ndërtimin e linjës nënujore të transmetimit të energjisë me Italinë, në një bashkëpunim tripalësh Shqipëri-EBA-Itali.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14