
Për skandalet në Shëndetësi, kryeministri Edi Rama ia ka faturuar fajin sistemit. Në episodin e tretë të këtij sezoni në podcatin e tij të quajtur “Flasim”, Rama kishte të ftuar mjekun Kita Sallabanda. Gjatë bisedës ata u ndalën në skandalin e para pak muajve të ndodhur tek “Onkologjiku” ku pacientët orientoheshin drejt një klinike private për të marrë mjekimin. Rama u shpreh se ajo që ndodhi atje, ishte tregues që sistemi ka nevojë për përmirësim.
“Ajo që ndodhi tek Onkologjiku ishte shumë prekëse, pra ishte dhe një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin, të përmirësojmë mënyrën e menaxhimit. Ne mund të kemi mjekë shumë të mirë, dhe nuk diskutohet që i kemi. Sepse dihet, e ka thënë dhe një veteran i famshëm i BBC-së, lajm nuk është kur kafshon njeriun qeni, lajm është kur kafshon njeriu qenin. Në rastin konkret lajm nuk është që këta mjekë bëjnë 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale dhe rreth 30 mijë të tjera mikrokirurgjikale. Mirëpo kur të del një rast si ai, ose një rast si i Sanatoriumit, me një infermiere atje në kohën e pandemisë, këto janë raste që godasin besimin tek sistemi. Ajo që kam kuptuar është që spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë vitet e fundit, pra kanë kujtimet e të shkuarës. Nuk kanë pasur nevojë të shkojnë, e thonë: ku ka spitale. Kam dëgjuar profesorë të huaj që thonë: Nuk e besojmë dot që ka një spital në Shqipëri si ky spitali i ri i sëmundjeve të brendshme.”– tha Rama duke shtuar se këto po i thotë duke u treguar realist.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se pas atij skandali, tanimë një mjek që dëshiron të punojë në privat do të duhet të njoftojë më përpara dhe të marrë një aprovim: “Këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Pra nuk mund të jetë ‘hajt se po nisem’. Dhe plus kësaj, sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës. Por edhe tek aparaturat, krahasuar me vendet që janë në majë të botës si Spanja kemi mangësi. Por aparaturat moderne i kemi, por duhen që bëjnë veprime më të specializuara.”
Po ashtu, kryeministri shtoi se reagimi që qeveria e tij bëri për të adresuar problemin tregon përgjegjësinë që qeveria ka për përmirësimin e situatës. Mjeku Sallabanda i cili punon në Spanjë tha se tashmë fytyra e spitaleve shtetërore ka ndryshuar dhe se njerëzit duhet të kenë besim. Madje ai shtoi se sallat e kirurgjisë, janë më të mira se në spitalin publik ku ai punon në Spanjë.
“Dje pashë sallat e kirurgjisë së përgjithshme. Nuk ka asnjë ndryshim nga asnjë sallë kirurgjie në çdo vend të botës. Jua them si profesionist. Nuk kam qenë vetëm në Spanjë, kam qenë në Francë, Gjermani, Itali. Ai sistem që keni bërë në sistemin kirurgjikal, nuk i lë asnjë… madje i keni sallat më të mira se i kam unë në spitalin publik në Spanjë. Kur e them nuk e ekzagjeroj. Sot spitali kirurgjikal apo spitali i urgjencës është një nga më të mirat që unë kam parë për strukturën, organizimin. Kjo është e vërtetë.”- u shpreh mjeku i cili shtoi se është pro lejimit të punësimit të mjekëve në shtet dhe privat dhe ra dakord me mendimin e kryeministrit që kjo të ndodhë me një aprovim.

Disa muaj më parë, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për 7 mjekë, të cilët akuzohen se i dërgonin pacientët në klinikat e tyre private, pasi ata paraqiteshin për të marrë shërbim në këtë pavion dhe ky rast shkaktoi një seri protestash. E disa muaj më vonë, situata tek ky pavion vazhdoi të kishte probleme. Të paktën sipas denoncimeve të vazhdueshme të gazetarit Osman Stafa, ka një sërë ilaçesh jetike që mungojnë prej muajsh.


