
Edi Rama mund të jetë kryeministri me më shumë “zanate” në historinë e kryeministrave shqiptarë.
Basketbollist, piktor, dizajner, publicist, kritizer, showman, këngëtar, aktor, gaztor por së fundi ai i është rikthyer pasionit të tij të hershëm; gazetarisë.

Pas shumë e shumë sinjalesh dhënë gazetarëve, drejtuesve të emisioneve apo analistëve lidhur me mënyrën se si duhet ta bëjnë gazetarinë, kryeministri i është futur punës duke nxjerrë me duart e tij produktin gazetaresk: një kronikë televizive me bazë zërin e tij, duke përdorur pamje të emisionit “Opinion” në TV Klan dhe ABC News-it por duke përdorur edhe idenë e gjysmë të vërtetave, që kritiku i tij i përhershëm Fatos Lubonja e ka artikuluar shpesh në publik duke shënjestruar pikërisht qeverisjen e Ramës.

Shënjeshtra e Ramës kësaj radhe ka qenë Armand Shkullaku dhe gjithë ata që Ramën e kanë akuzuar ose së paku e kanë pyetur për qeverisjen e vendimet e gabuara.
Sprova “Alo, Edi jam!” duket se i ka bërë punë kryeministrit shqiptar për të mprehur shqisat e për të hedhur zërin e tij në pajisjet e regjistrimit.
Me një ritëm të ngadaltë ndryshe nga ç’jemi mësuar ta dëgjojmë, Rama lexon rreshtat e një kronike 4 minuta e 17 sekonda. E nis me parashtrimin e qëndrimit të Shkullakut në emisionin “Opinion” duke përdorur me mjeshtëri edhe tonin, ndërsa pas shumë pak sekondash del në konkluzionin se Shkullaku ka dezinformuar për impiantin e Elbasanit.

Rama i shfrytëzon Shkullakut një prodhim të vetin si drejtor ekzekutiv në ABC News lidhur me impiantin e Elbasanit, në të cilën thuhej se kjo strukturë punonte, ndryshe nga sa pohoi analisti në studion e “Opinioni”-t.

Në pjesën e dytë të kronikës, Rama mendon të lërë pak mënjanë gazetarin e të rikthehet te zanati që ka bërë më shpesh gjatë 20 viteve në pushtet: strategjistit e propagandistit, duke përdorur me zotësi teknikën e manipulimit.
Sipas Ramës, gazetarët që i rreshton jo pa qëllim mes politikanëve si Berisha, Vokshi, Basha, Kryemadhi apo edhe presidenti Meta (edhe ky një manipulim, njësoj siç bën me gazetarët kur i quan të gjithë kazanë) nuk e paskan me Edi Ramën por e paskan me Shqipërinë që e duan “plaçkë” dhe me qytetarët që i dashkan “mish për top”.
Rama mendoka se qenka vetëm pengesa dhe jo shkaktari i të gjithë situatës, për të cilën gazetarët investigojnë e analistët interpretojnë.
Është fakt i njohur që kryeministri Edi Rama e ka dashuri të vjetër dëshirën për të shkruar.
Sprovat e tij të para të njohura publikisht në gazetari kanë qenë në gazetën “Koha Jonë” kur vendin e qeveriste Sali Berisha, duke bërë rolin e një prej bashkëpunëtorëve të gazetës.
Video – Edi Rama në Lezhë në maj 2001 duke thënë se pa gazetën “Koha Jonë” nuk do i kishte njohur njeri në lagje jo më deri në qytetet e tjera
Por vitet e fundit, i zënë me dhjetra zanate të tjera, Rama ka qenë i kushtëzuar të heqë dorë nga dashuria e tij e hershme.
Faktet kanë treguar që Rama mund ta bëjë sërish edhe gazetarin politik. Në të njëjtin nivel siç bëri piktorin, aktorin, këngëtarin, shkrimtarin.
Megjithatë nuk i dihet a e ka mësuar që gazetarët e mirë nuk shkruajnë për veten. Këtu sikur bëhet lëmsh kryeministri.