
Dy biznesmenë në Orikum rrëmbyen armët dhe ia drejtuan njëri-tjetrit, ndërsa mollë sherri dyshohet se u bë mbivendosja e dokumenteve të pronësisë, për një truall në bregdetin e Palasës, ku të dy kishin planifikuar ndërtime për turizëm. Ajo që në pamje të parë u duk një përplasje e zakonshme mes njerëzve me pushtet e para, është maja e ajsbergut të konfliktit më të madh të shqiptarëve, shumëpronësia. Vlora mbeti pa Kadastër, dosjet u transferuan në qytete të tjera, por konfliktet mbetën të hapura. Gjykata ngriti duart dhe zgjidhja nuk erdhi institucionalisht, ndërsa Kryeministri Rama nuk vonoi që edhe një tjetër pronë ta shndërrojë në ullishte. Me të njëjtin hov, siç firmosi projektin “TID Durrës”, ku banesa dhe biznese do të shndërrohen në lulishte, sërish në emër të Shqipërisë turistike.

Kryeministri Edi Rama bëri një reagim të gjatë për përplasjen mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, duke e cilësuar konflikt banal dhe brutal që i ka prishur imazhin turizmit në vend.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cenojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë, nga investitorët te kamerierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar”, deklaroi Rama.
Rama vendosi t’i japë fund kësaj historie, duke i bërë shembull dy biznesmenët, ku pritet të shpronësojë të gjithë zonën e konfliktit dhe ta kthejë në një aset publik e turistik për të gjithë.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik e turistik për të gjithë”, u shpreh Rama.

Kryeministri vendosi ta shndërrojë truallin e sherrit, në tokë të premtuar, duke u zotuar se do të mbjellë pemën e paqes, ullirin. Kështu, punët në pronën që u ble dy herë, do të shkojnë vaj.
“Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë, ku do të mbillen dhe do të ruhen variatetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut dhe do të ekspozohen tërë vajërat e ullirit që prodhohën në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë 2 investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, sqaroi Rama.

Në këtë mënyrë, Vlora u shndërrua në vatrën më të nxehtë të verës, ku konfliktet e pronësisë në Zvërnec, me insvestime që prekin një Zonë të Mbrojtur shkaktuan një revoltë të gjerë popullore, ku qytetarët protestojnë prej 3 muajsh. Konflikte pronësie ka edhe në Baks-Rrjoll të Velipojës dhe pavarësisht se trashëgimtarët janë në çështje gjyqësore me investitorët, ndërtimi i resortit vijon. Për të mos u harruar, gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit, pikërisht për çështje pronësie.


